Dy shqetësimet e vërteta të Ramës: mos preken përgjegjësit dhe milionat e oligarkëve!
Nga Edi Paloka
Mbledhja e qeverisë
Dy shqetësimet e vërteta të Ramës pas katastrofës: Mos preken përgjegjësit dhe milionat e oligarkëve!
Rama e tregoi dhe një herë sot se kush janë shqetësimet e tij të vërteta pas katastrofës që solli tërmeti i 26 nëntorit. Nuk janë familjet e shqiptarëve që humbën gjithçka e as ato që e rrezikojnë një gjë të tillë! Për Ramën shqetësimi i parë më i madh nuk është shpëtimi i jetës së shqiptarëve por shpëtimi nga përgjegjësitë i fajtorëve.
Shqetësimi i dytë me i madh për Ramën nuk është garancia dhe siguria e jetës për shqiptarët, po garancia dhe siguria e milionave që ndan me oligarkët.
Fjalët e para që tha sot në mbledhjen e asaj që e quan qeveri, ishin pikërisht kundër atyre që ngrenë zërin për nxjerrjen e përgjegjësive të asaj që ndodhi e që mund të ishte shmangur.
E tha qartë dhe pastër “Nuk do të ketë përgjegjësi sepse…KÇK nuk ka të drejtë të gjykojë!!!”
Një justifikim të tillë vetëm një si Rama mund ta përdorë. Pra me këtë “logjikë” edhe krimi mund të bëj ç’të dojë se “KÇK” nuk ka të drejtë të gjykojë e dënojë!
Menjëherë pas kësaj doli tek shqetësimi i tij i dytë :”Asnjë cent nuk do të preket nga PPP”
Ky ju përgjysmon rrogat mësuesve po nuk pranon të prek asnjë qindarkë nga milionat që ndan me oligarkët në aferat që tanimë janë demaskuar si terësisht korruptive!
Rama do vazhdojë të dalë me orë të tëra në ekranet e televizioneve në role të ndryshme; herë si vajtojcë me lot fallco, herë si fatorino furgoni, herë si kloun e herë duke sharë e fyer ata që janë vërtetë në hall.
Do flasë poshtë e lartë për lagje të reja e pse jo dhe qytete të reja (në 3D i ka gati) por shqetësimet e tij janë ato që kanë qenë gjithnjë: mbrojtja e krimit dhe milionave të grabitura.