Me kërkesë të PS-së, Prokuroria kërkon nga Kosova të dhëna për ndalimin e Flamur Nokës
Politikë E Diel, 9 Maj 2021 14:36
Në hetim dy deputetë që janë dënuar me identitet tjetër
Ish-ministri i brendshëm tashmë me detyrën e deputetit, Flamur Noka, po hetohet nga Sektori i Verifikimit bazuar në ligjin e dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.
ABC News ka mësuar se ky sektor, me kërkesë të 20 deputetëve të Partisë Socialistë ka nisur hetimin administrative ndaj Nokës, me dyshimin se nuk ka pasqyruar të vërtetën në formularin e vetdeklarimit.
Burimet thonë se për të verifikuar pretendimet e ngritura nga deputetë e PS-së, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar zyrtarisht Kosovës me anë të një letër-porosie.
Si objekt i saj është verifikimin nëse shtetasi Flamur Noka është ndaluar në Prizren në vitin 1991 nga policia e ish-Jugosllavisë.
Veç kësaj është kërkuar të verifikohet në arkivat e policisë së Kosovës nëse Flamur Noka ka qëndruar ndonjë ditë i arrestuar apo vetëm është marrë në pyetje dhe është lënë i lirë.
Për të gjitha këto pyetje, prokuroria thotë se janë në pritje të përgjigjes zyrtare nga autoritet e drejtësisë së Kosovës.
Nga ana tjetër, mësohet se prokurorët e Sektorit të Verifikimit të formularëve të dekriminalizimit, kanë nisur hetimet edhe ndaj dy deputetëve të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, që dyshohet se janë dënuar jashtë territorit shqiptar.
Ky hetim, ka nisur pas informacioneve të ndryshme në formë shkresore të ardhura në prokurori, sipas të cilave pretendohet se deputetët janë dënuar jashtë Shqipërisë me gjeneralitete të tjera.
Ata dyshohet se kanë përdorur identitetin e personave të tjerë në momentin kur janë proceduar në shtetet përkatëse.
Për këtë dyshim, mësohet se prokuroria ka kërkuar me anë të letër-porosive shenjat e gishtërinjve për këto dy persona, të cilët dyshohet se identitetin e tyre e kanë përdorur dy deputetët tashmë të Kuvendit të Shqipërisë.
Por deri në ardhjen e kësaj përgjigje, zyrtarët e prokurorisë nuk preferojnë të identifikojnë emrat e personave që akuzohen me këto letra shkresore, ardhur në institucionin e akuzës nga individ të ndryshëm.
Veç këtyre, mësohet se prokuroria po kryen verifikime edhe për rreth 170 persona të tjerë, mes tyre të zgjedhur, deputetë e zyrtarë të lartë të administratës publike, të cilët dyshohen se kanë falsifikuar formularin e vetë-deklarimit për llogari të ligjit të njohur si “dekriminalizimit”.
Burimet thonë se deri më tani, Sektori i Verifikimit në Prokurorinë e Përgjithshme që nga hyrja në fuqi e ligjit për “dekriminalizimin” ka verifikuar mbi 500 raste./ABC News
KOHA JONË SONDAZH

