Kryeministri Rama “sy m’sy” me komentuesit

Kreu i qeverisë Edi Rama ka vijuar me përgjigjet e pyetjeve që i vijnë nga qytetarë të ndryshëm në rrjetet sociale.

Një prej komenteve ishte një qytetar nga Durrësi i cili i shprehte shqetësimin për mungesën e ujit të pijshëm 24 orë.

Rama tha ndër të tjera se shkop magjik nuk ka, por çfarë është bërë dhe investuar për ujin e pijshëm në tre mandatet e tij nuk është investuar kurrë më parë.

“Ta shpjegoj unë pse Durrësi figuron si zonë pjesërisht e furnizuar me ujë 24 orë dhe pse ke bërë shumë mirë që ma ke dhënë votën në 2013.
Kur ti më dhe votën, kishte a s’kishte 3 orë ujë në ditë gjithandej.
Që kur ti më dhe votën kemi investuar për ujin e pijshëm në Durrës, rreth 60 milionë euro më shumë se të gjitha vitet e tjera të mbledhura së bashku me përfitues banorët e të gjitha njësive administrative të asaj bashkie, ku të mos harrojmë, s’ka pasur kurrë ujë 24 orë se ka rëndësi ta kujtojmë edhe këtë.
Atëherë, ne kemi rindërtuar apo ndërtuar krejt nga e para linjat e ujit të pijshëm në shumë segmente.
Këtu kam shumë, por po të përmend nga lagjja 1, në lagjet 13 plazh, 14 Shkozet, 15 Spitallë, nga Ishmi, sektori Rinia dhe deri në Manëz. Nga Hamallaj, Rashbull, Romanat, Shijak dhe Xhavzotaj dhe si rezultat, sot që flasim, disa zona të qytetit si Spitalla, Porto Romano, një pjesë e Durrësit të ri, ose ish-Këneta, siç e quan bufi, apo zona e Nishtullës, furnizohet 24 orë ujë në ditë dhe ndërkohë në pjesët e tjera, furnizimi varion 18 deri 20 orë maksimumi, deri në minimumi katër orë.
Ndërsa në zonën rurale, 28 fshatra kanë furnizime me ujë 24 orë.
9 fshatra kanë furnizim me ujë 4-8 orë, ndërsa 11 fshatra kanë furnizim me ujë 2 deri në 4 orë”, tha Rama.

SHKARKO APP