Mark Marku i zhgënjyer: Jemi fajtorë që na vodhën zgjedhjet, PD është në pikën më kritike të historisë saj

Akademiku dhe deputeti i zgjedhur i PD, Mark Marku ka publikuar një analizë për Kuvendin Kombëtar të PD-së, i cili u organizuar ditën e djeshme.
Sipas tij ky Kuvendi u mblodh në një moment dramatik për PD, sepse 25 prilli mendohej të sillte ndryshim dhe përmbysje të pushtetit të Edi Ramës, por ndodhi e kundërta.
Marku shtoi gjithashtu se qeveria vurin në dispozicion 120 milion euro për fushatën elektorale të cilat do të përdoreshin për mijëra familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre ishin pagesa të përfituara në mënyrë fiktive.
Ndërkohe akademiku Marku ndihet i zhgënjyer për gjendjen ku ndodhet PD sot e kësaj ditë, për faktin që PD nuk ka ardhur në pushtet në kaq vite.
Lexoni deklaratën e Mark Markut:

Ky Kuvend mblidhet në një moment dramatik për Partinë Demokratike dhe shoqërinë shqiptare.

Unë them dramatik, sepse këtu praktikisht të krijohet përshtypja sikur ne kemi fituar për mënyrën se si po diskutojmë. Për mua është një situatë dramatike. Pra pritej që zgjedhjet e 25 prillit të sillnin ndryshimin, në fakt ndodhi e kundërta, në vend të ndryshimit sot kemi një regjim më të përforcuar, me pushtet më të përqëndruar, me një shumicë solide në parlament gjë që e bën më të largët perspektivën e ndryshimit.

Është e vërtetë se kjo erdhi kryesisht për shkak se siç thuhet në analizën e zgjedhjeve të paraqitur qoftë nga kryetari i partisë dhe qoftë nga të tjerët; qeveria e Edi Ramës u angazhua në një operacion masiv dhe skemë sistematike në shkallë të gjërë të blerjes së votës.

Si drejtues politik i qarkut Lezhë, mund të konfirmoj se ky operacion ishte veçanërisht i dukshëm në qarkun që unë drejtova në fushatë elektorale. Qeveria dhe pushteti vendor, i vunë të gjitha burimet e administratës shtetërore dhe vendore në dispozicion të këtij operacioni. Ju kujtoj se nga pagesa 120 milionë euro që qeveria vuri në dispozicion gjatë fushatës elektorale për mijëra familje të prekura nga tërmeti i vitit 2019, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre ishin pagesa të përfituara në mënyrë fiktive. Një pjesë e mirë u hodhën në Kurbin, Lezhë dhe Mirditë. Po kështu, qeveria dhe pushteti vendor përdorën në funksion të fushatës fondet e përkrahjes ekonomike, ndërkohë që po në funksion të fushatës u punësuan në administratën e pushtetit qëndror dhe vendor, përmes procedurave të dyshimta me qindra qytetarë të këtij qarku.

Do ju jap vetëm një fakt, për të kuptuar se në çfarë fushate të pafavorshme kemi qenë ne, për shkak të këtyre punësimeve dhe gjithë këtyre manipulimeve.

Në prill të këtij viti Bashkia e Mirditës kishte të punësuar 825 punonjës, shifër kjo, pesë herë më e madhe sa kërkon një administratë e një bashkie të vogël. Mbaj mend që kur kam qenë deputet para tetë viteve, Bashkia e Mirditës kishte të punësuar rreth 100 punëtorë dhe gjithmonë me shqetësimin se e kemi tepruar me punësimin në bashki.

Megjithatë, me punën e jashtëzakonshme të anëtarësisë në këtë qark, strukturave drejtuese të partisë, kandidatëve për deputet, qytetarëve të qarkut Lezhë, ne arritëm të fitonim 33 mijë e 996 vota nga 27 mijë e 550 që kishim fituar në vitin 2017. Rezultat ky që i përkthyer në mandate, do të thotë katër nga shtatë mandate që ka ky qark.

Për fat të keq, në analizën e paraqitur këtu, ky rezultat është relativizuar, gjë që është një fyerje për të gjithë ata që na mbështeten në këto zgjedhje. Personalisht shpreh dyshime, qoftë për metodologjinë e vlerësimit, është e pasaktë, pasi nuk mund të mbështetet analizë mbi pritshmërinë.

