Nga Oerd Bylykbashi/ Kush e vrau Havzi Nelën?‎

Përvjetori i vrasjes së Havzi Nelës, përveç se moment përkujtimi, duhet të jetë moment reflektimi ‎për PD-në në opozitë.

Në fakt çdo ditë e kalendarit mund të jetë ditë kur përkujtohet, jo vetëm poeti i ekzekutuar pse i shkroi lirisë. Do të ngjante si një kalendar shenjtorësh, ku secila prej 365 ditëve të vitit mban emrin e martirëve të lirisë‎ që u vranë në atë datë. ‎Çdo ditë në kalendar do të mbante emrat e dhjetëra e qindra shqiptarëve që u vranë nga regjimi katil komunist. ‎Ndoshta ky kalendar duhet bërë patjetër.

Përvjetori i Havzi Nelës duhet të na bëjë të reflektojmë për ish-të përndjekurit që mbeten po aq të përndjekur dhe të dhunuar në dinjitet dhe ish-pronarët, ‎të cilëve parashtesa “ish” u ka mbetur si një damkë me zjarr e që qeveritë e këtyre 25 viteve nuk ua kthyen dot pronat, ose që i rishpronësuan si kjo e Edi Ramës që po gatitet të nisë mandatin e ri.

Këto dy kategori fisnike ishin themeli dhe kolona e PD-së. Ishin, sepse sot, ashtu dalëngadalë, ata njerëz fisnikë u gjendën të abuzuar, harruar, neglizhuar apo injoruar. Çdo gjë që kemi bërë për ta nuk mjafton! Lënia pas dore e tyre do të thotë të largohesh nga kolonat e identitetit tonë politik. Kjo duhet ndrequr patjetër!

Këta njerëz provuan burgjet, sepse deshën liritë individuale, politike, sociale, ekonomike‎ e pronësore. Deshën dhe kërkuan pikërisht ato të drejta që ne sot i mbajmë në kapitullin e parë të Kushtetutës, si një pikturë e bukur në kornizë apo buqetë lulesh në një vazo me ujë, por vetëm kaq.

Themeli i vuajtjes së tyre, dje kur u zhvatën dhe u plasën burgjeve nga brutaliteti i injorancës malinje komuniste‎ dhe sot, kur të drejtat dhe dinjiteti u nëpërkëmbet ende, sepse në krye të shtetit janë ringjitur persekutorët e tyre në vetë të parë, janë vetë të drejtat e njeriut. Ato të drejta për të cilat u themelua Partia Demokratike.

Ndaj, ish-të përndjekurit dhe ish-pronarët janë shtyllat tona identitare. Ndaj ata duhet të kthehen në fokus të opozitës, sepse mishërojnë betejën tonë për të drejtat dhe liritë individuale.

Kemi mijëra martirë të krimeve komuniste, por nuk kemi emrat e kriminelëve, e aq më pak dënime për krimet e tyre. Krim pa kriminelë nuk ka. Krimet e nazizmit kanë edhe emrat e kriminelëve nazistë. Krimet e komunizmit duhet të kenë ato të kriminelëve komunistë. ‎

Sot anash emrit të Havzi Nelës dhe emrit të secilit martir duhet vënë emri i kriminelëve që u mori jetën vetëm pse kërkuan liritë dhe të drejtat‎. Emrat e këtyre kriminelëve, që morën vendimin duke shënuar pak fjalë në cep të raportit “të pushkatohet”; të atyre që vendosën me zell kriminal firmat e tyre nëpër raporte e vendime presidiumesh, vendimesh gjykatash, apo pretencash prokurorësh, e aktesh hetuesie, si dhe emrat e atyre që tërhoqën këmbëzën, apo shtynë stolin poshtë këmbëve, duhen shënuar në gërma të zeza në murin e turpit.

Kjo kërkon kurajo morale dhe qartësi veprimi politik rreth vlerave tona bazë tani e tutje. Ky është minimumi!‎‎

Shënim: Autori është deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.

SHKARKO APP