Ish-zv/kryeministri Erion Braçe: A ka vjedhje me energjinë e për energjinë? Pooo, ka!
Nga Erion Braçe, ish-zv/kryeministër dhe deputet i PS-
(fjala e mbajtur sot në Parlament)
Kisha përgatitur fjalë tjetër për sistemin buxhetor, por pasi dëgjova 2 orë e 40 minuta dy deputetë, dua të them disa gjëra. E para, Adam Smith (referencë e zotit LyBa) e Xhon Kejns nuk kanë trashëgimtarë këtu, as përfaqësues, veçanërisht në radhet e atyre që si kanë lexuar kurrë; USTAI (referencë e LyBa) po, ai ka këtu gjysmën e tij më të mirë, më të bukur, më të re. Kjo gjysma nuk bëhet dot tjetër nga USTAI, as pse e përzë, as pse bën lojë luftash me të.
E dyta, as i pari e as i dyti, nuk do bënin kurre atë privatizimin e OSSH, USTAI dhe gjithë qeveria e tij, përfshirë LyBa, e bënë duke shkatërruar sistemin energjitik shqiptar dhe vë në rrezik sigurinë kombëtare. Ai privatizim nuk u bë as për biznes, por për të transferuar vjedhjen dhe përfitimet prej saj.
E treta, a ka vjedhje me energjinë e për energjinë? Pooo ka! Kjo tabelë dëshmon për vjedhjen. Në 2007 vjedhja ishte 36 lekë në çdo 100 lekë energji, në 2008 ishte 34 lekë në 100 leke, në 2009 ishte 35 lekë në 100 lekë, në 2010 ishte 31 lekë në 100 lekë, në 2011 ishte 35.6 lekë në 100 lekë, në 2012 ishte 44 lekë në 100 lekë, në 2013 ishte 45 lekë në 100 lekë energji; Viti juaj më i mirë në raport me vitin tonë më të mirë tregon përmasën e tmerrshme të vjedhjes suaj me energjinë, 330 MILION DOLLARË NË NJË VIT, vetëm një vit.
Këtu po, edhe unë bashkohem me kryetarin e opozitës. Zotërinj të drejtësisë lutem hetojeni një prej tre vjedhjeve më të mëdha ekonomike në fushën e energjisë, bashke me privatizimin e ARMO, privatizimin e ALBPETROL.
E katërta, do doja që Lulzim Basha që flet këtu, sulmon këtu, kërcënon ketu, shpif këtu, të ishte ketu; për të e kam. Lulzim mua nuk më komplekson dot hiç as me VKM e as me Drejtësinë. I dal për zot çdo firme mbi vendime të qeverisë, marrë në dritë të diellit e në përputhje me ligjin. Unë nuk i kam duart me gjak, nuk shoh në ëndërr gjak, nuk më prishet gjumi me gjak, veç nga një zile ore për të dalë për vrap, vetëm e pa roje, sot e mot!
Do moral gjithçka. Është kollaj të dalësh këtu e të përmendësh emra, edhe Samirin, por a ke moral? Unë nuk kam shtëpi tek Samiri, unë nuk kam shtëpi as në Hamallë tek Samiri, as në Palasë po tek ai. Kollaj t’ia përmendësh emrin ketu, para nesh e para qytetarëve, por kur në darkë shkon në Hamallë, ke moral ti shohësh ata banorët që të dëgjuan?
Unë nuk vë gjoba, se di ca janë dhe ky është moral! Tani po dal tek buxheti, i cili është një e mirë publike. Menaxhimi i sistemit buxhetor, në përputhje me ligjin, nën një regjim të fortë transparence, kontrolli dhe llogaridhënie, është interes publik. Parlamenti në funksionin bazë të tij ka këtë: ligjbërjen, transparencën, kontrollin e zbatimit të ligjit dhe llogaridhënien këtu për të.
Qyshkur Parlamenti lindi, u krijua, tatimet, taksat, buxheti, diskutimi, miratimi ose jo, kontrolli, janë fuqia e Kuvendit. Jo pa qëllim. Populli i realizon e përmbush interesat e tij përmes Parlamentit. Populli e mban qeverinë nën kontroll përmes Parlamentit. Ka vetëm një rast kur Parlamenti ndan fuqinë e tij me qeverinë për taksat, tatimet dhe Buxhetin: Rrethanat e jashtëzakonshme thuhet në ligj e që janë kur:
1-Katastrofat e fatkeqësitë natyrore, aksidente teknologjike etj, ndodhin;
2-Rrezikohet qëndrueshmëria e sistemit financiar dhe gjykohet e domosdoshme ndërhyrja e qeverisë;
3-Shpallja e gjendjes së luftës;
4-Rritja e GDP Produktit të Brendshëm Bruto është ≤ 1% dhe borxhi 60% e sipër.
