Gjykata e Lartë shtyn seancën për Berishën dhe Malltezin, avokatët kërkojnë dorëheqjen e gjyqtarëve

Gjykata e Lartë ka shtyrë për në datën 16 korrik seancën gjyqësore ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe dhëndri të tij, Jamarbër Malltezi për dhënien e vendimit për revokimin e masës së sigurisë ndaj tyre.

Mësohet se avokatët e Berishës dhe Malltezit kanë kërkuar dorëheqjen nga gjykimi të tre gjyqtarëve, Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni. Kjo ka qenë dhe arsyeja e shtyrjes së seancës së sotme.

Berisha dhe Malltezi mbahen prej muajsh nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ata e kanë konsideruar arrestimin si politik, pasi pretendojnë se ndaj tyre nuk ka asnjë provë.

Berisha akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të larte shteterore ose te zgjedhurve vendore, kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK-ut, Berisha në kohën kur ka qenë kryeministër ka vendosur në funksion të interesave të dhëndrit të tij bazën ligjore, si edhe ka ushtruar presion mbi vartësit për të nxitur plotësimin sa më të shpejtë të procedurave të kthimit të pronës dhe privatizimit të godinave të degraduara të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Ndërsa, për Jamarbër Malltezin dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, SPAK-u deklaron se ata kanë përfituar shuma të mëdha financiare nga tjetërsimi i truallit në ndërtime të larta.

SHKARKO APP