Dojçe Welle: Emmanuel Macron kritikon në OKB nacionalizmin e stilit të Trumpit
Presidenti Macron u kërkoi liderëve që ta kundërshtojnë “ligjin e më të fuqishmit”, deklaratë që shihet si kritikë ndaj SHBA. Ai theksoi më tej nevojën për dialog me Iranin”. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron mori duartrokitje të gjata para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën, kur mbajti një fjalim pasionant 45 minutash për vazhdimin e multilateralizmit dhe kundër politikave izolacioniste të SHBA.
Macroni pranoi se skepticizmi ndaj organizmave ndërkombëtare si Bashkimi Evropian dhe OKB-ja janë në rritje, por ai paralajmëroi se “nacionalizmi gjithmonë çon në disfatë”.
Presidenti francez doli në podium pasi Presidenti i SHBA, Donald Trump qe betuar më parë për të mos e dorëzuar kurrë sovranitetin e SHBA përballë “burokracisë së pazgjedhur, të papërgjegjshme globale”. Ai dënoi më tej regjimin e Iranit për “agjendën e përgjakshme” në Jemen dhe në Siri.
Shpesh fjalimi i Presidentit të Francës tingëllonte si një kundërsulm pikë pas pike ndaj agjendës së politikave në fjalimin e Trumpit.
Ligji i xhunglës i Trumpit
Macroni paralajmëroi se politikat izolacioniste të Trumpit, veçanërisht përballë Iranit, vetëm e rrisin kërcënimin potencial të konfliktit. Unilateralizmi çon “direkt në izolim dhe në konflikt…në dëmtimin e secilit, në fund edhe të atyre që menduan se ishin më të fortët”, deklaroi ai. “Ligji i xhunglës nuk mbron ndokënd nga çfarëdo rreziku, qoftë ai kimik apo bërthamor.”
SHBA nxisin tensionet në Iran dhe në Lindjen e Mesme
Macroni bëri më tej thirrje edhe për “dialog dhe multilateralizëm” në trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me Iranin, duke thënë se marrëveshja bërthamore e Iranit ka ndihmuar që të frenohet programi bërthamor i Teheranit.
“Çfarë do të sjellë zgjidhje të vërtetë për situatën në Iran dhe çfarë e ka stabilizuar atë? Ligji i më të fortit? Presion nga vetëm njëra anë? Jo!” tha ai. “Ne e dimë që Irani ishte në një rrugë ushtarake bërthamore, por çfarë e ndaloi atë? Marrëveshja e Vjenës e vitit 2015”.
Trumpi i tërhoqi SHBA nga marrëveshja e shtatë shteteve për të frenuar programin bërthamor të Iranit. SHBA e pasuan këtë hap duke rivendosur sanksione kundër Republikës Islamike.
Presidenti francez sugjeroi më tej edhe se Irani duhet të lejohet që ta shesë naftën e tij në tregjet botërore. Kjo, theksoi ai, do të kontribuojë në njëfarë mënyre për të zgjidhur irritimet e Trumpit për rritjen e çmimit të naftës.
Jo marrëveshje tregtare për ata jashtë marrëveshjes së klimës së Parisit
Macroni gjithashtu preku ndryshimin e klimës dhe sulmoi në mënyrë indirekte vendimin amerikan të vitit të kaluar për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës e Parisit. Presidenti francez paralajmëroi se marrëveshjet e ardhshme të tregtisë mund të varen nga anëtarësia në marrëveshjen për klimën – lëvizje që synon t’i bëjë presion SHBA për ta rikonsideruar vendimin për daljen nga marrëveshja.
“Edhe ata që e kontestojnë realitetin” e ndryshimit të klimës “po i vuajnë pasojat e tij si të gjithë të tjerët”, i tha ai Asamblesë./DW/