Meta dhe Veliaj bashkë në Hungari, por pse nuk e tregojnë?

Nga Afrim Krasniqi-
Nuk jemi më 1914 apo 1919, por më 2021! Shqipëria duhet të bindë vendet e BE për tu bërë pjesë e familjes europiane. Ja një rast (i humbur) lobimi: më 5 korrik 2021 në Budapest përurohet busti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, një figurë historike, e cila për shkak të lidhjeve me János Hunyadin respektohet edhe në Hungari. Të gjitha mediat shqiptare raportuan për ngjarjen por me një ndryshim të thellë: gjysma raportuan se Presidenti Meta inauguroi bustin në prani të presidentit hungarez Janos Ader, gjysma tjetër raportoi se busti u inaugurua nga kryetari i bashkisë Veliaj dhe homologu hungarez Karácsony! Presidenti shpërndau fotot e tij, kryebashkiaku shpërndau fotot e tij dhe si në një komedi absurde, asnjëri prej tyre nuk citon praninë e Tjetrit dhe as nuk shpërndajnë foto të Tjetrit. Madje, e njëjta foto (e evidentuar në një video gjatë ceremonisë) ku Presidenti Meta është djathtas presidentit Ader dhe pak më majtas tij është kryetari i bashkisë Veliaj, është ndarë nga Presidenca dhe bashkia, secila duke e prerë atë tek pika ndarëse, Presidenti hungarez, pra duke retushuar prezencën e tjetrit. Censura dhe manipulimi me lajmin ka shkuar aq larg sa palët kanë shpërndarë video nga ceremonia, duke prerë çdo pamje ose foto të Tjetrit, duke krijuar idenë e dy ceremonive paralele, – një punë sfilitëse për stafet ndihmëse censuruese të Presidentit dhe të kryetarit të Bashkisë. As faqja zyrtare e Presidentit hungarez dhe as faqja e kryetarit të Bashkisë Budapest, nuk kanë publikuar foto zyrtare nga aktiviteti. Në këtë rivalitet shqiptar protagonizmi, është dashur një postim i ambasadorit të Kosovës në Budapest që të konfirmojë se në ceremoni ka qenë Meta dhe Veliaj, ndryshe do të ishte e pamundur të kuptohej ky fakt. Nga ana tjeter, Ambasada e RSH nuk ka bërë lajm, – një zgjidhje oportune për të qenë “korrekt” me dy palët e ndara të që zyrtarisht përfaqësojnë vendin e shqiponjave.
Një zhvillim i tillë do të ishte i denjë për ndonjë skenarist të aftë komedish. Por në të vërtetë ky nuk është një rast për të qeshur, dhe pavarësisht alibive teknike, – ky është një rast trishtimi, zhgënjimi dhe zemërate mbi cilësinë e shtetarëve që na përfaqësojnë, mbi degradimin e kulturës institucionale dhe mbi dëmin që individë më pushtet të djeshëm e të sotëm i kanë bërë ose i bëjnë imazhit të vendit. Një shoqëri serioze, një vend serioz, një shtet serioz, një publik serioz, një media serioze, nuk do të toleronte skena të tilla. Ne po, i tolerojmë dhe me siguri autorët e tyre dhe turmat militante që kanë nga pas, argëtohen me to. Fatkeqësisht!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?