Berisha: Biznesi të përdorë fuqinë ekonomike kundër qeverisë, Rama të dorëhiqet ose s’do gjejë vrimë miu ku të futet
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjete sociale, Sali Berisha, thotë se gjatë protestave të këtyre 4 ditëve, është hedhur gaz më shumë se në të gjitha protestat e organizuara gjatë këtyre 30 viteve të marra sëbashku.
”Janë hedhur sasi të mëdha gazi, shtazëri e urdhëruar nga Edi Rama. U përdor gaz i skaduar me efekte toksike dhe negative. Janë marrë nga ushtria sasi kolosale gazi. Gjatë këtyre ditëve protestë, është hedhur më shumë gaz se në 30 vite protesta të marra sëbashku”, nënvizoi Berisha. Duke i krahasuar protestat e këtyre ditëve me ato të vitit 1990, Berisha tha se në atë kohë nuk kishte skena të tilla, sipas tij me çarje kafkash dhe thyerje kockash.
”Kurrë ndonjëherë një egërsi e tillë ndaj protestuesve nuk është dëshmuar në rrugët e Tiranës. Kam qenë dëshimtar i protestës së 9 dhjetorit të 1990, ndaj të cilës vepruan me egërsi të madhe forca të policisë së shtetit, gardës dhe zampistët. Kam ndjekur të plagosurit në atë fushë betejë. Nuk kisha parë skena më horror. Por skenat që po shohim sot, i tejkalojnë ato të 1990-ës. Atëherë nuk pati thyerje kockash, duke hipur me shqelm mbi trupin e protestuesit. Nuk pati skena të tilla”.
Teksa paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se nuk do të ketë vrimë miu që të futet nëse nuk jep dorëheqjen, Berisha ftoi biznesmenët që të ‘përdorin forcën e biznesit të tyre kundër qeverisë. ”Ftoj çdo qytetar, çdo biznesmen, të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie. Të ulin qepenin, do të thotë se janë në protestë”, tha mes të tjerash Berisha.

