Erion Veliaj: Parking falas për rezidentët
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njoftoi gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak se parkingu për banorët rezidentë do të jetë falas. Në fjalën e mbajtur përpara këshilltarëve, Veliaj sqaroi se projekti për tarifimin e parkimit të automjeteve sipas zonave nuk prek banorët që parkojnë në zonë ku jetojnë.
“Garantojmë që rezidentët të kenë parkimin falas. Kjo disiplinon sistemin e transportit, shton të ardhurat e Bashkisë, është shumë e avantazhuar nga shumë alternativa të tjera që i kanë ardhur këtij këshilli Bashkiak, të gjitha të ardhurat i shkojnë Bashkisë, qyteti fiton të ardhura, hapësirë, një jetë shumë më të shëndetshëm, shpëtojmë nga një kulturë zaptimi”, deklaroi Veliaj.
Për sa i përket çmimeve të propozuara për tarifat e parkimit, kryebashkiaku theksoi se vlera është më e vogël nga çfarë është aktualisht çmimi i vendosur në vitin 2003 ku çdo parkim i bashkisë tarifiohej me 100 lekë/ora, ndërsa përmes këtij vendimi do të ketë një vlerë nga 20 lekë deri në çmimin që është aktualisht. “Bëjmë një zbritje për regjimin aktual që ka Bashkia e Tiranës. Sot kemi një regjim ku janë 3000 e ca vende me një mijë lekë ora. Ajo që po na mundëson ky lloj tarifimi për të thënë, nuk janë të gjithë rrugët njësoj, rrugët në zona më të largëta duhet të kenë kosto më të ulët. Na jep fleksibilitetin që të kemi disa paketa”, tha Veliaj. Ai sqaroi se kushdo që dëshiron të rri më shumë orë mund të pajisjen me abone ku çmimi do të jetë i reduktuar. Ndërsa për projektvendimin mbi indeksimin e pagave, kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se nëse ky vendim do të kalohet në këshill do të kërkojë amendimin që vetë ai dhe nënkryetarët të përjashtohen nga ky rishikim. “Ju kërkoj që të bëjmë një amendim ku kryetari i bashkisë dhe nënkryetarët e bashkisë që janë titullarë politikë, të përjashtohen nga indeksimi i pagave që propozon ky projektvendim. Për pjesën tjetër që është administrata e bashkisë, për këdo që ka punuar një ditë në shtet, dua t’i jap një të drejtë , indeksimi pagave është një rutinë që ndodh, ju e dini fare mire, ka inflacion në Shqipëri prej 23 % dhe ka 7vjet që nuk është bërë indeksimi i pagave”, theksoi Veliaj. Sipas tij, tani që bashkia ka filluar nga pak të shëndoshë financat ka mundësi që të bëjë indeksimin e pagave .
KOHA JONË SONDAZH