E dyta, nuk mund të bëhet analizë e njësuar në realitete të veçanta, pasi realitetet lokale në Shqipëri janë të tilla. Për shkak të këtyre pasaktësive rezulton që pritshmëria, p.sh, në qarkun e Elbasanit paska qenë humbja. Dekonspirohet pritshmëria dhe mungesa e besimit tek lideri i PD-së në fitore. Nëse mendon humbjen në Elbasan, humbjen në Fier, humbjen në Berat, t’i praktikisht ke parashikuar humbjen. Në këtë kuptim unë them që analiza këtu dhe rezultati, praktikisht nga pikëpamja metodologjike, më shumë tregon për mendësinë që ka pasur lidershipi i PD-së, pra, mendësinë e humbjes, sesa rezultatet konkrete. Rezultatet konrekte në zgjedhje analizohen mbi bazën e rezultateve paraprake dhe rezultateve të krahasuara të realitetit politik, ku është kryer një fushatë elektorale.

Kaq është për sa i përket analizës së zgjedhjeve. Por ajo çfarë unë dua të them këtu është se ndjehem krenar, pasi nuk dua t’i fyej ata njerëz që kanë punuar për Partinë Demokratike. Sidomos për shkak të një gabimi në përllogaritje dhe ndoshta të një keqdashje të paraqitjes së rezultatit.

Ndjehem jashtëzakonisht krenar. Po ju bëj me dije se e kam pasur angari pjesëmarrjen në politikë dhe një angari edhe më të madhe që të marrësh pjesë në fushatë. Por, ndjehem krenar më të vërtetë që e kalova këtë përvojë. Dhe ndjehem krenar për shkak të asaj se çfarë unë gjeta atje. Kishte një angazhim maksimal të njerëzve aty. Unë u kërkoj falje, edhe pse nuk kam përgjegjësi për atë gabim që është bërë: që dikush i ka fyer ata.

Jam krenar për të gjithë ata që na mbështeten, që në kushte të jashtëzakonshme, ne arritëm të kishim rezultatin më të mirë të mundshëm. Madje edhe më të mirë se rezultati i fushatës së vitit 2009, kur PD ishte në pushtet dhe vinim pas një mandati katër vjeçar nga më të mirët në historinë e pluralizmit të vendit dhe kur administronim pothuajse të gjitha njësitë vendore në qark. Situatë më të favorshme se 2009 nuk ka pasur. Atëherë fituam katër mandate dhe duheshin pesë mijë vota për të fitur mandatin e pestë. Ndërkohë, këtë radhë, duke i pasur të gjitha këto disavantazhe që përmendem, ne fituam katër mandate dhe vetëm për dy mijë e treqind vota ne s’e morëm mandatin e pestë.

E reja e kësaj fitoreje është se për herë të parë që nga viti 1992, veç fitores në zonat rurale, ne kemi fituar në qytetet e qarkut Rrëshen, Rrubik, Laç dhe kemi rikuperuar 1500 vota në qytetin e Lezhës. Kjo është diçka e re dhe mendoj se duhet të jetë një qasje e re e Partisë Demokratike për qendrat e mëdha urbane në mënyrë që PD të mos jetë vetëm fituese në periferi, por edhe fituese e qendrave të mëdha urbane.

Unë ndjehem i zhgënjyer për mënyrën se si po analizohet dhe se si po përballemi si parti në gjendjen ku ndodhemi. Për herë të parë në historinë e pluralizmit PD, pas dy mandatesh në opozitë, nuk arriti të vijë në pushtet. Fakti është ky: Nuk kemi arritur të vijmë në pushtet. Dhe ne duhet të përballemi me këtë fakt. Është e vërtetë që PD ka marrë numrin më të madh të votave, çfarë do të thotë se është bërë fushatë, pra, që ka pasur cilësi fushate. Ka një numër më të madh deputetësh në parlament.

Por është e vërtetë dhe unë ju bëj thirrje që ta mendoni këtë; PD-ja është në pikën më kritike të saj. Pavarësisht këtij rezultati në dukje shumë të avancuar.

Pse?

Sepse kundërshtari ynë politik me këto zgjedhje është shndërruar plotësisht në një regjim politik me rrezikshmëri të lartë për fatet e demokracisë dhe shoqërisë shqiptare. Mendoj se anëtarësia e PD-së, opinioni public, shoqëria shqiptare kanë pritshmëri tjetër nga kjo se çfarë po bëjmë ne sot. Nga Partia Demokratike dhe lidershipi i saj. Mënyra se si po përballemi ne në këtë Kuvend, për gjendjen e rëndë ku ndodhemi dhe me problemet që kemi dhe me sfidat që na presin janë plotësisht jashtë kontekstit ku ndodhemi.

Duke përdorur një term të studiuesit Aurel Plasari: Jemi jashtë kohës politike. Një gjë e tillë do na bëjë ne të rrezikojmë kohën e PD-së edhe për katër vite të tjera. Nëse ne nuk e kapim kohën politike dhe nëse ne nuk jemi në kohë politike, ne rrezikojmë të mblidhemi pas katër viteve dhe të themi se na vodhën prap.

