Nga Polonia, Presidenti Biden thotë se Kievi qëndron i fortë: Putin nuk do ta rindërtojë perandorinë
Pas vizitës suprizë në Kiev, presidenti i SHBA-së, Joe Biden përforcoi mesazhin e përkushtimit amerikan ndaj krahut lindor të aleancës që ndodhet më pranë konfliktit, duke i dërguar një mesazh të qartë Moskës nga Varshava. “Kievi qëndron i fortë dhe NATO është më e bashkuar se kurrë”,-ishte ky mesazhi që dha presidenti Biden në një fjalim nga Varshava.
Presidenti Biden siguroi Ukrainën dhe aleatët e NATO-s për mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës. “Një vit më parë, bota ishte e shqetësuar për rënien e mundshme të Kievit. Kievi qëndron i fortë, Kievi qëndron krenar, qëndron i papërkulur dhe më e rëndësishmja, qëndron i lirë. Ukraina nuk do të jetë kurrë një fitore për Rusinë“, tha presidenti Biden.
Biden shtoi se NATO-ja nuk do të përçahet dhe SHBA nuk do të dorëzohet në mbështetje të Ukrainës, aty ku lufta po hyn në fazë tjetër. Ai tha se Putin po përballet sot me demokraci më të forta. Duke iu përgjigjur Putinit që bën fajtor perëndimin për luftën në Ukrainë, Biden tha se perëndimi nuk po bën komplot për të sulmuar Rusinë, por po mbron demokracitë.