Ja zyrtarët që kanë përgjegjësi ligjore për sigurinë në Rinas
Janë të paktën 11 drejtues institucionesh që kanë përgjegjësi ligjore për sigurinë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
Një vendim i qeverisë “Berisha” në vitin 2008, ka miratuar ngritjen e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili ngarkon drejtuesit e të paktën 11 institucioneve që të merren në mënyrë specifike me kërcënimet e sigurisë.
Sipas vendimit, ky institucion duhet të zhvilloj mbledhje periodike dhe të merrnin masa për çdo raste.
VENDIM Nr.74, datë 2.2.2011 PËR KRIJIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KOMITETIT KOMBËTAR TË SIGURISË SË AVIACIONIT CIVIL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 4 e 5 të nenit 106 të ligjit nr.10 040, datë 22.12.2008 “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
- Krijimin e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, me qëllim bashkërendimin dhe zbatimin e masave të sigurisë në aviacionin civil.
- Ky komitet të kryesohet nga drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe në përbërje të
ketë:
– drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit zëvendëskryetar;
– drejtorin e Përgjithshëm të Doganave anëtar;
– drejtorin e Kufirit, në Policinë e Shtetit anëtar;
– drejtorin e Përgjithshëm të Aeroportit anëtar;
– një përfaqësues të operatorëve të shoqërive ajrore anëtar;
– drejtorin e Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror (ANTA) anëtar;
– drejtorin e Aeroporteve dhe Sigurisë së Aviacionit Civil (AAC) anëtar;
– komandantin e Forcave Ajrore anëtar;
– drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile (MB) anëtar;
– shefin e Shërbimit të Kërkim – Shpëtimit (SAR/MM) anëtar;
– drejtorin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKSHI/MITIK) anëtar. Sekretari i Komitetit, jurist, anëtar teknik pa të drejtë vote.
- Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Aviacionit Civil, me qëllim bashkërendimin e masave në aviacionin civil, ka këto detyra dhe përgjegjësi:
- a) Këshillon autoritetin përgjegjës për sigurinë në aviacionin civil lidhur me masat e nevojshme ndaj kërcënimeve kundrejt këtij aviacioni dhe subjekteve të tij.
- b) Zhvillon dhe zbaton masat e sigurisë në bazë të një rishikimi konstant dhe rekomandimeve për ndryshim të masave të sigurisë, sipas informacioneve për kërcënime dhe akte të jashtëligjshme ndaj aviacionit civil, bazuar ne teknikat e reja të sigurisë në aviacionin civil, dhe faktorëve të tjerë.
- c) Siguron bashkërendimin ndërmjet autoriteteve përgjegjëse, për aspekte të ndryshme të sigurisë në aviacionin civil, lidhur me zbatimin e Programit Kombëtar të Sigurisë, në varësi të llojit të kërcënimit.
ç) Jep mendim për aspekte të sigurisë, gjatë procesit të projektimit të aeroporteve te reja apo gjatë zgjerimit të atyre ekzistues.
- d) Mbikëqyr zbatimin e standardeve dhe rekomandimeve ndërkombëtare, në përputhje me aneksin.
17 (Siguria), dokumentin 8973 (Manuali i sigurisë), të ICAO-s, Dokumentin 30 të Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC), rregulloret e Komisionit Evropian për sigurinë dhe me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë.
- dh) Harton listën e pikave të dobëta të zonave të kufizuara të sigurisë dhe kryen përditësimin dhe rishikimin e kësaj liste.
- e) Organizon vëzhgimin e sigurisë në aeroporte në mënyrë periodike.
- Autoriteti i Aviacionit Civil, në çdo rast, paraprakisht, i njofton zyrtarisht Komitetit variantet në fuqi të aneksit 17, të ICAO-s, dokumentit 30 të ECAC -së, rregulloreve të Komisionit Evropian për sigurinë apo të dokumenteve të tjera ndërkombëtare.
- Në mbledhjet e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil ftohen të marrin pjesë si anëtarë këshillues, pa të drejtë vote, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, që merren me çështje të administrimit të kufirit, misioni i asistencës doganore për Shqipërinë, si dhe misioni i asistencës policore të Bashkimit Evropian për Shqipërinë.
- Në mbledhjet e Komitetit ftohen dhe përfaqësues të subjekteve që ushtrojnë veprimtari në aeroporte. Në të gjitha rastet, është i detyrueshëm identifikimi i personave që do të marrin pjesë në mbledhje.
- Komiteti Kombëtar i Sigurisë së Aviacionit Civil mblidhet rregullisht 4 (katër) herë në vit dhe, në raste të veçanta, me kërkesën e 1/3 të anëtarëve dhe me miratimin e kryetarit e të zëvendëskryetarit të këtij komiteti. Anëtarët këshillues nuk kanë të drejtën e thirrjes së mbledhjes.
- Data, ora dhe rendi i ditës së mbledhjes u njoftohen, me shkrim, anëtarëve të Komitetit të paktën 10 ditë përpara mbledhjes.
- Rezultatet e mbledhjes së Komitetit u shpërndahen anëtarëve të tij, me shkrim, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga data e përfundimit të mbledhjes.
- Mbledhja e Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil regjistrohet në audio dhe zbardhet nga sekretaria e këtij Komiteti.
- Dokumentacioni dhe materialet e përdoruara arkivohen.
- Ngarkohen institucionet e përfshira për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
KOHA JONË SONDAZH