Në këto raste rregulli fiskal i vendosur nga Parlamenti pezullohet. Në asnjë rast tjetër. Por edhe kjo vendoset këtu në Parlament, askund tjetër. Kemi patur në një rregull fiskal të shkruar e të miratuar në Kuvend? Deri në 2016 jo. Për 26 vite, Parlamenti ka bërë gjithshka, më së shumti edhe në vulën kolegjiale të qeverisë, por një rregull fiskal jo. FMN që ne e duam dhe se duam, e thërrasim por dhe e përzemë, e citojmë, e lëvdojmë, por edhe e fajësojmë, mallkojmë, fliste pa pushim për Deficitin Primar në terma pozitiv, pra për Suficitin Primar, por askush se dëgjonte. Përse? Sepse rregulli i saj, ky rregull i vinte fre harbimit fiskal të qeverisë, urisë së saj për të shpenzuar para, pa transparencë e jashtë kontrolli.
Deficiti primar është interes publik. Dëshmon shëndetin fiskal të shtëpisë sonë të përbashkët, Shqipërisë. Tregon trendin e të ardhurave, shpenzimeve, defiçitin mes tyre, BORXHIN, tendencën e tij në rritje apo në rënie. Është si në shtëpi, ti nuk mund të shpenzosh më shumë se të ardhurat që ke nga puna e drejtë dhe e ndershme. Po ka edhe borxh, po për çfarë? Borxhi që zhvillon, financon të ardhmen vlen. Defiçiti nuk duhet të kaloj investimet, nëse ndodh paguan të tashmen, e kjo tregon që jemi në hall. Tu jap disa shifra.
Nga 2006 në 2013, patëm suficit primar vetëm një herë, në 2010, +0,3%, ndërkohë që në 2008 e 2009, deficitit, borxhit, ekonomisë ju vu zjarri vetëm për një vepër, një rrugë, në fakt për 60 kilometra rrugë; prej aty, prej këtij zjarri, ekonomia nën efektin edhe të krizës së përbotshme që mbërriti në 2011 këtu, fiku edhe motorrin e fundit.
Nga 2014 në 2020, patëm suficit primar katër herë, katër vite ’16, ’17, ’18, ’19; disipline e mireqeverisje. Qeveria Berisha nuk u ndal në huamarrje dhe borxhi u rrit. Qeveritë tona u përmbajtën në huamarrje dhe borxhi u ul deri në fund të 2019-tës. Çdo vit nga 2015, deficiti ishte shumë herë më i vogel se investimet. Ky është rregulli. Në 2016 këtë rregull e bëmë ligj ne, jo ju! Ju as e bëtë dot fakt, realitet, as e shkruat kund. Kjo na krijoi një hapësirë fiskale të shëndetshme, na bëri të besueshëm, të financueshëm dhe na dha mundësinë të përballojmë tërmetin e pandeminë.
Çfarë thotë rregulli i vendosur në Parlament:
1-Në çdo ligj vjetor të buxhetit, fillestar apo të rishikuar, si dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, raporti i borxhit publik ndaj produktit të brendshëm bruto, do të planifikohet në nivel më i ulët se niveli i vlerësuar për vitin pararendës, deri atëherë kur niveli i borxhit të arrijë dhe qëndrojë poshtë nivelit 45% të Produktit të Brendshëm Bruto.
2-Përjashtim nga rregulli (ky me lart), mund të bëhet vetëm në rastet e rethanave të jashtëzakonshme, të përcaktuara në nenin 4/4 të këtij ligji.
3-Në çdo ligj vjetor fillestar të buxhetit, dhe në planifikimet e buxhetit afatmesëm, kur rritja reale e Produktit të Brendshëm Bruto, e parashikuar në raportin “Perspektiva ekonomike botërore”, të FMN-së, është, të paktën 5%, atëherë deficiti i përgjithshëm nuk mund të jetë më i lartë se 2% e Produktit të Brendshëm Bruto, përveç rasteve të rrethanave të jashtëzakonshme, të përcaktuara në shkronjat “a” , “b” dhe “c” të nenit 4/4 të këtij ligji.
4-Masa e deficitit buxhetor nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit, përveçse në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme që parashikohen në nenin 4/4, të këtij ligji.
5-Duke filluar që prej vitit buxhetor 2023 e në vijim, balanca primare buxhetore nuk duhet të rezultojë më e vogël se sa zero, përveçse në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme që parashikohen në nenin 4/4, të këtij ligji.
Rregulli fiskal përforcohet edhe me:
1-Kontigjencë 0,7% e shpenzimeve totale.
