Kushtetuesja shmang ndërhyrjen e qeverisë: Vlerësimi i figurës nga DSIK-ja duhet të bëhet nën vëzhgimin e një përfaqësuesi nga Vetingu
Gjykata: Vetëm përmes monitorimit të DSIK-së shmanget ndikimi i qeverisë në vlerësimin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve
Herion Mesi
Në rastin e kontrollit të pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, në vendimin e zbardhur dje, Gjykata Kushtetuese vlerëson se kompetencat e Inspektoratit nuk bien ndesh me organet e rivlerësimit dhe nuk e cenojnë në thelb atë.
“Gjykata vëren se është vetë Kushtetuta që i ka njohur ILDKPKI-së kompetencën për realizimin e procedurës së kontrollit të deklaratës dhe përgatitjen e raportit të hollësishëm në lidhje me ligjshmërinë e pasurive, saktësinë dhe plotësinë e deklarimit. Në lidhje me vlerësimin e pasurisë kushtetutëbërësi ka përcaktuar qartësisht organin që do të kryejë procedurën e kontrollit të deklaratës dhe kompetencat e këtij organi, të cilat janë detajuar më tej në ligjin nr.84/2016. Edhe pse ligji ka parashikuar në mënyrë më të detajuar kompetencat e ILDKPKI-së dhe rolin e saj konkret në këtë proces, nuk rezulton që ato të bien ndesh me kompetencën kushtetuese të organeve të rivlerësimit dhe as e cenojnë në thelb atë”,- shprehet Gjykata në pikën 27 të vendimit të saj.
Kompetencat që i janë njohur ILDKPKI-së në procesin e rivlerësimit, sipas gjykatës, janë në përputhje edhe me kompetencat dhe misionin që ai kryen.
Nisur nga misioni i tij, detyrat funksionale, si edhe eksperienca dhe infrastruktura ekzistuese e ngritur në këtë drejtim, jo pa qëllim kushtetutëbërësi e ka përcaktuar atë si organin që do të kryejë vlerësimin paraprak të deklaratës, por jo vetëm në drejtim të aspektit formal, por edhe atij substancial, pra edhe të ligjshmërisë së pasurive të deklaruara.
Gjykata ka vlerësuar se pavarësia ligjore e institucioneve që mbikëqyrin procesin e mbledhjes dhe të përpunimit të të dhënave në kuadër të sistemit të deklarimit të pasurive, mund të garantohet me anë të mjeteve të ndryshme ligjore dhe se përzgjedhja e kreut të ILDKPKI-së nëpërmjet një procesi të hapur publik dhe transparent, përbën një mjet ligjor që garanton pavarësinë e këtij institucioni.
Por Gjykata Kushtetuese nuk bën të njëjtin interpretim për Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) që bën kontrollin e figurës.
Në mënyrë që procesi i rivlerësimit të mos kompromentohet duke u kontrolluar nga pushteti ekzekutiv, gjykata vlerëson se në grupet e punës për kontrollin e figurës duhet të marrë pjesë edhe një përfaqësues nga organi i Vetingut.
“Gjykata vlerëson se institucionet kushtetuese të rivlerësimit kanë autoritetin për të ruajtur një kontroll të plotë mbi procesin e verifikimit të figurës, si dhe për të pasur akses tek të gjitha materialet përkatëse.
Në vlerësimin e saj përdorimi i një grupi të tillë pune sipas nenit 36 të ligjit nuk shfaq probleme kushtetutshmërie nëse ai nuk përbëhet vetëm nga personeli i organeve të sigurisë, por përfshin edhe përfaqësues të KPK-së.
Sipas nenit 14 të ligjit relatori në çdo rast duhet të ndërmarrë të gjitha procedurat për të siguruar provat e nevojshme për procesin e vendimmarrjes së trupës gjykuese.
Po ashtu, sipas nenit 23 të ligjit këshilltarët ligjorë kryejnë edhe detyra të tjera të caktuara nga relatori i çështjes, për rrjedhojë atyre mund t`u caktohet një rol aktiv në veprimtarinë e grupeve të punës, nëpërmjet delegimit. Gjykata, gjithashtu, rithekson se përdorimi i kontrolleve për qëllime të procesit të rivlerësimit, sipas dispozitave të kreut V të ligjit, duhet të jetë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e KPK-së dhe duhet t’i nënshtrohet kontrollit të KA-së”- thekson Gjykata Kushtetuese në pikën 39 të vendimit të saj.
Publikimi i vendimit i hap rrugën botimit të tij në Fletoren Zyrtare dhe hyrjen në fuqi të ligjit në fillim të shkurtit.
KOHA JONË SONDAZH

