Mjekët shqiptarë në Itali, një veprim diplomatik i zgjuar i Shqipërisë

Nga Nikoll LESI

Edi Ramën e kemi sulmuar, copëtuar dhe sakatuar si media me të drejtë për vendime e veprime nga më të ndryshme në këto vite. Edi Rama nuk pranon kritika dhe dihet tashmë reagimi i tij arrogant. Por nuk është ky thelbi i asaj që duam të themi sot.
Vendimi i kryeministrit Rama për dërgimin e një kontigjenti modest mjekësh dhe infermierësh shqiptarë pikërisht në zonën më të nxehtë të koronavirusit në Itali (Lombardi) mbetet një vendim i duhur. Ishte vendim humanitar, ndihme, politik dhe diplomatik.
Mbi të gjitha njerëzor.
Edhe mundet për të fituar pikë për vete si Edi Rama, dhe ia ka arritur në arenën ndërkombëtare, momentalisht. Gjithë mediat italiane flasin për këtë vendim shqiptar. Edhe mediat kryesore të huaja.

Kam folur dje dhe sot me të njohur shqiptarë që punojnë në Itali. Me thonë se na shikojnë ndryshe italianët sapo lajmet dhanë se erdhën 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë në Lombardi. Jemi krenarë!

Natyrisht ndihmë është prej Shqipërisë, por gjithsesi nuk ka mbetur Italia në dorën e Shqipërise, pasi ajo edhe e plagosur siç ndodhet, nuk dorëzohet kollaj. E megjithatë popullariteti i Shqipërisë u rrit, u tregua një vlerë shpirtërore e popullit shqiptar ndaj kujtdo në hall, por veçanërisht ndaj popullit italian që na është gjendur në vitin ’90, ’91,’92 në vitin e mbrapshtë 1997 e me radhë.
Italisë i duhej ky vendim shqiptar, pasi ndonëse fiton Shqipëria dhe personalisht Edi Rama në këtë rast, por Romës zyrtare i duhej një veprim i tillë sfidues nga një vend i vogël dhe i varfër. I duhej Italisë sepse BE-ja nuk po e ndihmon Italinë, ndonëse është anëtare themeluese e BE dhe i ka dhënë në 18 vitet e fundit afro 200 miliard euro (nga statistikat) për thesarin e financave të BE.
Vetë fakti që doli dhe i priti në aeroport si heronjë, 30 mjekët e infermierët shqiptarë, ministri i jashtëm italian tregon se sa i duhej Italisë ky veprim shqiptar në raport me BE.
Ndërsa Presidenti i Republikës, Ilir Meta në intervistë me RAI tha se “Është një sfidë e përbashkët, sepse është një kërcënim i përbashkët për vendet tona, për njerëzit tanë, në veçanti për marrëdhëniet midis popullit italian dhe atij shqiptar, që është shumë e fortë, duke marrë në konsideratë, jo vetëm të gjithë komunitetin shqiptar, e kam fjalën për atë arbëresh, që jeton në Itali, por edhe për komunitetin e ri të shqiptarëve të cilët erdhën në Itali gjatë tre dekadave të fundit”.

Te 30 mjekët dhe infermierët shkuan për ndihmë, por edhe do mësojnë me tepër. Gjithsesi kur të vijnë mund të na duhen edhe këtu në Tiranë, nëse situata shkon rrezikshëm.
Edi Rama natyrisht e ka ideuar, skenuar çdo metër edhe në aeroport se si do rrinin mjekët, si do hypnin të 30-të në avion, etj. Për këto lloj veprimesh është regjizor i lindur. Por ama bëri një veprim që do mbetet gjatë në memorien e vendit tonë, por edhe atij italian.
Për të tjerat, pastaj kthehemi te fillimi i shkrimit!

SHKARKO APP