Kryemadhi: LSI, program për të ndalur largimin e të rinjve nga vendi

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka vizituar sot në Lezhë ambientet e punës së disa të rinjve. Në një mesazh në rrjetet sociale, Kryemadhi shkruan se klasa politike duhet të krijojë mundësinë që të rinjtë të mos largohen nga vendi, por ta shohin të ardhmen e tyre këtu.

“Sot gjatë takimeve të mia me qytetarë të qarkut të Lezhës, disa të rinj më ftuan të shkoja në vendin e tyre të punës në Patok. Ishte kënaqësi të shikoje Anxhin, Vasilin, Xhulion dhe shokët e tyre gjatë procesit të punës. Të rinj plot talent dhe dashuri për profesionin e tyre të kuzhinierit. Duarartë dhe plot fantazi, por më dëshpëroi kur dëgjova se ata mund të iknin në Gjermani. Ne, klasa politike, duhet të bëjmë gjithçka për t’i krijuar mundësitë, që këta të rinj të zhvillojnë profesionin e tyre në Shqipëri, në shtëpinë e tyre. Duhet të ulim taksat për bizneset që punësojnë të rinjtë. Duhet të subvencionojmë punën e të rinjve dhe bizneset e tyre. LSI ka një program të qartë për të ndaluar hemorragjinë e rinisë, largimin e tyre nga vendi”,- shkruan Kryemadhi në mesazhin e saj në Facebook.

SHKARKO APP