Mazhoranca do të ndryshojë Kushtetutën me deputetët e “pazarit të Milotit”
-Plani që ka mazhoranca për ta ndryshuar Kushtetutën, në parlamentin e copëtuar dhe që nuk ka përfaqësim politik, është një plan ogurzi. Sa herë është ndryshuar Kushtetuta nga deputetët ka sjellë kaos dhe kriza të mëdha. Populli me Referendum ka të drejtë të ndryshojë apo miratojë Ligjin Themeltar të Shtetit, ndryshe është puç kushtetues që i shërben vetëm kryeministrit.
Kryeministrit Edi Rama nuk i mjafton grumbullimi i gjithë pushteteve. Pasi ka marrë qeveri, parlament, prokurori, një pjesë të gjykatave, bashkitë, biznesin dhe mediat, tani po përgatitet të bëjë goditjen finale që e legjitimon si “kryeministër të përjetshëm”, ndryshimin e Kushtetutës. Në korridoret e PS prej ditësh po flitet për një plan që synon ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit duke i miratuar amendimet e tij në Kuvend. Fillimisht, në mediat afër qeverisë u fol për një projekt që do të kufizonte kompetencat e Presidentit Ilir Meta. Në këtë mënyrë, Edi Rama ka menduar të zgjidhë përplasjen ligjore duke i fshirë nga Kushtetuta nenet që i japin të drejtë presidentit. Ndërsa dje, ky plan u qarkullua në media si një paketë ligjore që do të prekte ligjet kryesore të reformës në drejtësisë. Veç zërave mediatik, ky projekt bazohet dhe në dy qëndrime të qeverisë. Deklarata e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, dy javë më parë, kur tha se do të rishikohet baza ligjore për përplasjen me Presidentin dhe teksti i rezolutës anti-president, në të cilën thuhet se “Kuvendi do gjejë mekanizma ligjorë për të zgjidhur situatën”. Pas këtyre qëndrimeve kanë nisur dhe idetë konkrete. Televizioni “Top Channel” raportonte dje se ekspertët e PS po diskutojnë për mënyrën dhe nenet që do të ndryshohen. Projekti i Ramës për ndryshimin e Kushtetutës vetëm me parlamentin është një lëvizje e rrezikshme që nuk cenon më vetëm institucionet, por themelet e gjithë shtetit. Justifikimi për të futur duart sërish te Kushtetuta, për shkak të përplasjes me kreun e shtetit, fsheh në të vërtetë qëllime që synojnë shkatërrimin e bazës ligjore dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Përvoja e ndryshimit të Kushtetutës nga Parlamenti ka sjellë katastrofa. Ndërsa ndryshimi aktual që ka në mendje Rama, me parlamentin aktual është edhe më i rrezikshëm se çdo ide tjetër. Prekja e Kushtetutës nga Parlamenti nënkupton konsensus sa më të gjerë politikë mes atyre që përfaqësojnë popullin. Por parlamenti aktual sot kë popull përfaqëson? Sot Kuvedi ka vetëm 122 deputetë nga 140, të cilët përfaqësojnë PS dhe disa të tjerë që gjasme janë “opozita”. Deputetët e ligjshëm, që janë zgjedhur sipas votave të vitit 2017 janë vetëm 82. Deputetët që hynë në Kuvend pas djegies së mandateve nga opozita janë thjesht llogari bankare dhe numra që i duhen PS-së. Ata votojnë njëlloj si PS, madje po mbajnë në këmbë gjithë pushtetin e kryeministrit dhe kanë eleminuar zërat ndryshe në PS. Ky kompozim që ka parlamenti aktual me pseudodeputetë nuk mund të prodhojë asnjë reformë kushtetuese, por vetëm përbindësha politikë që eliminojnë demokracinë. Vetë ideja për ndryshimin e kompetencave të Presidentit është në thelb atentat ndaj shtetit, pasi i jep qeverisë edhe disa kompetenca shtesë. Konkretisht, nëse anëtarët e gjykatave kryesore i kalojnë Kuvendit, pra qeverisë, çfarë kuptimi ka më reforma në drejtësi. Në këtë mënyrë, reforma e cila që tani ka probleme të rënda, merr fund dhe kthehet në një seksion politik. Ky akt i PS-së dhe Edi Ramës do të shënonte kapjen totale të shtetit nuk mund të flitet më për Kuvend, drejtësi, pluralizëm dhe shoqëri demokratike. PS nuk e ka zyrtarizuar qëndrimin e ndryshimeve kushtetuese, por edhe si ide e dalë nga korridoret e saj është një projekt i rrezikshëm dhe alarmant për zhvillimet në Shqipëri. Kushtetuta u miratua 21 vite më parë me referendum dhe mbështetje nga qytetarët. Ligji themelor i shtetit është baza që rregullon jo thjesht emërimet në institucione, por gjithë normat e shoqërisë dhe ndarjen e pushteteve. Ndryshimi i saj në parlamentin monist të PS-së është vrasje e demokracisë. Teksa në PS diskutohen idetë që kthejnë regjime të skaduara, nuk ke si të mos i japësh të drejtë kreut të shtetit, Ilir Meta kur flet për referendum popullor për të ruajtur Republikën dhe Kushtetutën. Kur qeveria vendos që të mos pyesë qytetarët dhe t’i përjashtojë nga çdo vendimmarrje, referendumi është mënyra më e mirë për të zgjidhur përplasje të tilla kombëtare. Në Kushtetutë janë futur duart dy herë me nxitim nga PS dhe PD, në 2008 dhe 2016 dhe këto ndërhyrje kanë pjellë vetëm kriza dhe degradim të shtetit. Nëse Kushtetuta ndryshohet nga një parti, (sepse Parlamenti nuk ekziston më), ky është grusht shteti dhe tentativë për rikthim në diktaturë.
Mili Xhani