Kryemadhi: T’i krijojmë mundësinë të rinjve të rikthehen në Shqipëri
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ndodhet këto ditë në SHBA. Në një intervistë dhënë për “ALBTV USA”, kryetarja e LSI-së ka folur takimet me përfaqësuesit e institucioneve amerikane dhe përpjekjet për zgjidhjen e krizës që po kalon vendi.
Në intervistën e dhënë për median shqiptare në SHBA, Kryemadhi ka folur dhe për problemin kryesor me të cilin përballet Shqipëria, largimin e të rinjve.
Pjesë nga intervista e kryetares së LSI
Pyetje: Kohët e fundit ju patët një dakordësi me mazhorancën. A do të thotë kjo se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe do të kemi një dakordësi tjetër për këtë mbas këtij debati të fundit që u zhvillua?
Kryemadhi: Edhe shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe Bashkimi Europian, i kanë vendosur 9 kushte Shqipërisë. Ku kushti parë fillon me miratimin e reformës zgjedhore dhe kushti dytë është implementimi. Dhe ne duhet të fillojmë një proces të realizimit të 9 kushteve të Bundestagut në mënyrë të tillë që Bashkimi Europian të japë një po qoftë edhe me kushte për Shqipërinë. Sepse është ndarja përfundimtare e drejtimit të Shqipërisë drejt perëndimit dhe jo drejt drejtimeve të tjera. Dhe faktikisht i vetmi kusht që ka të bëjë me opozitën është dakordësimi për reformën zgjedhore. Dakordësimi për reformën zgjedhore është e vetmja gjë që ne tashmë e mbyllim të gjithë detyrimin tonë. Jo me shqiptarët detyrimi ynë mbyllet kur Shqipëria të jetë anëtare e BE-së, kur të rrisim ekonominë shqiptare, t’iu krijojmë shqiptarëve më shumë mundësi punësimi, me paga të paguara, për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve sepse kjo është gjëja më e rëndësishme. Unë jam e bindur që pjesa më e madhe e djemve dhe vajzave që janë këtu, të cilët kanë qenë pjesë përbërëse e strukturave të LSI-së, kanë qenë organizatorë të fushatave tona, kanë qenë ‘zemra’ e të gjithë fushatës tonë, mendoj se ndihen shumë më mirë në Shqipëri, shumë më komod dhe mund të jenë shumë mirë në profesionin e tyre. Sepse, një inxhinier mekanik nëse do të ketë një rrogë të mirë paguar në Shqipëri si një evropian i vërtetë normal që nuk do të vijë dhe të jetë emigrant që pret për të marrë dokumentat në SH.B.A. Unë e thash edhe më parë që kjo është një mundësi për shumë gjëra të tjera por ama kënaqësia e profesionit është diçka tjetër sepse nëse këta të rinj dhe të reja kanë duruar deri më tani për të mos ardhur dhe për të mos ikur nga vendi i tyre do të thotë se ata ndihen shumë mirë në Shqipëri. Por situata u bë aq e vështirë sa që ishte çështje e mbijetesës së tyre, nuk ishte më çështje e durimit por ishte çështje e mbijetesës për të fituar kafshatën e gojës.
Pyetje: Me një mazhorancë kaq të fuqishme dhe me një mazhorancë kaq të papërgjegjshme ndaj një opozite, cilado qoftë ajo, sa mund të besoni ju që mund të shkojë Shqipëria në zgjedhje të reja, që ju ta dërgoni vendin drejt zgjedhjeve të reja, të lira dhe të ndershme?
Kryemadhi: Gjithmonë revolucionet popullore kanë ardhur atëherë kur pushtetarit i është dukur vetja i plotfuqishëm, i plotfuqishëm është vetëm Zoti lart në qiell. Të gjithë ne të tjerët jemi shërbëtorë të tij dhe nëse ne nuk e kuptojmë që duhet t’i shërbejmë me devotshmëri qytetarëve tanë, me gabime, pa gabime, me një ndershmëri që në fakt është bërë si një utopi për qytetarët që politikani ka ndershmëri por t’i dhimbset vendi i tij, të bëjë diçka për vendin e tij sepse nesër do të jetë edhe ai një nga pensionistët i cili do të ketë nevojë për sistemin, për shtetin, për sigurinë, për shëndetësinë, për çdo gjë që t’i shërbejë atij. Nuk është paraja ajo që të ndihmon, nuk është pushteti ai që të ndihmon, është sistemi ai që të ndihmon. Nëse ne nuk e instalojmë këtë lloj mentaliteti sigurisht që do të jetë shumë e vështirë për Shqipërinë.
Te diaspora që edhe sot të jetë në gjendje, të jetë aq e afërt për të kontribuar kësaj opozite që siç jeni opozita juaj jashtë parlamentit?