2-Të ardhurat nga privatizimi ndahen 50% borxhi, 50% investimet.
3-Ndryshimet e ligjeve tatimimore nje herë në vit dhe 23 muaj para vitit të ri fiskal.
4-Garancitë sovrane-në zgjerim, përfshihen 100% si pjesë e borxhit.
5-MFE vlerëson dhe MIRATON paraprakisht koncesionet dhe PPP, çdo ndryshim në to nga efektet mbi shpenzimet buxhetore, deficitin, qëndrueshmërinë e borxhit.
6-Shuma e përgjithshme për to, nuk duhet të kalojë 5% të të ardhurave faktike.
7-Kuvendi në ligjin vjetor të buxhetit, miraton tavanin e vlerës totale të kontratave, të të gjithave, ato të kontraktuara gjatë vitit buxhetor.
Pra Kuvendi! Kuvendi merret me politikën fiskale, politiken buxhetore etj. jo Presidenti, nuk e bën Presidenti politikën fiskale. Nuk e ka as kopetencë në kushtetutë e në as ndonjë akt tjetër. Por as qeveria vetëm e si fakt i kryer. Ky Kuvend ka zgjedhur FMN dhe raportin e saj PERSPEKTIVA EKONOMIKE BOTËRORE, si pikë referimi për të gjithë numrat dhe llogaritë e këtij rregulli fiskal. FMN për fat ka folur tre ditë më parë. Çfarë tha?
1-Ekonomia e Shqipërisë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme pas tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë. Pas vitit të vështirë 2020, aktiviteti ekonomik po ringrihet fuqishëm. Politikat luajtën rol kyç në ruajtjen e jetëve dhe mjeteve të jetesës, duke i hapur rrugë rimëkembjes ekonomike. (e mbani mend cfare keni thene?; i vdiqet pa sherbim mjekesor, i late pa para e pa buke; urdheroni e lexoni vleresimin e FMN).
2-Pas një periudhe kontraktimi me 4 për qind në vitin 2020, ekonomia po ngrihet fuqishëm me rritje të parashikuar prej 7.8 për qind në vitin 2021, nxitur nga mbështetja e vazhdueshme e politikave monetare dhe fiskale, nga rindërtimi, pakësimi i kufizimeve të lëvizjes, prodhimi i lartë të energjisë elektrike falë kushteve të favorshme të motit në pjesën e parë të vitit, si dhe një sezoni turistik relativisht të mirë.
3-Ne (FMN), parashikojmë që rritja ekonomike do të normalizohet në 3.8 për qind në vitin 2022, duke reflektuar më pak mbështetje nga politikat fiskale dhe maturimit të efektit të rimëkembjes.
4-Norma e inflacionit është rritur për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, por inflacioni bazë deri tani ka mbetur i qëndrueshëm dhe presionet inflacioniste të ulëta (per cmimet kjo).
5-Ndërkohë që rritja e konsiderueshme e deficitit në vitin 2020 ishte e nevojshme për të zbutur ndikimin e goditjeve, politika fiskale në vitin 2021 është më ekspansioniste sesa nevojitet. (E mbani mend cfare keni thene per deficitin vjet, borxhin, pagesat etj?; lexoni vleresimin e FMN per te tani).
6-Pavarësisht një arkëtimi më të mirë në të ardhurat tatimore, defiçiti primar do të mbetet në nivelin e 4.6 për qind të PBB-së, i ngjashëm me atë në vitin 2020. Borxhi i përgjithshëm i qeverisë parashikohet të rritet në pothuajse 80 për qind të PBB-së, në fund të vitit 2021, ndër më të lartit në rajon. Borxhi pritet të bjerë gradualisht, pasi masat mbështetëse dhe rindërtimi të përfundojnë dhe të respektohet rregulli fiskal i një bilanci primar fiskal të paktën zero duke filluar nga viti 2024, në zbatim të Ligjit Organik të Buxhetit (LOB).
Çfarë sugjeron FMN?
1-Së pari, investimi me efikasitet tek njerëzit dhe ekonomia për të mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm të vendit; së dyti, rindërtimi i hapësirës për manovrim të politikës fiskale, për të ulur defiçitin shumë të lartë fiskal dhe raportin e borxhit publik.
2-Mënyra për të kapërcyer këto dy sfida është ndërtimi i një strategjie ambicioze për të rritur të ardhurat tatimore dhe përmirësimi i transparences dhe cilësisë së investimeve publike.
3-Me një tjetër mandat, qeveria është e mirë vendosur për të adresuar këto sfida dhe për të kërkuar mbështetjen e të gjithë aktorëve të interesuar të shoqërisë në funksion të këtij qëllimi.
