Jorida Tabaku: Shumë politikanë në pritje për njoftimin e radhës nga SPAK
Nga Jorida Tabaku
Taksa e Korrupsionit!
Gusht ndryshe për politikën shqiptare që përgjithësisht përgjumet e qetësohet gjatë këtij muaji. Ndryshe sepse shumë politikanë kanë qenë në pritje për njoftimin e radhës nga SPAK. Duke filluar me ish-Zv kryeministrin, ministrin e financave dhe ministër i shumë punëve të arta në qeveri u zhduk nga vendi pak përpara se të pritej fletë arresti për vjedhjen e shekullit prej 430 milion euro. Më tej sekuestro e inceneratorit të Tiranës që e bën edhe më të dukshme përfshirjen e kryebashkiakut Veliaj, ish-ministrit Gjiknuri edhe jo vetëm në po të njëjtën aferë.
Ndërsa bujqësia mezi tërheq këmbët e zvarritet një hetim i OLAF dëshmon se paratë e taksapaguesve europianë janë keqpërdorur (ka akuza për korrupsion për të qenë më të saktë) AZHBR dhe jo vetëm. Imagjinoni taksat e shqiptarëve që shkojnë për bujqësinë?! Më pas afera e sterilizimit që ka nxjerrë nga buxheti i shtetit 100 milion euro të tjera nga taksat. Në një përllogaritje të thjeshtë koncesionet marrin nga buxheti i shtetit gati 20% të buxhetit të shëndetësisë. Në vitin 2020, në pikun e situatës së COVID, ato morën nga buxheti 100 milion euro gjithashtu. Përllogaritjet e buxhetit flasin se koncesionet edhe PPP-të të firmosura nga qeveria socialiste marrin nga buxheti 34% më shumë fonde se sëmundjet e kancerit.
Këto tre shembuj janë domethënës dhe mund të pasurohen me shumë të tjerë për të arritur në një konkluzion të qartë si drita e diellit: Taksa e korrupsionit që kjo qeveri i ka vendosur shqiptarëve është më e larta në historinë e Shqipërisë demokratike. Që të jemi të qartë, taksa e korrupsionit për fatin e keq është një taksë që shqiptarët e kanë paguar në demokraci, por ndryshimi është që në këto 10 vite qeverisje socialiste kjo taksë është progresive. Edhe vitin e ardhshëm buxhetet e familjeve shqiptare do të goditen nga rritje të njëpasnjëshme taksash, që janë tërësisht socialiste dhe paguhen nga xhepi familjeve shqiptare që kjo mazhorancë të mbushë buxhetin e shtetit dhe më pas taksat t’i përdorë për qoka koncesionesh korruptive. Ky është një fakt ndërkombëtar përderisa raporte nga Transparency International deri tek Departamenti Amerikan i Shtetit por edhe arrestimet e fundit të SPAK për projekte që kjo mazhorancë i ka mbrojtur në parlament sy shqiptarëve, flasin për shtetin e kapur nga korrupsioni.
Taksimi progresiv i korrupsionit i varfëron shqiptarët progresivisht. Shihini të dhënat;
1 në 3 shqiptarë jeton me më pak se sa 5 USD/ditë ndërkohë që 30% e tenderave jepen pa garë.
1 në 3 shqiptarë është informal në punën e tij ndërkohë që 30-35% e GDP është e pjesa e sektorit informal në ekonomi.
Me nivelin më të lartë të pabarazisë, me një shtresë të mesme gjithnjë e më shumë në zhdukje ndërkohë me nivelin më të lartë të PPP dhe Koncesione që shkojnë sa 50% e PBB në vlera kontraktuale.
Më të varfër, më të taksuar dhe më të korruptuar. Receta perfekte për një shoqëri në varfërim progresiv prej taksës progresive të korrupsionit.
Në këto kushte, ku taksa e korrupsionit është kthyer në barrë të rëndë për çdo familje qoftë kjo socialiste apo demokrate apo dhe e pavarur, zgjidhja kush mbetet?