Unë nuk mendoj që diaspora duhet të ndihmojë opozitën por mendoj që diaspora duhet të kontribuojë për shqipërinë dhe opozita, mazhoranca dhe të gjithë faktorët politik duhet ta shohin diasporën jo vetëm si një portofol i një ministri me 3-4 veta por duhet të jetë një institucion i cili i jep dinjitet, i jep krenari diasporës në vendet ku jetojnë sepse këtu çdo shqiptarë që jeton qoftë shqiptarë i Kosovës, i Maqedonisë, i Shqipërisë, Malit të zi apo dhe të tjerave me radhë nuk ka nevojë për shtetin shqiptarë. Shteti shqiptarë ka nevojë për ta dhe ne në qoftë se nuk do ua japim atë që duhet dhe nëse ne nuk do iu rrimë pranë sigurisht që diaspora nuk do ta kthejë më kokën pas.
Pyetje: Znj.Kryemadhi ju vini në SHBA, pas një situate që ka kaluar kohët e fundit Shqipëria. Në pikat e përgjithshme cila është situata sot në vendin tonë?
Kryemadhi: Është ajo që thashë dhe pak më përpara në takim, në kuadrin e sensibilizimit të të gjithë shoqërisë shqiptare, sidomos të brezit të ri që është larguar nga Shqipëria për shkak të mungesës së funksionimit të shtetit, për shkak të mungesës së ofrimit të mundësive për të rinjtë shqiptarë. Shumë të rinj dhe të reja shqiptarë janë larguar drejt Amerikës, Anglisë, Gjermanisë dhe shumë vendeve të tjera dhe pjesa më e rëndë që po e dëmton faktikisht shtetin tonë është palca kurrizore e kombit që janë intelektualë, shtresa e mesme dhe pjesa më e shkolluar e saj. Ne ishim në Michigan, në takimin e parë i cili ishte shumë mbresëlënës por ishte dhe shumë ngacmues dhe ndërkohë ajo që pashë sot këtu ku gati 80% e sallës ishin anëtarë të LSI të cilët kanë qenë pjesë e LRI, më pas pjesë e strukturave drejtuese, të cilët shumë shpejt janë sistemuar dhe janë integruar në jetën e shtetit amerikan. Por kjo është njëra anë e medaljes. Ana tjetër është varfëria që i ndodh çdo ditë e më shumë Shqipërisë, gjë që e dobëson jashtëzakonisht rolin e Shqipërisë jo vetëm në rajon por dhe mundësinë dhe të ardhmen e brezave të rinj që ne shpresojmë që do të rriten dhe do të vazhdojnë për të mbajtur në këmbë identitetin tonë kombëtar. Meqë të vish në Amerikë është e vështirë sepse është goxha larg, ne do të përfitojmë nga rasti për të bërë dhe disa takime të tjera në Uashington, me drejtues të institucioneve të SHBA në mënyrë të tillë për të rakorduar dhe për të ecur përpara me një axhendë që është shumë e rëndësishme për të zgjidhur këtë moment krize të cilën po kalon sot Shqipëria.
Shqipëria ka një hartë shumë të veçantë që është, 9 kushtet e Bundestagut, ku dhe për to janë dhe SHBA, krijimi të cilave dhe hapja e negociatave të Shqipërisë me BE, është e vetmja rrugë e cila mbyll përfundimisht çdo iluzion të çdo interesi tjetër që nuk është pjesë e strategjisë shqiptare. Që janë dy partnerët tanë kryesorë BE dhe aleati ynë i vetëm strategjik, SHBA. Hapja e negociatave e qartëson përfundimisht axhendën e Shqipërisë dhe jetës politike shqiptare. Kushtet në të cilat ndodhet sot rajoni, janë mjaft të vështira dhe integrimi dhe organizimi i gjithë faktorit shqiptar që jetojnë në SHBA, ka të bëjë jo vetëm me sensibilizimin e ngritjes së problematikave por edhe angazhimin e gjithë qytetarëve shqiptar, pra shtetasve shqiptaro-amerikan të cilët nëpërmjet ndikimit të tyre qoftë ndikimit politik, qoftë ndikimit ekonomik, për të detyruar politikën shqiptare, pra ne që në një farë mënyrë kemi arritur të krijojmë këtë lloj konfuzioni politik, për t’i dhënë drejtimin përfundimisht dhe për ta mbyllur njëherë e përgjithmonë tranzicionin. Mbylla e tranzicionit, hapja e negociatave do të kërkojë kapacitete shumë të mëdha njerëzore. Sepse sot Shqipëria vërtet është e gatshme shpirtërisht për të hapur negociatat me BE, por sot Shqipëria nuk ofron kapacitetet njerëzore, intelektuale dhe profesionale për të ofruar dhe për të ecur në gjithë procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Edhe pse BE sot gjendet në kushte shumë të vështira, e vetmja mënyrë e thashë dhe më përpara, dielli në Shqipëri lind nga perëndimi dhe kjo është e vetmja mënyrë që ne të fuqizojmë rolin e Shqipërisë në rajon dhe t’i kthehemi atij stabiliteti që Shqipëria ka krijuar në këto 30 vite të tranzicionit.