Java teknologjike Tirana-Tel Aviv, kryeqyteti pret mbi 40 kompani dhe investitorë izraelitë në fushën e inovacionit

Mbi 40 kompani lider në fushën e teknologjisë do të vijnë në kryeqytetin shqiptar. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Shqiptare, Ambasadën e Izraelit në Shqipëri dhe Ambasadën e Shqipërisë në Izrael, në datat 20 – 22 Mars 2023, do të organizojë “Javën e Teknologjisë Tirana-Tel Aviv”.

Në këtë organizim, në qendër të të cilit është teknologjia dhe inovacioni, do të jenë të pranishëm rreth 40 kompani lider si dhe investitorë potencialë nga Izraeli, nga fusha si Cybertechnology, Insure-Tech, FinTech, Agri-Tech, Startups dhe Scaleups.

Eventi synon njohjen e sipërmarrësve izraelitë me eko-sistemin vendas të teknologjisë dhe informacionit dhe kompanitë shqiptare lider në fushat e lartpërmendura, si dhe krijimin e urave të bashkëpunimit mes kompanive. Pjesëmarrja nga pala shqiptare do të përfshijë përfaqësues të institucioneve të qeverisjes qendrore dhe lokale, përfaqësues nga biznese të ndryshme, si sektori bankar, sektori i sigurimeve, agro-përpunimit, turizmit, shërbimeve dhe industrive përpunuese, si dhe përfaqësues nga institucionet akademike të arsimit të lartë.

“Java e Teknologjisë Tirana-Tel Aviv” do të jetë e hapur edhe për individë apo kompani shqiptare të cilat mund të regjistrohen në adresën e-mail: trn-tlv@tirana.al

SHKARKO APP