Kreshnik Spahia: Duelin Kim-Rama do e fitojë ambasadorja. Do të ketë nongrata nga PS, ministra dhe ish-ministra!
Beteja Kim-Rama vazhdon. Juristi Kreshnik Spahiu e konsideron një shantazh diplomatik, njoftimin e publikuar disa ditë më parë nga Ministria e Jashtme, ku thuhej se kishin nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores amerikane, Yuri Kim.
Në një intervistë për Euronews Albania, Spahiu u shpreh se njoftimi nuk ishte një rastësi.
Sipas tij, kjo u konfirmua nga vetë Yuri Kim, e cila tha se do të qëndrojë më gjatë në vendin tonë.
“Fatkeqësisht, Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, mori kompetencat e Departamentit amerikan të Shtetit, në kapërcim të kompetencave ligjore dhe në thyerje të etikës diplomatike. Ministria e Jashtme e Republikës së Shqipërisë u mor me afatet e mandatit të ambasadores amerikane. Ky ishte një skandal që nuk kishte ndodhur në kohën e Enver Hoxhës. Edhe Enver Hoxha u jepte drejtim ose i mbyllte fare marrëdhëniet diplomatike, por nuk thoshte, të merrej me emërimin dhe shkarkimin e ambasadorëve të huaj.
Me tej Kreshnik Spahia theksoi se beteja mes ambasadores Kim dhe kryeministrit Rama lidhet me frikën që ka qeveria dhe mazhoranca nga dosjet e korrupsionit. Ambasadorja synon një SPAK të pavarur dhe që të ndëshkojë zyrtarët më të lartë, shtoi Spahia për Euronews Albania.
Në lidhje me informacionet mediatike se do të ketë nongrata te tjerë nga Uashingtoni (SHBA), ai tha se do të kenë zyrtarë të lartë nga PS, si ish-ministra dhe ministra.