Izolimi total, pensionistët: Duan të na vdesin. Nuk na vjen njeri në shtëpi

Tirana në shtetrrethim

Urdhri i ri i qeverisë “Rama” për izolimin e qytetarëve me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit ndalon daljen nga shtëpia të pensionistëve, duke nisur nga sot, pas orës 13:00. Rregullat e reja që po aplikohen janë të ashpra se të Italisë dhe janë ngjashme me ato që ka marrë Kina për të frenuar koronavorusin. Sipas urdhrit vetëm një familjar mund të dalë për pazare, ilaçe e shërbime. Por dhe ai që do të dalë duhet të ketë autorizim të marrë online tek e-Albania, ku të saktësojë orën e lëvizjes dhe ditën. Nuk lejohet më shumë se një orë, në të kundërt ka gjoba.

Për familjet me shumë anëtarë duhet thënë se kjo masë, në kushtet e emergjencës nuk është fundi i botës. Problemi është te pensionistët që jetojnë vetëm, të cilët nuk janë të paktë në Shqipëri.

Vetë të moshuarit e shohin këtë masë jo thjesht si të ashpër, por një vendim ekstrem që mund t’u kushtojë shtrenjtë. Në këtë mënyrë ata mund të shpëtojnë nga koronvairusi, por a mos rrezikojnë të mbeten pa ushqime dhe içale.

Për mikrofonin e Report Tv pensionistët thonë se nuk kanë marrë shërbime nga shteti në banesë.

Disa të moshuar thonë se janë përpjekur edhe këto ditë të komunikojnë në numrin e gjelbër për situatën ndaj COVID-19 për të marrë ndihmë por askush nuk i është përgjigjur dhe askush nuk i ka trokitur në derë.

“Shumë e mirë por t’i shërbejnë ashtu siç duhen, se ne marrim njerëzit tek 0800… nuk del njeri, plehrat janë sheshit. S’kam asnjëri jam vetëm, i kam të gjithë jashtë, ja kam dalë tani, një herë një gjë një herë një gjë. Duhet patjetër të zgjidhet ky problem”, shprehet një zonjë.

“Jam 75 vjeçe, burrin e kam të sëmurë, jo që nuk vinë por nuk na japin as numër telefoni as një lloj ndihme. Del kryeministri atje llap-llap , ato duhen me na vdek ne se s’ka mundësi, na thotë online, ku marrim vesh ne. Le që s’kam internet në shtëpi. Nëse ju gazetarët do vini dorë për ne, unë pothuajse çdo ditë dal, zoti ju shpëtoftë. Nuk vjen njeri tek dera, Gjermania sa bukur e ka bërë, kush ka nevojë çfarë do, çfarë nuk do. Hajdeni online thotë ai, shko shkruaj atje çfarë dua unë. Ju gazetarët duhet t’i bëni, ju gazetarët mos shikoni të majtë e të djathtë se jeta një është. Ka njerëz që nuk kanë bukë të hanë”, shprehet një pensioniste për Report Tv.

Skema e ushqimeve në banesë deri më sot ka funksionuar si propagandë, por jo zgjidhje reale. Bie fjala, Sekretari i PS-së Taulant Balla publikon çdo ditë foto me ushqime që u çohen pensionistëve në Elbasan. Por në këtë qytet ka tre ditë që banorë, pensionistë dhe përfaqësues të komunitetit romë protestojnë për bukën e gojë. Në Durrës, po ashtu sot kishte protesta të banorëve që e thonë në mënyrë më të drejtpërdrejtë, “nuk kemi bukë të hamë”.

Izolimi ka nisur që nga data 9 mars duke ashpërsuar gjithnjë e më shumë masat. Protestat për bukën e gojës nuk janë me shprehje figurative, por një dëshmi prekëse me të cilën shqiptarët po ndeshen çdo ditë.

Imitimi i modeleve të Italisë dhe shteteve të tjera për ruajtjen e shëndetit është diçka pozitive, por ka një ndryshim thelbësor me Shqipërinë. Në këto shtete ndihma ekonomike dhe ushqime bazë nuk kanë munguar. Nuk kanë munguar as ndihmat për biznesin që qëndron mbyllur. Në Shqipëri me shumicë për qytetarët janë vetëm urdhrat e izolimit dhe gjobat. Pjesa tjetër e historisë është ajo që deklarojnë vet pensionistët: “Po na mbyllin duke na lënë të vdesim”.

SHKARKO APP