Kokëdhima: Importi i mbetjeve, kosto e panevojshme për socialistët. Jam pjesë e së majtës

Politikani dhe botuesi Koço Kokëdhima deklaroi se ligji i miratuar nga Kuvendi, që lejon importin e mbetjeve, është i panevojshëm dhe një kosto e pamerituar për Partinë Socialiste dhe socialistët. Duke folur në një intervistë në emisionin “Oktapodi” në “Vizion Plus”, Kokëdhima tha se, “ka 15 vite që aktivistët dhe veprimtarët e mbrojtjes së mjedisit luftojnë për ta mbrojtur Shqipërinë nga një synim konstant i ekomafias për ta shfrytëzuar Shqipërisë si një vend për depozitimin e plehrave.

“Ka pasur projekte ndër vite për ta kthyer Shqipërinë në një vend depozitimi. Ka patur një përpjekje në vitin 2004 për të ngritur një impiant në Kashar. Situata dhe niveli i institucioneve dhe aftësia e tyre i japin akoma më shumë të drejtë shqetësimit të shoqërisë civile”, u shpreh politikani Kokëdhima.

Më tej, ai vlerësoi se për mënyrën dhe kohën kur u bë, ligji që mundësoi importin e mbetjeve, është i panevojshëm. “Ky ligj është i panevojshëm për mënyrën dhe kohën si u bë. Është një kosto e pamerituar për PS-në dhe socialistët kalimi i këtij ligji. Unë e kam shpjeguar edhe këto ditë. Ligji për importin e mbetjeve nuk ka asnjë lidhje organike me ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Nëse qeveria do të bëjë një ligj për importin e mbetjeve duhet ta bëjë të veçantë dhe jo të përzjerë me ligjin e manaxhimit të integruar të mbetjeve, që është problem i shëndetit dhe i jetëve tona”, nënvizoi Kokëdhima.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kokëdhima përmendi se ai ka qenë gjithmonë pjesë e luftës për të mos lejuar importin e mbetjeve. “Kam qenë gjithmonë pjesë e kësaj lufte, jam edhe sot në gjyqe, në shkallën e dytë në Romë, ku biznesi i dëmtuar nga mosimporti më ka paditur dhe kërkon 5 milionë euro. Sipas tyre ne nuk kishim të drejtë të mbronim të drejtën dhe tokën tonë. Nuk ka mbaruar përpjekja e mafias për të depozituar në Shqipëri mbetje të rrezikshme dhe jo të rrezikshme”, tha politikani socialist.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ligji kaloi, por kjo çështje nuk ka mbaruar. Shoqëria dhe ambientalistët nuk do të ndalojnë. Unë do t’i mbroj dhe gjithmonë kam dhënë mendimin për këtë çështje”, tha Kokëdhima.

Reforma në PS

Politikani Koço Kokëdhima vlerësoi se është e nevojshme të rajonizohet Partia Socialiste. “Reforma e bërë në Partinë Socialiste në qarkun e Vlorës e tre-katërfishoi partinë. Planin e veprimit e kemi miratuar në PS më 6 nëntor 2015 dhe kemi realizuar gjithë këtë përtëritje në katër muaj, në 30 ish-bashki. Janë 23 mijë anëtarë të Partisë Socialiste që strukturuam në qarqet Vlorë e Gjirokastër dhe këta nuk ishin kushërinjtë e mij”, u përgjigj Kokëdhima.

Ai shtoi se, në çdo bashki u ngrit një rrjet që regjistronte dhe raportonte në një sistem elektronik dhe shqetësimet ju përcilleshin instancave.

“Ne bënim 20 mijë komunikime me qytetarët, padyshim që drejtoheshin deri në fund dhe merrnin një zgjidhje”, shpjegoi Kokëdhima.

Kokëdhima deklaroi se nuk ka synuar dhe nuk synon postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Socialiste, që mbahet aktualisht nga Gramoz Ruçi. “Unë di të flasë vetëm me një mënyrë. Kur flas përpara qytetarëve, unë raportoj të vërtetën time. Asnjëherë nuk kam pasur as mungesën më të vogël të respektit apo mbështetjes ndaj zotit Ruçi dhe kolegëve të tjerë. Kjo është natyra ime përgjithmonë, nuk kam pasur asnjë keqdashje”, tha Kokëdhima.

