Erion Braçe: Nuk kam folur me Ramën për kandidimin tim dhe as më ka nxjerrë ai, pra do kandidoj!

Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar publikisht mbi ambicien e tij për të kandiduar në bashkinë e Tiranës.

Në Facebook, Braçe thekson se nuk ka pasur asnjë bisedë me Ramën për kandidimin e tij dhe se nuk është “vendosur” nga ai për të garuar.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai nënvizon se qëndrimi i tij bazohet në parime të brendshme të Partisë Socialiste dhe në nevojën për një proces më demokratik, ku vendimmarrja të mos zëvendësohet nga emërime apo njoftime të njëanshme, por nga vota dhe përfshirja e anëtarëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ja postimi i plotë i Erion Braçes:

#TIRANA 💜 E TË GJITHËVE
PËRGJIGJE TË GJITHA ALUDIMEVE TË DY JAVËVE

  1. NUK KAM FOLUR ME EDI RAMËN PËR KANDIDIMIN TIM
  2. NUK MË KA NXJERRË EDI RAMA TË KANDIDOJ
  3. INTERESI IM JANË PARIMET, ÇËSHTJET E LIDHURA ME TO, SHËRBIMI NDAJ QYTETIT, JO SULMI NDAJ KUJTDO

PO E PËRSËRIS: UNË NUK LUAJ, NUK TALLEM ME KËRKËND,
AS ME QYTETIN, AS ME POPULLIN E TIJ!


1. JOOO, NUK KAM FOLUR ME EDI RAMËN PËR KANDIDIMIN TIM;
Nuk është mungesë respekti; përkundrazi, është respekt ndaj asaj që është – kryetari i PS, i pari i barabartë mes të barabartëve në një parti që duhet të zgjedhë me votë të anëtarëve, simpatizantëve, të majtëve në tërësi, njerëzit që ata duan t’i përfaqësojnë dhe rrugën që duhet të ndjekin. Janë parime të gushtit 2005 që bëjnë ndryshimin dhe unë u qëndroj, veçanërisht kur është bërë kohë që gara, merita, vota janë zëvendësuar me njoftime në mur, të kryera, që kanë bërë njerëz të pavotuar e të pavotueshëm drejtues në nivele të ndryshme.


2. JOOO, NUK MË KA NXJERRË EDI RAMA TË KANDIDOJ,
nisur nga nevoja e tij, e PS në këtë moment, të miat si nder apo qokë, apo nevoja për të larguar në këtë mënyrë Ogerta Manastirliu nga kjo, të themi, garë; kush më njeh e di fare mirë që, nëse do të ishin këto arsyet, unë i pari do të refuzoja, siç e kam bërë shpesh në kohë të ndryshme.
Dua t’ju kujtoj se mendimin për të kandiduar e kam shprehur qartë në mbledhjen e Asamblesë së PS të Njësisë 5; pra në strukturat e PS – jo jashtë saj. Ka qenë një mendim i pjekur dhe një përgjigje për mijëra njerëz të këtij qyteti që kam takuar në lagjet e rrugët e tij; përgjigje edhe ndaj mijëra socialistëve të këtij qyteti me të cilët e kam diskutuar këtë.
Për ta qartësuar: kam kërkuar një proces të gjerë, përfshirës, demokratik dhe jo favor–qokë karriere!


3. JOOO, NUK ËSHTË SULM DHE NUK KAM NDËRMEND TË SULMOJ EDI RAMËN PËR KËTË;
Në kaq vite në politikë dhe shërbim publik, nuk merrem me njerëzit, personin, individin; merrem me parimet, çështjet që burojnë e lidhen me mënyrën si parimet zbatohen dhe që kanë ndikim në jetët e njerëzve.
Dua ta them: i jam përgjigjur nevojave të këtij qyteti prej një viti, në mënyrë sporadike edhe më herët. Tani është më rëndë: ky qytet as po vetëqeveriset dhe as po qeveriset prej një viti. Është në rënie të lirë në çdo aspekt, veçanërisht ligji e rregulli, shërbimet për popullin e tij.

Ky është shqetësimi im; atë dua të përball: reformimin e plotë të proceseve dhe rikthimin e një shërbimi më të mirë për ta bërë qytet të të gjithëve, jo thjesht të atyre që vetëm përfitojnë.

Pra, qëllimi im është t’i kthej qytetit punën që duhet në krye të tij, jo sulmin – sulmet ndaj gjithkujt; siç po e bëj çdo ditë në Njësinë 5 ✋ deputetin që nuk e kishte prej 4 vitesh, ashtu do të bëj kryepunëtorin për qytetin dhe popullin e tij!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?