Fushatës së mbjelljes së pemëve i bashkohet orkestra e RTSH, Veliaj: Japim të gjithë kontributin tonë për një Tiranë edhe më të gjelbër
Këtë herë fushatës së mbjelljeve të pemëve iu bashkua orkestra e Radio-Televizionit Publik Shqiptar. Artistët dhanë kontributin e tyre për shtimin e hapësirave të gjelbra të qytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se orkestra në fakt i ngjan Tiranës, ku nëse të gjithë punojnë bashkë dhe mbështesin njëri-tjetrin, qyteti është më i mirë dhe ecën përpara.
“Ne duhet të jemi të gjithë të sinkronizuar, si një skuadër, dhe duhet të luajmë të gjithë në njëjtën kohë. Nëse njëri nuk performon, atëherë e gjithë orkestra ndjen mungesën e atij instrumenti. Është një metaforë shumë e bukur me këtë që bëjmë në qytet, ku jemi një skuadër që performojmë të gjithë bashkë, dhe sigurisht që jo të gjithë janë violinë e parë. Por, kur secili jep kontributin e tij, qoftë edhe një perkusion, është kyç për gjithë atë shfaqje. Pavarësisht se disa prej nesh ndoshta e kanë detyrën të jenë violinë e parë, pra të jenë përditë me mbjellje, të jenë përditë me studentët, të jenë përditë në mbrojtje të mjedisit, edhe të tjeret e kemi bërë tonën duke lënë një shenjë për qytetin. Nëse secili e ndjen veten pjesë të kësaj orkestre dhe bën pjesën e tij, atëherë mund të kemi një simfoni të muzikës së bukur të qytetit tonë”, tha Veliaj.
Mandej, kryebashkiaku shtoi se fushata e mbjelljes do të vijojë edhe gjatë muajit prill, ndërsa i ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër.
“Tirana, gjelbërimi, oksigjeni dhe hijeshia bëhet nga këto kontribute të vogla, përditë e përditë. Nëse jeni në një lagje dhe doni të mbillni poshtë pallatit ose nëse jeni në një komunitet të madh, ku ka një park, siç është parku i Liqenit, i Farkës apo qoftë edhe tek oborri i shkollës dhe i kopshtit, secili mund të bëjë atë të voglën e vet, për “orkestrën” tonë të madhe”, tha Veliaj.
KOHA JONË SONDAZH

