Marrëveshja e Detit, Bushati ironizon ambasadoren e Greqisë: Është e re në detyrë
Pas deklaratës së ambasadores greke në Tiranë se çështja e kufirit detar është një çështje e zgjidhur me marrëveshjen e 2009, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ në mënyrë ironike u shpreh se është e re në detyrë dhe media duhet të tregohet më dashamirëse me të.
“Ka të paktën dy vjet e gjysmë që ne kemi hapur disa kantiere pune me Greqinë duke vendosur mbi tryezë të gjitha çështjet që mbeten të hapura dhe baza, apo origjina e të gjitha këtyre çështjeve buron nga ligji famëkeq i luftës, që është ende në fuqi nga ana e Greqisë përkundrejt Shqipërisë.
Ne i kemi kategorizuar çështjet e hapura në 3 blloqe; 1.çështje të së shkuarës së largët apo të historisë, që datojnë nga Lufta e Dytë Botëtore 2. çështje të aktualitetit me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve si dhe 3. çështje që kërkojnë njëlloj parashikueshmërie, që kanë interes strategjik për Shqipërinë dhe Greqinë.
Nuk është në natyrën e një ministri të jashtëm dhe as në natyrën time që të komentoj qëndrime të caktuara të ambasadorëve të akredituar në Shqipëri, por mbase është momenti për t’i bërë thirrje edhe kolegëve në media, që kanë shkruar për këtë temë, që të tregohemi paksa më dashamirës me një ambasadore të re në detyrë, që ndoshta do të kërkojë kohën e vet për t’u familjarizuar me dosjen e marrëdhënieve shqiptaro-greke”deklaroi ai.
KOHA JONË SONDAZH

