Gonxhja: Gati për votim në Kuvend projektligji për njohjen e periudhave të punës para vitit 1994
Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka bërë me dije miratimin në Këshillin e Ministrave të projektligjit për njohjen e periudhave të punës në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sigurimet shoqërore, para vitit 1994. ”Miratimi i këtij projektligji eliminon proceset e zgjatura gjyqësore, që numëroheshin me mijëra çdo vit, kostot e rënda proceduriale dhe vitet e humbura, duke siguruar plotësim moshe pensioni për më shumë aplikues dhe krijuar një sistem më të thjeshtë e më të drejtë sigurimesh shoqërore për të gjithë përfituesit”,-shkruan ministri Gonxhja.
Postimi i plotë
Me propozimin e MEKI, u miratua në Këshillin e Ministrave Projektligji për njohjen e periudhave të punës në institucionet shtetërore, ish-ndërmarrjet shtetërore, ish-ndërmarrjet dhe kooperativat bujqësore për efekt pensioni në sigurimet shoqërore, para vitit 1994!
Ky projektligj garanton mbështetje dhe drejtësi për të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në:
Institucione dhe ndërmarrje shtetërore deri më 01.10.1993
Ish-ndërmarrje bujqësore deri më 17.10.1992
Ish-kooperativa bujqësore deri më 19.07.1991
Projektligji i kalon Parlamentit, duke pritur që pas miratimit, nga viti 2025, të përfitojnë të gjithë ata që lidhin pensione të reja, që janë afërsisht 40,000 individë çdo vit, për njohjen automatikisht të periudhave të punës që nga mosha 18 vjeç, pa dokumente shtesë, për kohën para vitit 1994.
Miratimi i këtij projektligji eliminon proceset e zgjatura gjyqësore, që numëroheshin me mijëra çdo vit, kostot e rënda proceduriale dhe vitet e humbura, duke siguruar plotësim moshe pensioni për më shumë aplikues dhe krijuar një sistem më të thjeshtë e më të drejtë sigurimesh shoqërore për të gjithë përfituesit.