Lirimi i të ”fortëve”, Gjonaj: Këmbanë alarmi. Gjyqtarët të ndiqen penalisht

Figura të krimit po lënë qelitë. Ergys Kolaveri, i dënuar me 20 vite burg dhe Indrit Dokle, i dënuar më parë me burgim të përjetshëm, kanë përfituar lirinë. Lidhur me këtë situatë të rëndë, ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj e cila përmes një deklarate për shtyp e ka cilësuar si këmbanë alarmi. Gjonaj ka dënuar lirimin nga burgu të të dënuarit me burgim të përjetshëm Endrit Dokle. Duke e cilësuar këtë vendim skandaloz, në thyerje flagrante të ligjit dhe të çdo norme funksionale të sistemit të drejtësisë, ministrja tha gjithashtu se kishte kërkuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e gjyqtares Enkeleda Hoxha.

”Si rezultat i shkeljeve të konstatuara dhe duke mbajtur parasysh se veprime të tilla, me pasoja të rënda në çështjet e rendit dhe sigurisë në vend, kanë krijuar zemërim të opinionit të gjerë publik, kanë cenuar rëndë paanshmërinë dhe objektivitetin në dhënien e drejtësisë, në datën 15 janar: I jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për pezullimin e menjëhershëm të gjyqtares nga detyra, si dhe marrjen e masave për shkarkimin e saj nga detyra si gjyqtar, me qëllim mostolerimin e asnjë vendimi të tillë, i cili sfidon haptazi procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, dhe punën e përkushtuar të institucioneve të reja në këtë proces jetik për forcimin e shtetit të së drejtës. Njëkohësisht i kam kërkuar Institucionit të Prokurorisë, ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares, jo vetëm për ndëshkimin e vendimmarrjeve abuzive, por edhe për parandalimin e fenomeneve të tilla me pasoja të rënda në besimin e qytetarëve tek drejtësia. I jam drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për ndjekjen me prioritet të përshpejtuar të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtares, por edhe të gjithë rasteve të tjera të ngjashme, mbi të cilët, në vite, rëndojnë akuza të shumta publike për paligjshmëri dhe korrupsion”.

Gjonaj tha gjithashtu se në shkelje u gjet edhe Drejtoria e Shërbimit të Provës Krujë, e për pasojë u mor masa e pezullimit nga detyra të kreut të saj drejtorie, si dhe kallëzim penal ndaj tij për shpërdorim detyre. “Ka rezultuar se edhe Drejtoria e Shërbimit të Provës Krujë, e cila ka depozituar raportin e saj në këtë gjykim për të dënuarin Dokle, duke sugjeruar rehabilitimin me dënim alternativ, ka vepruar në shkelje të rënda të dispozitave ligjore dhe vlerësimit që ky shërbim ka kryer për këtë rast. Si rezultat i kësaj, janë marrë të gjitha masat administrative nga Ministria e Drejtësisë, duke pezulluar menjëherë nga detyra Drejtorin e shërbimit të provës Krujë dhe po dje, është depozituar kallëzim penal ndaj tij, në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Krujë për shpërdorim detyre”.

Situata

Gjyqtarët e Tiranës konstatuan humbjen e fuqisë së masës së sigurisë ndaj 29-vjeçarit Kolaveri. Nga “arrest me burg”, ai do të mbahet në “arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike dhe me policë 24 orë. Kolaveri është i akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj Gazmir Daçit, i cili në vitin 2015 i kishte ekzekutuar vëllain Valmirin dhe i la të plagosur vëllain tjetër Rolandin. Më 30 korrik të 2016-ës, ai akuzohet se ka tentuar ta vrasë Daçin, teksa ky i fundit ndodhej në burgun e Vaqarrit.

Indrit Dokle përfitoi lirinë 4 ditë më parë. Gjykata e Krujës, nga burg përjetë e konvertoi me 25 vite burg për sjellje të mirë por në fund gjyqtarja Enkeleda Hoxha, vendosi lirimin e tij, me arsyetimin se ka kryer 3/4 e dënimit dhe për sjellje të mirë. Ky vendim është kundërshtuar nga Prokuroria e Krujës, e cila ka ankimuar vendimin, duke thënë se nuk ka fakte që qëllimi i dënimit penal është realizuar me riedukimin e tij.

1-Kërkuesi është dënuar për vrasje me paramendim dhe krime të tjera të rënda.
2-I dënuari e ka kryer në bashkëpunim si dhe ka qënë pjesë e një “grupi të strukutuar krimiminal”.
3-Në përfundimit të gjykimit, Dokle nuk e ka pranuar veprën.

Prokuroria shprehet se Gjyqtarja Enkeleda Hoxha e ka trajtuar këtë çështje sipas bindjeve personale. Gjyqtarja Hoxha, e cila ende nuk ka dalë para Vetting-ut, ka liruar edhe figura të tjera të botës së krimit. Këto vendime kanë alarmuar edhe institucionet kryesore në vend. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar reagimin e Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut si dhe Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Deri në reagimin e këtyre institucioneve, në ditët në vijim mund të lirohen edhe “të fortë të tjerë”, duke lënë vendet bosh në qelitë e “vipave”.

SHKARKO APP