Mësimi online, Mehmetaj 4 pyetje për Ministrinë e Arsimit: Kundër plehrave, pro edukimit
Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj ka reaguar lidhur me vendimin që viti akademik do të nis online. Sipas saj, ky vendim ka sjellë shumë kosto për familjet shqiptare. ”Pothuaj të gjitha vendet e rajonit, Europës e më tej e kanë lajmëruar zhvillim e mësimit online që në verë, qeveria jonë e lajmëron 4 ditë përpara fillimit të vitit akademik. Tamam duke u tallur me qytetarët e duke abuzuar me paratë tona. Besoj se Ministria e Arsimit e ka të qartë që mësim online nuk quhet komunikimi në Zoom për 45 minuta, besoj e ka të qartë gjithashtu se nuk është detyra e pedagogëve të gjejnë e paguajnë platforma për mësimin online”,-shkruan ish-deputetja në facebok, ku edhe ka parashtuar katër pyetje për Ministrinë e Arsimit.
Postimi i plotë
Përgjatë gjithë verës por edhe këto dy muaj vjeshte përpara fillimit të universitetit. kemi bërë vazhdimisht thirrje për Qeverinë, Universitetet e studentët për të parashikuar mësimin online. Kokëfortësia e qeverisë për të mos u treguar qytetarëve të vërtetën dhe dashakeqësia e neglizhenca në mos marrjen e masave dhe përgatitjen e buxheteve të nevojshme për përballimin e pandemisë në shkolla na sjell sot në ditën që:
-Studentët kanë paguar konviktet/ shtëpitë me qera.
-Studentët e familjet e tyre kanë bërë të gjithë shpenzimet për vitin e ri akademik (të cilat me mësimin në kushte shtëpie janë të evitueshme).
-Studentët e familjet e tyre duhet të planifikojnë një buxhet të ri për kompjuter e internet.
-Universitetet janë të papërgatitura teknikisht për zhvillimin e mësimit online.
Ndërkohë që pothuaj të gjitha vendet e rajonit, Europës e më tej e kanë lajmëruar zhvillim e mësimit online që në verë, qeveria jonë e lajmëron 4 ditë përpara fillimit të vitit akademik. Tamam duke u tallur me qytetarët e duke abuzuar me paratë tona. Besoj se Ministria e Arsimit e ka të qartë që mësim online nuk quhet komunikimi në Zoom për 45 minuta, besoj e ka të qartë gjithashtu se nuk është detyra e pedagogëve të gjejnë e paguajnë platforma për mësimin online.
Në këtë situatë lindin disa pyetje që duan përgjigje:
Cili është buxheti që ka programuar qeveria për të mundësuar zhvillimim e mësimit online në universitete?
A ka parashikuar qeveria të rimbursojë tarifat e universiteteve për studentët duke marrë në konsideratë se ata nuk do të jenë fizikisht në shkolla?
A kanë parashikuar qeveria dhe bashkitë përgjegjëse të konvikteve tu kthejnë studentëve mbrapsht pagesat që kanë kryer?
A ka parashikuar qeveria buxhet për studentët të cilët nuk munden të përballojnë shpenzimet për kompjuter e internet?
Pyetjet më sipër janë retorike, pasi dihet tashmë nga të gjithë që kjo qeveri nuk ka para as për arsim e as për shëndetësi por vetëm për koncesione e PPP. Kundër plehrave, pro edukimit!