Llogaridhënia, Manastirliu: Përgjegjësi e drejtorëve nëse nuk iu përgjigjen qytetarëve
”Çdo drejtor në nivel vendor apo qendror që nuk pret qytetarët për problematikat në lidhje me marrjen e shërbimit shëndetësor, për një problem legalizimi apo cfarëdo shqetësimi që ngrihet prej tyre, do të mbajë përgjegjësi nëse nuk ju përgjigjet qytetarëve”,-u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në Njësinë Administrative Nikël në Krujë, gjatë ndalesës së turit të llogaridhënies “Puna për Shqipërinë që duam”.
Në bashkëbisedimin me qytetarët merrnin pjesë dhe deputetët e zonës si dhe drejtuesit vendorë, ministrja shtoi se: ”Një qendër shëndetësore do të rehabilitohet tërësisht në zonën e Krujës gjatë këtij viti në kuadër të projektit të rikonstruksionit të 80 qendrave shëndetësore, ndërsa po shohim mundësinë për të rehabilituar në bashkëpunim me bashkinë edhe të qendrës shëndetësore të Tapizës”.
Ministrja e Shëndetësisë zhvilloi gjithashtu edhe një takim në Njësinë Administrative Bubq, ku shqetësimi kryesor i banorëve ishte çështja e ujit të pijshëm dhe përmbytjeve nga rrjedha e lumit. Kryetari i Bashkisë së Krujës premtoi se po punohet për rregullimin e shtratit të lumit, që do ti japë zgjidhje përfundimtare problemeve të përvitshme të kësaj zone.
KOHA JONË SONDAZH