Na kanë vjedhur njëherë, sigurisht nuk bëhet fajtor i vjedhuri, por na vodhën edhe për herë të dytë, dhe kur të vjedhin për herë të dytë e ke njëfarë faji. Ky Kuvend me sa po shihet, qoftë kjo nga axhenda e vendosur dhe qoftë nga mënyra se si po shtjellohet, mendoj se do të prodhojë siç edhe duket, pasi jemi drejt fundit, kur Kuvendi u mbyll para se të fillonte, madje edhe diskutimet tona janë pak absurde, qesharake, ne flasim para karrigeve, pasi është mbyllur procedura dhe po bëhet votimi.

Unë vendosa se për shkak të respektit që kam për të gjithë ata që kanë ardhur në këtë Kuvend të dalë dhe të flasë. Ky kuvend do të miratojë disa propozime të zakonshme për ndryshime statuore që kanë të bëjnë me zgjerimin e kryesisë, zgjerimin e kuvendit kombëtar apo rritjen e numrit të sekretariatëve, si dhe mënyrën e përzgjedhjes së kandidaturave për pushtetin vendor.

Unë mendoj se të katër këto propozime janë kot. Zgjerojeni sa të doni Kuvendin Kombëtar dhe sa më shumë ta zgjerosh, aq më shumë e defunksionalizon. Janë disa propozime që s’kanë asgjë relevance për gjendjen ku ndodhemi. Nuk mendoj se ka çaluar puna, pasi kryesia ka pasur pak anëtarë.

Kemi thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm për të miratuar gjëra krejt të zakonshme. Në një situatë krejt të jashtëzakonshme. Jam i bindur se më këtë qasje ne e shndërrojmë PD në një gjendje permanente opozitare dhe duke krijuar mentalitetin e të qenurit në opozitë. Madje edhe legjitimitetin e të punuarit duke qenë në opozitë. Pa një perspektivë për ardhjen në pushtet.

Ashtu siç e ka formuluar filozofi dhe akademiku Artan Fuga, ndodhemi përpara një rreziku që ta disfunksionalizon PD si opozitë, duke e shndërruar në dekor të regjimit. Opozitë ka edhe në vendet jo demokratike, si Rusia. Edhe në Bjellorusi, Turqi dhe Venezuelë. Por aty forcat që mbajnë gjallë regjimin janë prej shumë kohësh në pushtet dhe opozita po aq vite në opozitë. Por, atje luftohet. Ne nuk dolëm një sekond për të protestuar për zgjedhjet. Kujt do t’ia mbushim mendjen se na vodhën zgjedhjet.

Unë po i paraqes këto funksione që i parashtron studiuesi, duke na këshilluar që ne mos t’i bëjmë këto. Pra, na thotë gjëra që çfarë nuk duhet të bëjë një opozitë. Normalisht, duke iu referuar, se edhe ai vetë nuk e merr autorsinë, pasi është një studiues amerikan, i quajtur Robert Nerton, i cili është një teoricien i komunikimit dhe ka një teori funksionaliste dhe A.Fuga e kontekstualizon në realitetin shqiptar.

Ai thotë se janë tetë gjëra që një opozitë nuk duhet të bëjë.

1- Nuk duhet të ekzistojë si opozitë sa për të trembur pak Ramën.

2- Jo si një alternativë në raste të jashtëzakonshme

3- Jo si një opozitë aksidentale, që vjen aksidentalisht në pushtet

4- Jo për të shuar revolta spontane të mundshme dhe kanalizuar drejt shuarjes ato

5- Jo për të bllokuar alternativa të tjera politike

6- Jo për të krijuar një dekor demokratik, si një gjuhë formale universiale. E gjithë gjuha që ne përdorëm këtu ishte një dekor i regjimit, për të thënë gjithçka që t’mos thuhet asgjë.

7- Jo për të ndarë pushtet dhe pasuri mes estabilishmentit politik, pavarësisht ngjyrave politike

8- Jo për të luajtur me pushtin, njëherë unë dhe njëherë ti, pa ndryshuar asgjë dhe as për të ndryshuar durimin se pas katër vitesh diçka do të ndryshojë

Është krim të mashtrojmë ata që na besojnë. Duke ushqyer me shpresë njerëz të cilët janë të detyruar të na besojnë. Për këtë arsye, PD duhet të bëjë një akt rithemelimi duke rishpikur vetveten. Kjo duhet bërë me një mision. Cili është misioni? Misioni është rithemelimi i vetvetes dhe i Republikës së Re që ne e shfaqem.

Unë e kam propozuar një gjë të tillë që në vitin 2012, ndoshta atëherë ishte pak herët, sot jemi shumë të vonuar për ta bërë një gjë të tillë. Por duhet ta bëjmë, nëse do duam të dalim para publikut shqiptar.

