Kryemadhi me votuesit për herë të parë në Fier: Projekti ynë, “Mëso e Fito”, më shumë mundësi për të rinjtë

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në një takim që zhvilloi pasditen e sotme me votuesit për herë të parë në Fier theksoi se projekti i LSI-së, “Mëso e Fito” krijon më shumë mundësi për të rinjtë në Fier dhe gjithë Shqipërinë.

“Sot në kuadrin e dixhitalizimit të çdo gjëje, sot janë bërë të rinjtë edhe asocialë. Ne nuk mund ta kthejmë jetën tonë në çdo gjë dixhitale dhe virtuale. Komunikimi njerëzor na bën më socialë, më jetësorë. Ashtu sikurse nuk mund të rritet fëmija me dashurinë  e prindit në kontakt virtual. Dhe mendoj që ne duhet të socializojmë rininë e Fierit, sidomos gjimnazistët. Dhe socializimi i tyre nuk vjen thjesht duke u përfshirë në projekte politike, socializimi vjen duke u përfshirë në vendimmarrje, gjë që është shumë më e rëndësishme. Dhe ajo që mendoj, që ne e kemi pjesë të programit, krijimi i hapësirave për të rinjtë dhe për të rejat, jo thjesht në kuadrin politik, por në kuadrin edhe shoqëror, kulturor, por edhe arsimor.

Bashkë me Kejdin kemi folur dhe kemi një eksperiencë shumë të mirë me të rinjtë e Fierit. Kristiani sot është pedagog në universitet dhe kjo nuk ka ardhur si rezultat i suportit politik, përkundrazi ka ardhur si rezultat i angazhimit të tij, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në aspektin e përfshirjes në jetën studentore, gjë e cila e bën që të njohë problematikat jo vetëm të universitetit, por edhe metodologjinë që ka të bëjë me pedagogjinë dhe mësimdhënien. Ashtu sikurse ka shumë pedagogë të tjerë në universitet. Prandaj them që mundësitë e përfshirjes së të rinjve të Fierit janë shumë të mëdha, jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në përfshirjen në shkencë, bujqësi, blegtori e shumë fusha të tjera. Ne kemi shumë njerëz që janë angazhuar në LSI, që kanë punuar fort për programin e bujqësisë në LSI, apo në aspekte të tjera që kanë të bëjnë me arsimin, punësimin e të rinjve, projektin “Mëso dhe fito” që ka ardhur si rezultat i një grupi mësuesish apo edhe vetë të rinjve.

Mendoj që është një gjë shumë e mirë dhe puna që ne jemi fokusuar jashtëzakonisht shumë tek votuesit për herë të parë, sepse votuesi për herë të parë është sot targeti kryesor për t’u larguar nga Shqipëria. Po të pyesësh sot të gjithë maturantët kudo që janë, çfarë do të thonë? Duan të ikin nga Shqipëria. Nuk kanë asnjë mundësi. Dje isha në Bradashesh, dhe një profesor më tha: Na thonë nxënësit që ne po mësojmë, por problemi është që çfarë do bëhemi ne kur të rritemi. Kështu që nuk është problemi çfarë do bëheni ju, problemi është cili është kontributi ynë në familje, në shoqëri, në ndërtimin e shtetit, në strukturimin she forcimin e shtetit dhe në krijimin e hapësirave për të pasur një punë të mirë dhe të mirëpaguar”, u shpreh Monika Kryemadhi.

SHKARKO APP