Kushtetuesja i dha të drejtë PD-së, Bylykbashi: Organet e Ramës s’mund të kontrollojnë vetting-un

Pavarësisht se Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi një muaj më parë 13 kërkesat e Partisë Demokratike lidhur me ligjin e mazhorancës për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nënkryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi shprehet se gjykata me vendimin e saj të zbardhur vetëm një ditë më parë, i dha të drejtë PD-së lidhur me rrezikun e kontrollit të procesit të Vetingut nga kryeministri Edi Rama.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Bylykbashi shprehet se organet e Ramës, duke nënkuptuar Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) që bën kontrollin e figurës, nuk mund të kontrollojnë vetting-un.

Sipas deputetit demokrat, me ligjin e vetting-ut, Rama theu Kushtetutën dhe pushtetin e organeve të pavarura kushtetuese të vetting-ut ia dha drejtorëve të tij. Por me vendimin e saj, thotë Bylykbashi, Gjykata Kushtetuese ia ka zhbërë ligjin e 30 gushtit 2016 dhe ia ka rishkruar siç detyron Kushtetuta e 22 korrikut.

Swiss Digital Desktop Reklama

“Po nuk e kuptoi, dhe nuk i vë faj se nuk është punë lapsash me ngjyrë, ia shpjegon ndonjë profesionist që e kupton mirë këtë vendim”- shprehet Bylykbashi në reagimin e tij.

Swiss Digital Mobile Reklama

Komenti i plotë i Oerd Bylykbashit

Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë PD-së për ligjin e vetting-ut: Organet e Ramës nuk mund të kontrollojnë vetting-un!

Më 22 korrik, PD-ja garantoi që Kushtetuta i vendos organet e pavarura të vetting-ut mbi organet qeveritare të Ramës. Kjo mori bekimin e Nuland dhe Hahn dhe prishi planin e Ramës për të kapur drejtësinë nëpërmjet vetting-ut.

Me ligjin e vetting-ut, Rama theu Kushtetutën dhe pushtetin e organeve të pavarura kushtetuese të vetting-ut ia dha drejtorëve të tij.

Komisioni i Venecias i dha të drejtë PD-së kur tha që organet kushtetuese të vetting-ut duhej të kishin kontroll të PLOTË mbi organet që kontrollon Rama.

Vendimi i zbardhur sot (dje) i Gjykatës Kushtetuese (paragrafi 45) e konfirmon: organet e qeverisë janë VETËM ndihmëse dhe duhet të jenë nën kontroll të PLOTË të organeve kushtetuese të vetting-ut dhe se ato nuk mund ta fillojnë punën pa u ngritur komisionet e vettingut ku, sipas paragrafit të famshëm 88 të Komisionit të Venecias, gjysma e komisioneve zgjidhet nga opozita (e kujtoni atë vijën e kuqe që PD, Nuland dhe Hahn ia fshinë me gomë?).

Tani, le të kënaqet Rama me vendimin që na rrëzoka PD-në, se me këtë vendim të paprecedent, Gjykata Kushtetuese ia ka zhbërë ligjin e 30 gushtit 2016 dhe ia ka rishkruar siç detyron Kushtetuta e 22 korrikut! Po nuk e kuptoi, dhe nuk i vë faj se nuk është punë lapsash me ngjyrë, ia shpjegon ndonjë profesionist që e kupton mirë këtë vendim.

vendimi

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?