Akt i rithemelimit nuk do të thotë shkrirje e partisë, por zgjat jetëgjatësinë e saj. Edhe nëse do të kishim fituar ne duhet ta bënim një akt rithemelimi. Kur u themelua partia në fillimin e saj, kushtet ishin të tjera, misioni ishte tjetër. Tani kushtet kanë ndryshuar, kundërshtari ka ndryshuar, baza sociale ka ndryshuar, konteksti ndërkombëtar ka ndryshuar, shoqëria ka ndryshuar, mënyra e të bëri politikë ka ndryshuar, qoftë edhe për shkak të teknologjive të reja të komunikimit.

Atëherë, që të mbetemi forcë alternative e ndryshimit, së pari; duhet të ndryshojmë vetveten. Unë mendoj se një nga arsyet se pse PD është e pandryshueshme, është fakti se vetë ajo e refuzon ndryshimin.

Propozimi im është pak absurd se ju e keni mbyllur kongresin, por unë do ta bëj gjithsesi. Në këtë kongres të zakonshëm të quajtur të jashtëzakonshëm, të merret një vendim, për krijimin e një komisioni që do të kongres jashtëzakonshëm të rithemelimit të PD-së.

Unë propozoj krijimin e një komisionit për rithemelimin e PD-së, me ftesa për kontribute edhe nga jashtë partisë se s’mund të marrim kundërshtarët tanë që në na thonë si të riformatojmë partinë. Kërkoj krijimin e një platforme statutore dhe programore që të krijojë demokracinë funksionale brenda Partisë Demokratikë.

Kështu si janë partitë sot në Shqipëri, ne do çojmë automatikisht drejt autoritarizmit në qeverisje.

Pse?

Ne themi që jemi parti demokratike, por s’jemi fare parti demokratike. Gjithçka e cakton kryetari, kryesia. Grupi i deputetëve nuk është më kur gjithçka varet nga kryetari i Partisë.

Pse, defunksionalizohet Parlamenti, deputetët, duke ardhur nga kjo parti pa këtë ristrukturim të brendshëm demokratik, deputetët janë nul, janë zero.

S’vendosin për asgjë, kanë të drejtë të shkojnë në Kuvend dhe të ngrenë kartonin. Në qoftë se grupi parlamentar nuk është funksional dhe nuk luan rol, shkatërrohet Parlamenti. Kur jemi në qeveri deputetet e PD s’do bënin asnjë kritike për qeverinë, madje do çuditeshin që kritikon PD-në.

Funksioni i deputetit është të kontrolloj qeverinë. Është defunksionalizuar parlamenti pasi PD dhe të gjitha partitë e tjera, s’po bëj me faj Bashën që është tani, por partitë në Shqipëri janë autoritariste dhe kushdo që do shkojë në to, shkon drejt autoritarizmit. Nuk është faji i tyre, por i strukturës.

Ashtu sikurse kryeministri shqiptar që po erdhi nga partitë autoritarsite, do të jetë i tillë, pasi partitë janë baza e sistemit politik. Për këtë arsye unë them se duhet të hartohet një platformë e re programore dhe një statut i ri, që të krijojë demokracinë funksionale brenda PD-së.

E treta, duhet një drejtim transacional i partisë deri në një kongres tjetër të jashtëzakonshëm. Duhet të bëjmë një analizë të thellë të problemeve që kemi ne në këto 30 vite. Problemi kryesor i joni është se ne nuk jemi një parti kryesore në këtë vend. Unë mendoj se analiza nuk mund të bëhet nga njerëz që kanë përgjegjësinë e humbjes. Nuk mund të bëhet Gaz Bardhi që ka qenë në Elbasan dhe ai s’mund të bëjë analizën e të tjerëve kur do t’i duhet të analizojë edhe veten. Dhe nxjerr pritshmëritë maksimale aty ku ka humb, dhe pritshmëritë minimale aty ku ka fituar në Lezhë. Është pa sens që ai që është përfshirë në zgjedhje të bëjë analizën time. E para se bën dot nëse ai ka bërë fushatë.

Nuk mund ta bëjë, pasi nuk ka statusin, mundësinë dhe as kryetari i partisë s’mund ta bëjë, madje as kryesia. Kush kupton gjuhën politike e kupton se këtu s’ka lidhje me analizën, por janë funksionalizuar për të bërë ca lëvizje artificiale.

E fundit, caktimi i një date për zhvillimin e një kongresi të jashtëzakonshëm. Të gjithë bashkë të nisim një fazë të re. Unë mendoj se vetëm kështu mund të përballemi me Ramën.

SHKARKO APP