Çfarë mund të bëjmë ne përballë kësaj sfide që është jetike?
Çfarë mund te bëj unë kur korrupsioni, mungesa e shpresës, dëshpërimi dhe besimi në rënie te politika sot po largojnë masivisht të rinjtë!
Po sikur ta nisim nga dy premisa? Së pari, nga premisa e angazhimit për të kthyer luftën kundër korrupsionit në një prioritet kombëtar. Gjithçka sot është e manipuluar nga dora e zezë e korrupsionit, në çdo taksë socialiste fshihet hija e zezë e një takse për arsye korruptive.
Për t’iu përgjigjur kësaj situate rruga është një betejë prioritare ndaj korrupsionit. Jo me logo! Jo me sajesa propagandistike si ajo e “bilbil fryrësve” që zgjasin sa ëndrrat e një nate vere e që kanë përfunduar në faqe interneti ku aplikojnë as 10% e shqiptarëve. Përkundrazi! Angazhim politik i qartë.
Së dyti, ky angazhim politik duhet të nisë nga parlamenti që ka për detyrë (siç edhe thuajse 50% e shqiptarëve besojnë) të kryejë kontrollin ndaj qeverisë. Në kuvendin e Shqipërisë ka një paketë projektligjesh anti-korrupsion që synon të forcojnë transparencën e institucioneve, rritje e përgjegjësisë personale, forcimi i kontrollit të raporteve financiare si dhe rritje e luftës kundër pastrimit të parave.
Shihini arrestimet e SPAK, të gjitha janë afera të denoncuara bashkërisht nga media dhe Partia Demokratike. Pra, me aq pak transparencë dhe sot kemi përpara përgjegjësisë ministra, zyrtarë të lartë dhe njerëz që janë marrë me koncesionet. Po sikur të kishim më shumë transparencë? Më shumë llogaridhënie?
Kompanitë që kanë fituar këto koncesione apo dhe PPP janë me pronarë përfitues individë që nuk kanë asnjë aftësi të jashtëzakonshme për t’i fituar. Zgjuarsia apo më saktë, cilësia e tyre e vetme është miqësia me zyrtarët e lartë. Kështu, ata me duar në xhepa, me bilance të falsifikuara dhe me kapital qesharak kanë mundur të shtien në dorë kontratat qindra milionë euro nga taksat që rriten progresivisht për shqiptarët. Imagjinoni sikur të kishte më shumë kontroll dhe transparencë për raportet e tyre financiare, sikur të kishte më shumë vëmendje për të ardhurat dhe burimin e tyre nga qeveria?! Natyrisht situata do të ishte më ndryshe.
Këto dy hapa të parë janë një fillim i mirë, në gjykimin tim, dhe i duhur për të dalë nga rrengu i një mazhorance që përpiqet të thotë atë që nuk bën ndërkohë që bën të kundërtën e asaj që thotë.
Nuk do ta shërojë Shqipërinë tonë as rritja e turizmit, as propaganda e fasadës pasi nuk do të ofrojë rritje ekonomike asnjë sektor nëse korrupsioni vazhdon të prodhojë këtë varfëri progresive. Shembulli më i mirë mbetet bujqësia, rritja e saj as 2% në katër vite korrupsioni ndërkombëtsridht i faktuar! Tranzicioni do të përfundojë kur Shqipëria qartesisht të ndajë rrugën nga e shkuara; nga politika e shkuar nga korrupsioni, nga mënyra e shkuar se si bëheshin gjërat! Vetëm duke e rrëzuar këtë sistem të ngritur, i cili fatkeqësisht ka rrënuar besimin në institucione; vetëm duke kuptuar që krejt e ardhmja do të varet nga mënyra se si sot sillemi e çfarë ndërtojmë, se si veprojmë me të mirën private dhe publike. Si sillemi me pushtetin e se si vendosim të ndryshojmë stato quo-në atëherë besoj mund te flasim për rrugëtim drejt Europës!