Ministri Koka shpërthen ndaj deputetëve që dolën kundër mbetjeve
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka është shprehur i revoltuar nga pretendimet me të cilat disa nga deputetet e mazhorancës votuan kundër ligjit të plehrave.
Sipas tij, të vetmit e mirë informuar ishin aktivistët e shoqërisë civile, ndërsa deputetët duhet të lëvizin nga restorantet dhe të informohen mbi përmbajtjen e ligjit.
“Deputetët që votuan kundër, të lëvizin nga restorantet dhe të informohen ne ministri, nuk ka derdhje mbetjesh nga riciklimi në lumej e det” deklaroi ai.
Kuvendi miratoi dje me 63 vota “pro”, 27 kundër dhe 4 abstenime, ligjin për importin e mbetjeve urbane.
Ligji kaloi vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa opozita votoi kundër. Por edhe nga radhët e mazhorancës ka pasur rrjedhje të votave.
Gjatë votimit ra në sy vota kundër e tre deputetëve socialistë, Ben Blushi, Dashamir Peza dhe Mimoza Hafizi, ndërsa tre deputetet, po të grupit parlamentar socialist, Klodiana Spahiu, Arta Dade dhe Luljeta Arapi kanë abstenuar.
Kryetari i Kuvendit Ilir Meta nuk ishte i pranishëm në seancë, ndërsa deputetët e PDIU s’kanë marrë pjesë në votim.
Seanca drejtohej nga deputeti i PD, Edmond Spaho. Votë abstenuese ka qenë edhe ajo e deputetit të LSI, Përparim Spahiu, ndërsa Spartak Braho nuk ka votuar.
Kundër votoi edhe kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule. Ndërsa një votë pro ligjit është ajo e deputetit të Partisë Demokratike, Mhill Fufi. Ndonëse pjesa tjetër e deputetëve të PD votojnë kundër, është Genc Pollo ai që ka abstenuar.
KOHA JONË SONDAZH

