Mbi 5 mijë të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri*

Nga VOA-

Ekipet e shpëtimit në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet të martën për të gjetur të mbijetuarit nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara nga tërmeti i së hënës, që la pas vetes mbi 5 mijë të vdekur dhe mijëra të plagosur.

Pas një nate të ftohtë me temperatura afër zeros, e marta solli më shumë dridhje me magnitudë 4.0 ose më shumë, duke tronditur zonën përgjatë kufirit midis dy vendeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, shprehu mbështetjen për popullin e Turqisë dhe Sirisë “në këtë moment pikëllimi të papërshkrueshëm”.

Duke folur në një takim të OBSH-së në Gjenevë, zoti Tedros tha se organizata po dërgon në të dy vendet furnizime mjekësore dhe se do të punojë për t’i mbështetur ata ndërsa rimëkëmben.

“Ky është një moment kur ne duhet të bashkohemi në solidaritet, si njerëzim, për të shpëtuar jetë dhe për të lehtësuar vuajtjet e njerëzve që tashmë kanë vuajtur kaq shumë”, tha ai.

Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive emergjente tha se po kryente operacione përmes rrugëve tokësore dhe ajrore për të dërguar furnizime dhe ekipe shpëtimi në zonat e prekura nga tërmetet. Këto përpjekje po mbështeten nga një numër në rritje i qeverive dhe agjencive të tjera të ndihmës që kanë dërguar ekipe dhe burime në rajon.

Në një rrugë të ngarkuar me trafik dhe me dëborë midis qyteteve Kırşehir dhe Kayseri, Zëri i Amerikës në gjuhën turke bisedoi me njerëzit që po dërgonin ndihma në zonën e prekur.

Çetin Kılıç i tha Zërit të Amerikës se kamioni i tij ishte ngarkuar me batanije dhe ushqime.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme”, tha ai.

Epiqendra e tërmetit të së hënës para agimit ishte afër Gaziantepit, afër kufirit Turqi-Siri dhe u pasua nga një tërmet i veçantë me magnitudë 7.5 shkallë rreth 100 kilometra në veri, në orët e hershme të pasdites.

Zyrtarët në Turqi thanë të martën se të paktën 3 mijë e 419 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 15 mijë mbetën të plagosur. Ata thanë se më shumë se 7 mijë e 800 veta janë shpëtuar dhe se të paktën 6 mijë e 200 ndërtesa janë shembur. Siria raportoi të paktën 1 mijë e 602 vdekje dhe rreth 3 mijë e 500 të plagosur, sipas të dhenave nga qeveria e Damaskut dhe grupet e shpëtimit.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan shpalli shtatë ditë zie kombëtare.

Tërmeti goditi një rajon në të dy anët e kufirit të prekur nga më shumë se një dekadë e luftës civile në Siri. Në anën siriane, zona e prekur është e ndarë midis territorit të kontrolluar nga qeveria dhe enklavës së fundit të kontrolluar nga opozita, e cila është e rrethuar nga forcat qeveritare të mbështetura nga Rusia. Turqia, ndërkohë, është shtëpi e miliona refugjatëve që ikën nga konflikti.

Në rajonet e kontrolluara nga opozita në Siri strehohen rreth 4 milionë njerëz të zhvendosur nga pjesë të tjera të vendit për shkak të luftimeve. Shumë prej tyre jetojnë në ndërtesa që tashmë janë dëmtuar nga bombardimet. Të hënën, qindra familje mbetën të bllokuara nën rrënoja, tha në një deklaratë organizata e emergjencave, Helmetat e Bardha.

Tërmeti i së hënës shkatërroi kështjellën historike të Gaziantepit dhe shumë ndërtesa të tjera historike në zonë.

Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.

Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit.

Në tetor të vitit 2022, një tërmet me magnitudë 7.0 goditi Detin Egje duke vrarë 116 persona dhe duke plagosur mbi 1 mijë. Përveç dy viktimave, të gjithë të vdekurit ishin nga qyteti i Izmirit.

* Mbështetur në agjencitë e lajmeve Associated Press, France-Presse dhe Reuters.

SHKARKO APP