Hapet më 4 qershor, Veliaj: Kopshti zoologjik, i jashtëzakonshëm!

Bashkia e Tiranës nuk ndalon në projektet e saj në shërbim te qytetarëve. Kopshti i ri Zoologjik do të hapë dyert të shtunën e 4 Qershorit, në mesditë, me një sërë surprizash për fëmijët e Tiranës, që do ta kthejnë vizitën në një eksperiencë të bukur për ta. Kopshti Zoologjik është konceptuar si një hapësirë ndryshe, jo vetëm për t’u njohur me kafshët, por edhe për të mësuar gjëra të reja për to në klasa të posaçme.

Vizitorët e sotëm të Kopshtit Zoologjik, pikërisht në Ditën e Fëmijëve, ishin fëmijët e familjeve frekuentuese të qendrave sociale dhe të Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, të cilët së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, panë detajet e fundit, para hapjes së madhe në 4 Qershor. Gjatë vizitës së tyre, Veliaj u shpjegoi fëmijëve si do funksionojë Kopshti Zoologjik në përditshmëri.

“Në Kopshtin e ri Zoologjik do të kemi shumë aktivitete, madje mund të kalosh edhe natën në tenda mes kafshëve; mund të festojmë ditëlindjet, kemi klasat mësimore që mund të rezervohen, si klasa e biologjisë, e diturisë së natyrës dhe e zoologjisë, mund të zhvillohen praktika studentore për Universitetin Bujqësor të Tiranës, e shumë të tjera. Do të jetë vërtet një eksperiencë e jashtëzakonshme për fëmijët, ndaj mezi po e pres ditën e shtunë, kur do të bëjmë hapjen e madhe. Qyteti ka fituar një xhevahir të jashtëzakonshëm! Shumica e kafshëve ka ardhur, po presim majmunët e racës lemur dhe kafshë të tjera që janë rrugës. Ndërkohë, dy luanë dhe një tigër tashmë kanë ardhur dhe ende po ambientohen me territorin, duke qenë se kanë ndryshuar vendbanimin”, tha Veliaj.

Ai ftoi fëmijët dhe prindërit që të vijnë ditën e shtunë në mesditë për hapjen e madhe sepse do të shohin një filozofi krejt tjetër, qoftë në hapësira, qoftë në trajtimin e kafshëve. Veliaj theksoi se ky investim i jep Tiranës jo thjesht një Kopësht të denjë Zoologjik, aq të dashur për fëmijët, por i rrit edhe vlerën pronave përreth.

SHKARKO APP