Me konkretisht FMN thotë shkoqur:
1-Tani është koha për të miratuar një plan të besueshëm të rregullimit fiskal afatmesëm, mbështetur nga një Strategji e shëndoshë e të Ardhurave që duhet të ndërmerren në periudhën afatmesme. Ajo që nevojitet qe kjo strategji të jetë e suksesshme, është para së gjithash angazhim dhe udhëheqje e fortë politike.
2-Më e rëndësishme, Shqipëria duhet të shtojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, të ulë dobësitë që burojnë nga korrupsioni, të rrisë konkurueshmërinë që të mbështesë realizimin e qëllimeve dhe aspiratave të saj të zhvillimit afatgjatë.
Përtej politikës të kthehemi tek rregulli fiskal, FMN thotë: Tani është thelbësore të përdoret rimëkëmbja ekonomike për të rikrijuar hapësirë për politikat fiskale. Një plan i besueshëm afatmesëm rregullimi—është më mirë të formulohet tani dhe të zbatohet duke filluar nga viti 2022—duhet të përcaktojë masa për të zvogëluar defiçitin primar në rreth 2 për qind të PBB-së në vitin 2022, si dhe të arrijë në mënyrë të qëndrueshme një balance primare pozitive prej rreth 1.5 për qind të PBB-së në vitin 2024. Themeli i një rregullimi të tillë fiskal të besueshëm duhet të jetë një Strategji e shëndetshme Afatmesme të Ardhurash (MTRS) që zgjeron bazën tatimore dhe të eleminon mundësitë për shmangie.
Ne vazhdojmë të këshillojmë kundër amnistisë tatimore dhe përjashtimeve e incentivave tatimore ad hoc.
Dhe pika kyce eshte e mbetet veç kjo:
1-Zbatimi i reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi e nisur në vitin 2016 me mbështetjen e BE-së, po vazhdon. Në mënyrë të veҫantë, autoritetet treguan se platforma e deklarimit të pasurive ishte në hapat përfundimtare dhe informacioni do të vihet në dispozicion të publikut. Procesi i vetingut të gjyqtarëve ka përparuar më tej, por ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë më të trajnuar. Reformat e mbetura duhen të zbatohen me shpejtësi, sepse korrupsioni mbetet një pengesë kryesore për rritjen e barabartë. Rritjen e barabartë, jo rritjen ekonomike, por rritjen e barabartë.
Për aty, duhet të përmbushim dy detyra: zgjerimin e bazës së taksueshme dhe heqjen e përjashtimeve e subvencioneve ad hoc. Po cilat janë këto përjashtime? Dua të ndalem tek to tani, sepse sa herë që vijmë në këtë pikë, bujqësia e favoret për popullin e bujqësisë prekën. Ka të tjera përjashtime që janë kthyer në pasuri të medha e unë dua të përmend disa.
Së pari në ndërtim ku shitet me 3500, 4000, 4500 euro për metër katrorë e rroga mesatare 41 mijë lekë. Furnizimi i ndërtesave; tokës, dhënia me qira për veprimtari të mëdha tregtare; madje dhe ndertesat ne zona rezidenciale, jane perjashtuar nga TVSH;
Së dyti në hidrokarburë; biokarburantet janë të cliruara nga AKCIZA prej vitesh kur biokarburatet kanë kapur majat në sasi duke ndikuar në cilësinë e naftës mizerabël. Furnizimi i jahteve me karburant, faktikisht është i përjashtuar nga AKCIZA dhe çdo tatim. Në ligjin për akcizen, në ligjin për Tvsh, në ligjin e taksave kombëtare, nuk ka asnjë përjashtim të tillë, ZERO, ka veç një letër urdhëruese të një drejtori doganash në vitin 2018.
Së treti në turizëm, tatim fitimi në hotele me 5 yje duhet të rikthehet, kemi nevojë tani për ato të ardhura. TVSH zero e jahteve që blihen e rregjistrohen këtu, duhet të marrë fund, njësoj siç për makinat, njësoj siç për bicikletat.
Së kartëti pijet. Pragjet në sasi prodhimi janë një mashtrim i madh, evazion po aq. Mjafton të shohësh madhësinë e fabrikës së një prej birrave që ulëret në çdo tv prej larg, për të kuptuar që ai produkt në fashën e ulët të prodhimit është mashtrim që fiton para edhe nga përjashtimi; akciza e pijeve energjike, pijeve me sheqer të shtuar e gaz, duhet të rivendoset tani. Ta nisim me këto, ti bëjmë tani edhe pse kështu duhet, por edhe sepse eshte e drejtë. Mbase do jetë e vështirë për to, por më mirë kështu e ku është paraja e madhe, sesa lehtë e mbi punëtorët, popullin e bujqësisë.