Ngjarjet në Kosovë, Nishani: Serbët po i kthehen kohës së Millosheviçit

Arrestimi i kreut të AAK-së Ramush Haradinaj në Francë për një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia në vitin 2004 si dhe ndalimi i trenit serb para se të hynte në Kosovë, që mbante parulla “Kosova është Serbi” duket se kanë sjellë një frymë të re tensioni mes dy vendeve, në luftë dikur. “Zjarrit” i ka fryrë sot edhe gazeta serbe ‘Blick’ e cila ka publikuar një dokument, sipas të cilit Ministra e Brendshme serbe bënte thirrje për mobilizim ushtarak.

E kur paqja duket kaq e brishtë, Tirana zyrtare ka një mesazh. Kreu i Shtetit, Bujar Nishani në pritjen e parë për vitin 2017-të me ambasadorët e akredituar në vend ka deklaruar se Serbia nuk mund të mbajë në fuqi masat e Millosheviçit.

“Mbajtja në fuqi nga Serbia e masave të Millosheviçit për Kosovën nuk i shërben frymës së pajtimit. Bllokimi i Kosovës në nivel rajonal dhe kombëtar bie ndesh me angazhimet e marra nga ata. Ne kërkojmë ecje përpara dhe jo kthim pas, në kohët e errëta kur regjimi i Millosheviçit aplikonte spastrim etnik”, – tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Më tej, Presidenti i Shqipërisë u shpreh se për ne është me rëndësi ruajtja konform standardeve ndërkombëtare e statusit të të gjithë bashkëkombësve tanë në rajon.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Shqipëria kurrsesi nuk do mund të neglizhojë vëmendjen konform standardeve ndërkombëtare ndaj statusit të bashkëkombësve tanë në të gjitha vendet e rajonit. Respektimi i tyre është thelbësor”,- tha Nishani.

“Vitet e fundit rajoni i Balkanit ka bërë progres duke lënë pas të shkuarën konfliktuale, vendet kanë qenë të orientuara drejt pajtimit e bashkëpunimit, edhe ky progres duhet mbrojtur dhe promovuar më tej. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA ishte elementi substancial për paqen dhe pajtimin në rajon, Shqipëria e ka mbështetur fuqimisht dhe pa rezerva”,- tha Nishani, i cili shtoi se “ngjarjet që minojnë këto situata nuk i shërbejnë aspak stabilitetit të gjithë rajonit”.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?