Mbyllet seanca mes tensionesh – Pas miellit, deputetët e opozitës qëllojnë me letra e shishe Ramën
Tensionet në Kuvend kanë përfunduar, pasi seanca plenare sapo u mbyll. Opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vazhdimin norma të seancës plenare.
Por ndërsa kamerat u nxorën gjatë minutave të pushimit, ishte Berisha i cili ka shpërthyer ndaj kryeministrit Edi Rama.Ai iu bëri thirrje deputetëve të hapin “Facebook”-un dhe të filmojnë, ashtu siç ka vepruar vetë. Ndërsa kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka kërkuar të mos flasë, Berisha tha se Rama është njeriu që i ka bërë fyerjen më të madhe publike shqiptarëve. Ai tha se Rama është njeriu që thotë vetëm “trap”.
Seanca e sotme
Deputetët e PD dhe LSI bllokuan për rreth dy orë foltoren e Kuvendit pas fjalimit të Lulzim Bashës, për të pezulluar punimet e seancës, deri në përjashtimin e kryeministrit Edi Rama për fyerje ndaj shqiptarëve gjatë seancës së para dy jave.
Basha foli për protestën në Kukës, arrestimin e 11 kuksianëve për aktet në “Rrugën e Kombit” si dhe për fyerjet e Ramës.
“Ky parlament nuk do të vazhdojë asnjë sekond pa e nxjerrë nga salla kryeministrin Rama. Ndale seancën menjëherë. Përjashtoje! Nuk ka për të pasur procedim normal pa larguar njeriun që ka ofenduar të gjithë shqiptarët. Arrestimi i 11 kuksianëve është turp, mos i harroni ata. Indiferenca, heshtja, frika hezitimi ynë janë fuqia e plaçkitësve si Edi Rama”, u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha.
Pas fjalimit të Bashës, deputetët e opozitës rrethuan foltoren. Por situata degjeneroi më tej me hedhjen e qeseve me miell, shisheve me ujë, stilolapsa dhe topa letre në drejtim të kryeministrit Rama, kryeparlamentarit Ruçi dhe ministrave të kabinetit. Pas disa ndërprerjeve, Ruçi hodhi në votim pr/ligjet e rendit të ditës të cilat u votuan me 74 vota të maxhorancës së PS.
Ora 11:40 Mbyllet seanca e Kuvendit, opozita shkakton 2 orë kaos
Pas dy ore tensioni dhe kaosi, Kuvendi ka mbyllur punimet me votimin e projektligjeve vetëm me votat e PS. PD dhe LSI mbajtën të bllokuar gjatë gjithë kohës foltoren, por kjo nuk e pengoi Kuvendin të votonte projektligjet e parashikuara në rendin e ditës.
Ora 11:30 Kuvendi votohen pr/ligjet mes kaosit
Edhe pse opozita bllokoi për rreth një orë e 30 minuta foltoren e Kuvendit, seanca vijoi pavarësisht tensioneve. Deputetët e PD dhe LSI refuzuan të marrin fjalën për rendin e ditës, çka bëri që Ruçi t’u japë fjalën vetëm deputetëve të maxhorancës. Shumica votoi vetëm me votat e saj projektligjet e parashikuara në rendin e ditës. Kuvendi votoi pr/rezolutën për KQZ, marrëveshjen me Kosovën për pensionet, të cilat u miratuan me 74 vota pro.
Ora 11:20 Deputetët e opozitës hedhin sende të forta në drejtim të Ramës
Pas qeseve me miell, deputetët e PD dhe LSI kanë hedhur sende të forta në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave të qeverisë. Ata hodhën shishe me ujë, stiolapsa dhe topa letre. Ruçi ndërpret sërish seancën.
Ora 11:15 Pas Nokës, Ruçi përjashton edhe Ervin Salianjin
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka përjashtuar nga punimet e seancës edhe deputetin tjetër të PD, Ervin Salianji, pas Flamur Nokës.
“Ervin Salianji për përdorimin e mjeteve të palejueshme ndaj drejtuesit të seancës përjashtohet nga seanca Parlamentare. Ervin Salianji dhe Flamur Noka lironi sallën. Shërbimet e Kuvendit t’u komunikojnë deputetëve daljen e tyre nga salla. Ndërpritet seanca”, tha Ruçi.
Ora 11:10 Ruçi përjashton Flamur Nokën
Flamur Noka përjashtohet nga seanca me vendim të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, pasi hodhi miell në drejtim të kryeministrit Edi Rama. “Liro Sallën, shërbimet e kuvendit ta nxjerrin jashtë z.Noka”, u shpreh Ruçi i cili ndërpreu për të tretën herë seancë derisa Flamur Noka të linte ulëset nga punonjësit e Gardës.
Ora 11:05 Noka dhe Balliu i hedhin miell Ramës
Vijonë tensionet në Kuvend. Teksa mbanin të rrethuar foltoren e Kuvendit, deputetët e PD, Flamur Noka dhe Klevis Balliu i hedhin qese me miell Edi Ramës. Pas këtij momenti, kryeparlamentari Gramoz Ruçi ndërpret seancën për herë të dytë.
Opozita me pankarta në duar
Pas një mbledhjeje të shkurtër të Bashës me grupin parlamentar të PD, opozita ka shkuar në Parlament me pankarta në duar, ku shkruhet: ‘Liro kuksianët’, ‘Arresto kriminelët’.

(Deputetët me pankarta në Kuvend)
Një ditë më parë, Lulzim Basha mblodhi grupi parlamentar të PD, ku njoftoi se demokratët do të jenë në Kuvend, por seanca nuk do të jetë normale, duke nënkuptuar me këtë një seancë të trazuar dhe me përplasje.
Kohët e fundit, politika është përfshirë në debate të ashpra, shoqëruar dhe me protesta nga opozita, për shkak të taksës në Rrugën e Kombit dhe vendosjen e TVSH te biznesi i vogël. Këto dy tema të nxehta pritet të bëhen dhe sot temë debatesh në sallën e Kuvendit, ku demokratët kanë paralajmëruar se nuk do ta lënë kryeministrin Rama të flasë, duke kërkuar largimin e tij.
Ora 10:00 Seanca ka nisur me raportin vjetor të KQZ, që po prezantohet nga kreu i KQZ, Klement Zguri. Zguri i ka bërë thirrje Parlamentit të themelojë epokën e administrimit të zgjedhjeve. Nga foltorja e Kuvendit, Zguri deklaroi se ka ardhur koha për një reformë themelore në procesin e zgjedhjeve.
“Ekzistenca e zgjedhëse të dyshuar si të dubluar. Ekzistenca e zgjedhësve pa kontest banimi, që kanë emigruar, mospërfshirja në votim e të dënuarve. Shqetësimet që vijnë nga eksperienca e 2017 të na ndihmojnë për në vazhdim. Kuvendi të na ndriçojë rrugën me rezolutën që do të miratojë. Jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë teknike. Propozimi i komisionerëve nga partitë politike, ndërrimi i tyre para apo gjatë procesit të numërimit ka ndikuar direkt në procesin e administrimit. Askush nuk duhet të nda pengojë të bëjmë një administratë të aftë. Administrimit i zgjedhjeve kërkon një reformë të tërë, i takon këtij Parlamenti të themelojë epokën e administrimit”- theksoi Zguri.

KOHA JONË SONDAZH

