“Integrimi në BE ka mbetur rrugëve” (FOTO)
“Integrimi në BE ka mbetur rrugëve”, është mesazhi i banorëve të Matit. Banorët e zonës së Matit dhe drejtuesit e mjeteve kanë bllokuar rrugën kombëtare Peshkopi-Burrel për të protestuar.
Protesta është zhvilluar në vendin e quajtur Kthesa e Cërujës në Klos. Shkak për të këtë protestë është dëmtimi i këtij aksi, pasi sipas tyre nuk është vënë dorë asnjëherë për riparimin e saj. Me pankarta që lexojnë “Ku janë investimet?”, “Integrimi në BE ka mbetur rrugëve”, ata kërkojnë vëmendjen e shtetit.
Mbi këtë protestë ka reaguar edhe deputetja e PD-së, Dhurata Çupi. Në facebook, ajo shkruan se revolta e tyre nuk do të ndalet, pasi do të vazhdojnë t’i kërkojnë llogari qeverisë.
”Varfëria deri në skamje, mungesa e investimeve dhe lënia e infrastrukturës në kushte mizerabël sollën revoltën legjitime të tyre. Mbështetja për ta nga Partia Demokratike do të vijojë gjithmonë pasi duket qartë se qeveria e fasadës vijon talljen me ta. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më”,-shkruan Çupi.
Nga ana tjetër, Çupi thotë se ky është vetëm fillimi. ”Beteja jonë për kthimin e syve nga shqiptarët do të vijojë cdo ditë dhe kudo në cdo shesh apo rrugë. Beteja në krah të qytetarëve është betejë për të ardhmen. Matjanët duhet ta dinë që do të jemi me ta në cdo reagim apo revoltë kundër kësaj qeverie”.
KOHA JONË SONDAZH

