EDI RAMA:TAKSA ZERO PËR ZANATET DHE TREGTARËT AMBULANTË
Nga Edi Rama.
Gati ulja e taksave në zero për zanatçinjtë e vetëpunësuar, tregjet e ambulantëve nëpër lagje dhe tregtarët ambulantë.
Sot me përfaqësues të shoqatave të biznesit dhe Dhomave të Tregtisë, për të diskutuar paketën e re fiskale përmes së cilës qeveria ofron një sërë masash të reja për biznesin për të nxitur prodhimin, aktivitetin ekonomik dhe rritur punësimin. Në vitin 2016 nuk do të ketë rritje taksash, përkundrazi. Do të ketë lehtësira të reja fiskale siç është marrja përsipër nga ana e qeverisë e detyrimit doganor të eksportuesve manifakturës, që vjen si pasojë e futjes së skanimit në dogana. Një tjetër masë mbështetëse është heqja e taksave për të vetëpunësuarit përmes zanateve, ambulantët e tregjeve nëpër lagje dhe tregtarët ambulantë në tërësi. Do të ketë një listë të përcaktuar të të gjitha zanateve që krijojnë vetëpunësim që nuk do të paguajnë asnjë taksë. Po kështu e njëjta gjë për tregjet e lagjeve, ku secili që shet në një tezgë tregu do të trajtohet njësoj si ambulant, por me kushtin që të jetë i regjistruar. Njëkohësisht edhe për biznesin e madh hyn në fuqi ligjore mundësia që kontrolli fiskal të kryhet edhe përmes kompanive private të auditimit. Lajmi i mirë i përfundimit me shumë sukses të operacionit të Eurobondit, ku Shqipëria doli në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond të ri me 450 milionë euro dhe me 5,75% interes, është treguesi më kuptimplotë i punës dhe besimit në treg që ka ndërtuar vendi në këtë rrugë reformash transformuese. Fakti që tregjet financiare ndërkombëtare u përgjigjën me kaq pozitivitet në një klimë që nuk është më e favorshmja në keto tregje, është përgjigja më e mirë dhe më solide se po bëjmë reformat e duhura, se konsolidimi i financave po vazhdon, dhe se ekonomia po jep sinjale të qarta qëndrueshmërie dhe mundësie për rritje të qëndrueshme.
KOHA JONË SONDAZH