Ai sqaroi se “nuk ka ekzistuar asnjë interes për postin e sekretarit të përgjithshëm të PS-së”. “Këto janë spekulime keqdashëse nga njerëz të përfshirë në politikë, të cilët e kanë kulturë të krijojnë probleme mes njerëzve dhe të bëjnë shpifje edhe aludime. Për postin e sekretarit të përgjithshëm, as nuk kam patur, as nuk kam, as nuk do të kem ndonjëherë synim”, tha politikani i majtë. “Kam qenë i vetëdijshëm që reforma do të krijonte debate dhe kundërshti, sepse ndryshonte rendin e funksionimit. Këto lloj reformash goditen me zjarr nga përfituesit e mëparshëm dhe nuk mbrohen me zjarr nga përfituesit e rinj”, tha Kokëdhima.

Përgjigja për Shpëtim Gjikën

Politikani Koço Kokëdhima, në intervistën e tij në “Vizion Plus”, foli edhe për akuzat ndaj tij nga Shpëtim Gjika, ish-kryetar i bashkisë së Vlorës. “Gjika nuk bën gabim që më sulmon, sepse është punë me përfitim të më sulmosh mua, me përfitim dhe jo vetëm politik. Padyshim që reforma kishte për qëllim ta nxirrte strukturën politike që ishte katandisur si bisht i kryetarëe të bashkive dhe ta çlironte. Më parë ishte një Asamble, që në masën 70-80 % ishte e punësuar në bashki. Ajo parti ishte e inekzistente për tyë përfaqësuar opinionin publik dhe mendimet e qytetarëve. Ne ia hoqëm atë parti Shpëtimit dhe të gjithë Shpëtimëve ua kthyem qytetarëve në Vlorë dhe në bashkitë e tjera”, u shpreh Kokëdhima.

Politikani i majtë sqaroi edhe sulmet e një deputeti të qarkut të Vlorës, duke shpjeguar se reagimi i tij ishte i lidhur me ato që ai i cilësonte si heqje e kompetencave. “Sa për sulmin e një deputeti, ky deputet fliste për tavolina se Koço është hajdut dhe mua më thanë. Një ditë ishim të ftuar për një drekë, ishim 5–6 deputetët me kryeministrin. Unë mora fjalën e ju drejtova: Pse thua se jam hajdut? Më thuaj ndonjë rast që unë kam vjedhur? Ai u bë keq dhe më tha: Më ke vjedhur kompetencat”, tha Kokëdhima.

Takimet me Ramën

I pyetur nga gazetari i “Vizion Plus”, Turjan Hyskaj, politikani dhe botuesi, Koço Kokëdhima tha se do të punojë gjatë gjithë jetës me socialistët. Kokëdhima u shpreh se ishte pjesë e Partisë Socialiste dhe takohej rregullisht me kryeministrin Edi Rama. “Jam takuar rregullisht me zotin Rama, jam takuar çdo muaj”, tha Kokëdhima. Ai shtoi se do të punonte me socialistët e të majtën dhe ishte shumë dashamirës me Lëvizjen Socialiste për Integrim. “Jam pjesë e Partisë Socialiste”, u përgjigj Kokëdhima, pas këmbënguljes së gazetarit Hyskaj.

“Do të lë gjurmën time në politikë”, tha Kokëdhima, duke shtuar se kishte punuar në 6 zgjedhje për të majtën.

“Unë jam i majtë i deklaruar, kam zbatuar politikën e të majtës gjithmonë, jam ithtar i Partisë Socialiste. Unë jam socialist dhe nuk mund ta vendos në dyshim asnjë nga ata pseudo-socialistët. Nuk do të largohem nga politika, do të lë gjurmët e mia në politikë. Me Ramën do të bashkëpunoj dhe me të tjerët, pasi kjo është detyra ime”, tha Kokëdhima.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?