Masakër me të vrarë, ministri Çuçi: Prokurorët dhe gjykatësit po lirojnë kriminelët. Brenda javës prezantohen drejtorët e rinj të Policisë
Pas ngjarjeve kriminale në vend, me katër të vrarë për 50 metra hapësirë në plazhin e Velipojës dhe aksidentet rrugore që po marrin çdo ditë jetë njerëzish ku më i rëndi është ai në Vlorë, ku u shua një familje ka bërë që këtë të hënë të prezantohet reformimi i Policisë së Shtetit. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi doli në një konferencë për shtyp, ku fillimisht u shpreh i tronditur nga ngjarjet kriminale, por ”fajin” e çoi tek Prokurorët dhe Gjykatësit që sipas tij, kanë liruar nga burgjet e vendit persona të inkriminuar. Kjo pasi për të, policia nuk mund të ndjekë çdo makinë apo të parandalojë një krim në mesnatë edhe pse pranon se edhe policia duhet të reflektojë.
”Mbi të gjithë duhet të reflektojnë prokurorë e gjykatës që nuk kanë kaluar Vetting-un dhe operojnë vendimin KÇK. Policia parandalon, por nuk dënon shkelës e kriminelë. Mjafton të marrim një shembull, kemi shtrënguar masat kundër armëmbajtjes pa leje. Janë ndaluar në flagracë 3 persona me precendentë të rrezikshëm. Madje në një rast, arma kishte edhe fishek në fole. Por prokurorët e gjyqtarës, si Elida Çufi në Shkodër, apo dyshja Elona Alvora dhe Albert Spiro në Vlorë. Si dhe prokurori Erind Rahovica dhe Piro Sota në Fier, përkundër kushteve të padiskutueshme të flagrancës, kanë dhënë masa lehtësuese duke i çuar në shtëpi të pandehurit, megjithëse minimumi i dënimit për këto vepra penale është 3 vjet heqje lirie. Paçka shtrëngimeve të reja të futura rishtazi në Kodin Rrugor, vendimet e disa gjykatësve të tjerë, për aksidentet rrugore me pasojë vdekjen apo plagosjen, janë në gjykimin tonë skandaloze dhe në keqinterpretim të ligjit. E pra, këto janë fakte që dëshmojnë qartë nevojën për një reagim të shpejtë dhe energjik nga ana e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë dhe strukturave të reja drejtuese të sistemit gjyqësor, ndaj individëve papërgjegjshmërisht të rrezikshëm për shoqërinë tonë. Këto sa përmenda nuk janë ndërhyrje në punën e gjyqësorit dhe institucioneve të tjera të pavarura, por shembuj ulëritës të asaj se si nuk duhet të jetë forca e ligjit ndaj atyre që e shkelin atë”.
Në lidhje me parandalimin e aksidenteve rrugore, ministri Çuçi nënvizoi se në mandatin e tretë do të ketë një sistem modern të monitorimit në rrugë që gjeneron gjoba në kohë reale. Ndërsa shtoi se do të kërkohet edhe hetim të pasurisë së drejtuesve me makina të shtrenjta që kanë shkelje të përsëritura në drejtimin e mjetit.
”Kam vënë re se disa flasin me të madhe për rritjen e kriminalitet dhe aksidenteve me vdekje, por kjo është e pavërtetë, pasi shifrat tregojnë të kundërtën. Policia ka të meta, po përgatitemi për një fazë të re të reformës së policisë së shtetit. Po ashtu do të krijojmë një kuadër rregullatori të ri për të futur në hetim pasurinë të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kanë përsëritje të shkeljeve ligjore në qarkullim. Do të kemi dron super-inteligjent në rrugë dhe sistem monitorim rrugës. Brenda javës ndryshme në drejtori e komisariate të policisë në vend”.
Po ashtu Çuçi paralajmëroi ndryshime në nivel të lartë drejtues në Policinë e Shtetit. ”Përsëris, kjo s’do të thotë Policia e Shtetit s’ka dobësi dhe të meta, po përgatitemi për një fazë të re të reformës. Brenda javës do të nisë një ndryshim i thellë me drejtuesit në nivel qarku, ku do të nisë më pas dhe me drejtoreve në çdo qytet të Shqipërisë. Nga ana tjetër, do të çohet më tej dhe do të përfundojë pajisja e policisë rrugore me kamera. Më lejoni të përfundoj që ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e kohës dhe shumë shpejt të gjithë do e prekin ndryshimin e mëtejshëm për të mirën e Policisë së Shtetit”.
Gjatë konferencës për shtyp, ministri u pyet nga gazetarët edhe në lidhje me aksidentet me vdekje për shkak të shpejtësisë dhe shkeljeve të qarkullimit rrugor, nëse duhet të quhen vrasje dhe të dënohen si të tilla. Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi komentoi kështu propozimin e ish-ministrit Saimir Tahiri për klasifikimin e aksidenteve si vrasje me dashje. Ministri tha se ky ndryshim është çështje penalistësh, ndërsa tha se para ligjit, rëndimi i pozitës është i njëjtë, por ndryshon emërtimi.
”Kjo është një çështje më shumë e profesionistëve e penalistëve e doktrinës së asaj që quhet vrasje. Kjo është një çështje që duhet të zgjidhnin profesionistët nëse mund të quhet vrasje apo jo. Këtë nuk mund ta përziejmë pasi do të bënim devijim nga shkenca penale. Kemi rritur nivelin e dënimit dhe e kemi bërë të barabartë dënimin si vrasje të thjeshtë. Aksidenti me pasojë vdekjen parashikohet të dënohet sikur ka vrarë një njeri. Me këtë qasje i jemi afruar asaj dëshire për të rënduar pozitën e një personi që bën aksident me makinë pasi ka shkelur të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor. Kur ka sjellë pasojë vdekjen ai para kodit penal është njësoj sikur të kishte kryer vrasjen”.