Habilajt na kërcënuan në komisariat. Është makina e ministrit-thanë

Kur i bënë shenjë të ndalonte Audi-t me targa AA 003 GB në një postbllok 4 vite më parë, oficerët e Antidrogës nuk e dinin se në atë moment i dhanë jetës një drejtim tjetër. E dinin që makina mund të përdorej për trafik droge nga dy vëllezër të dyshuar, por nuk e prisnin që kërkesës për kontroll, Habilajt t’i përgjigjeshin me kërcënime dhe sharje.

“Na thanë se nuk keni shanse dhe nuk ka asnjë mundësi që ju të kontrolloni këtë automjet” dhe kur jemi munduar të bëjmë kontroll me forcë, ata na janë larguar me shpejtësi duke xhiruar gomat” – tregon Bledar Naçi, oficeri tjetër i Antidrogës, në skuadrën e Dritan Zaganit dhe Antonio Nazerajt. Dy të parët sot janë në azil.

Ka vendosur të flasë edhe Bledar Naçi për gazetarin Basir Çollaku në intervistën e botuar në GSH.

“Kemi debatuar dhe na kanë fyer dhe janë larguar me forcë. Mjeti ishte i ndezur. Në këto momente kemi marrë në radio pikën tjetër të kontrollit, kolegët tanë që ishin më poshtë nesh, duke iu thënë që ky automjet që iu dhamë targën na ka ikur. Iu thamë që është larguar dhe s’ka pranuar kontroll. Ju thamë që po vijmë edhe ne në ndihmë ndaj duhet ndalur.

Në këtë moment kemi shkuar në ndjekje të Audi-t dhe ishte ndaluar nga kolegët tanë. Sërish edhe këtu ka pasur debat me kolegët dhe është nxehur më shumë situata. Ne, grupi unë dhe kolegët donim t’i shoqëronim. Nuk na jepnin dokumentet dhe nisën kanosjet dhe fyerjet ndaj nesh me fjalor të rëndë.

Basir Çollaku: Kërcënim?
Bledar Naçi:Ju nuk e dini se kë keni ndaluar, se kush jemi ne dhe ju do ta merrni vesh shumë shpejt se kush jemi ne. Aty na kanë thënë se kjo makinë është e ministrit. Kështu kanë thënë kur kanë parë se situate ishte agravuar.
Basir Çollaku: Dhe si ndodhi?
Bledar Naçi: Na kanë fyer na kanë kërcënuar pastaj thanë se kush janë dhe e kujt është makina. Nuk ishte hera e parë që policët dëgjonin kërcënime nga trafikantët. Ishte aty shefi i Antidrogës Dritan Zagani, oficeri Antonio Nazeraj, oficeri Bledar Naçi dhe të tjerë që prej vitesh nuk kanë folur për atë ngjarje.
Në atë kohë, Bledar Naçi sapo ishte dekoruar nga ish Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Për dekoratën, vetë kryeministri Edi rama e kishte thirrur në zyrë, me fjalët më të mira. Oficeri i Antidrogës nuk kishte si t’i besonte dy kriminelëve me emrin Habilaj që i përmendnin emrin e Saimir Tahirit, njeriut që me dorën e tij i kishte dhënë dekoratën, si shenjë vlerësimi për punën, sakrificën, orët e gjata dhe rreziqet që kishte kaluar për luftën kundër trafikantëve.
“Jam dekoruar nga ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe kryeministri githashtu në datën 12 tetor 2013, për rezulatet të larta në punë. Jam ftuar në zyrën e kryeministrit në datën 12 tetor dhe gjatë prezantimit të 12 drejtorëve të rinj të qarqeve dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë në atë kohë, Artan Didi. Nuk më ka pëlqyer të prononcohem shumë nëpër media, por duke marrë shkas nga emërtimi që më ka bërë zoti kryeministër me fjalët ordiner, kriminel trafikant. Dua t’i them zotit kryeministër se unë quhem Bledar Naçi dhe jam djali i dy prindërve punëtorë që kanë qenë anëtarë të Partisë Socialiste nga viti 1991”
Historia më tej është e njohur. Naçi e pësoi njësoj si kolegët, Dritan Zagani dhe Antonio Nazeraj që për një arsye apo tjetër përfunduan në burg.
Habilajt ia hodhën paq “me urdhër nga lart”. Mjeti i paprekshëm, Audi me targat AA 003 GB, doli pa u regjistruar nga komisariati, sikur ngjarja të mos kishte ekzistuar kurrë.
Basir Çollaku: Të saktësojmë diçka, në një vendim pushimi prokurorie, drejtues të policisë Fier thonë se ky mjet nuk është shoqëruar, ndërsa ju dhe kolegët thoni që e keni shoqëruar?
Bledar Naçi: Jam duke ju thënë se është shoqëruar në komisariat, makina ka shkuar në mjediset e drejtorisë së Policisë Fier, është futur në oborrin e kësaj drejtorie.
Basir ÇollakuDhe ju keni qenë një nga oficerët që e kanë shoqëruar?
Bledar Naçi: Po kam qenë një nga pjestarët e këtij shoqërimi. Sepse ishim ne pika e parë e kontrollit që u konfrontuam me ta dhe na kanë fyer banalisht, kanosur e kërcënuar, ishim pjesë e këtij shoqërimi. Pasi kemi shkuar aty kemi tentuar të bëjmë kontrollin. Në momentin që kemi tentuar të bëjmë kontrollin, këta persona janë pritur nga shoferi i ish drejtorit të policisë së qarkut Fier.
Basir Çollaku: Kush ishte ky person?
Bledar Naçi: Personi që ishte shofer personal ishte një djalë nga Fieri. E thërrisnin Dume, me sa kujtoj quhej Ar Tahiri (tregon emrin e plotë) dhe është kushëri i afërt me Saimir Tahirin.
Basir ÇollakuSi u veprua më pas?
Bledar Naçi: Këta përsona kur janë takuar me shoferin, kanë nisur sërish të bëjnë fyerje e kanosje më të mëdha ndaj nesh, ndaj të gjithë policëve që ishim aty në oborrin e Drejtorisë së Policisë në Fier dhe pikërisht e kishin me ne, grupin që i ndaluam. Te oborri i drejtorisë na kanë kërcënuar dhe na kanë thënë nuk keni bërë mirë që na keni ndaluar, sepse kjo është makina e ministrit dhe do ta shikoni pasojat cfarë do të ndodhë me ju.

Pas kësaj histori agjentët e antidrogës janë arrestuar dhe larguar nga policia. Kulmi!  Fitoi Audi me targa AA 003 GB!

SHKARKO APP