Edi Rama, sot në Ditën e Zisë Kombëtare: Lamtumirë Fatos Nano!

Kryeministri Edi Rama, në mëngjesin e datës 2 nëntor 2025, ditë e shpallur Zi Kombëtare në nderim të Fatos Nanos — ish-kryeministër, themelues i së majtës moderne shqiptare dhe një nga figurat më emblematike të tranzicionit, e nisi ditën me një mesazh të thjeshtë, por të ngarkuar me simbolikë: “Lamtumirë Fatos Nano!”.
Një fjali e shkurtër që mbyll një epokë dhe ngre perde mbi një homazh kombëtar për një prej arkitektëve të politikës së pas ’90-s.

Vendimi për shpalljen e Zisë Kombëtare u mor nga Këshilli i Ministrave, si një akt respekti ndaj kontributit të tij të jashtëzakonshëm në jetën publike, institucionale dhe politike të vendit. Me këtë rast, shteti shqiptar organizon Ceremoninë Funebre Shtetërore dhe Homazhet Kombëtare në nder të të ndjerit, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e burrave të shtetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si shenjë zie dhe nderimi, në të gjitha institucionet shtetërore e publike flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtize. Në orën 12:00, mbarë vendi do të ndalet në një minutë heshtje, një ritual i heshtur kombëtar për t’i dhënë lamtumirën një prej liderëve më ndikues të historisë sonë të afërt. Gjatë kohës së ceremonisë, Radiotelevizioni Publik Shqiptar do të transmetojë muzikë funebre, duke shoqëruar atmosferën e respektit dhe kujtesës kolektive.

Swiss Digital Mobile Reklama

Homazhet publike zhvillohen nga ora 08:30 deri në 11:00, ku qytetarët kanë mundësinë të përkulen para arkivolit të Fatos Nanos. Më pas, nga ora 11:00 deri në 11:45, vijojnë homazhet shtetërore me pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta të shtetit, figurave politike dhe përfaqësuesve diplomatikë.

Në këtë ceremoni, një nga anëtarët e familjes Nano do të mbajë një fjalë përshëndetëse, ndërsa më pas do të flasë Kryeministri Edi Rama, pasuesi politik i Nanos në drejtimin e Partisë Socialiste dhe një prej figurave që ka ndarë me të jo vetëm një platformë politike, por edhe një histori të gjatë bashkëpunimi dhe konflikti, çka e bën fjalën e tij edhe më të ngarkuar me domethënie.

Për ceremoninë janë ftuar edhe personalitete nga Kosova dhe rajoni, duke dëshmuar ndikimin që figura e Fatos Nanos ka pasur përtej kufijve shtetërorë, si një aktor i rëndësishëm në politikën shqiptare në hapësirën mbarëshqiptare.

Në përfundim të ceremonisë, trupi i Fatos Nanos do të përcillet me nderime shtetërore. Në orën 12:00, kortezhi funebër do të niset nga Pallati i Kongreseve drejt banesës së fundit në Sharrë, duke mbyllur një rrugëtim që prej tri dekadash shoqëronte jetën politike të vendit.

Organizimi i gjithë ceremonisë drejtohet nga një Komision i Posaçëm Shtetëror, i ngritur posaçërisht dhe i mbikëqyrur nga Kryeministri, me përfshirjen e institucioneve më të rëndësishme të shtetit dhe strukturave të sigurisë.

Fatos Nano ndërroi jetë të premten në një nga spitalet private të Tiranës, ku po kurohej prej 24 ditësh.
Pesë herë Kryeministër i Shqipërisë, figurë qendrore e Partisë Socialiste dhe e tranzicionit politik, ai do të mbahet mend si një lider që solli frymën moderne të së majtës, si një reformator me vizion europian dhe si një prej personazheve që ndikuan më fort në shndërrimet politike të vendit.
Ikja e tij shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të historisë së shtetit shqiptar dhe të jetës politike të gjeneratës që udhëhoqi vendin në vitet më të trazuara të demokracisë.

Albert Vataj

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?