Nuk ndalen gjobat në Arbitrazh. Padi 90 mln euro, pasi qeveria “Rama” prishi kontratën me kompaninë e huaj
Pas 150 milionë eurove në vitin e fundit që duhet ti paguhet biznesmenit Italian Francesko Beketi dhe kompanisë Aktor, Shqipëria rrezikon në arbitrazh një tjetër faturë të majme. Konsorciumi ‘Dondi Itali & Kubota, Japoni’ që u kontraktuan për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve në Kashar kanë paditur në Arbitrazh qeverinë shqiptare ku kërkojnë 90 milionë euro për ndërprerjen në mënyrë të njëanshme të kontratës.
Qeveria vendosi të ndërpresë kontratën pasi ishin kryer 70% të punimeve dhe ishin investuar 56 milionë euro që gjithashtu shkojnë dëm, pasi projekti nuk u përfundua.
Shqipëria rrezikon një tjetër faturë të majme financiare për prishje kontratash me kompanitë e huaja. Pas afro 105 milionë euro që shteti duhet ti paguaj biznesmenit italian Francesko Beketi dhe 44 milionë euro kompanisë greke Aktor një faturë prej 90 milionë eurosh pritet t’i ngarkohet në vijim Shqipërisë. Bëhet fjalë për prishjen e kontratës në mënyrë të njëanshme nga qeveria Rama me firmën ‘Dondi, Itali & Kubota, Japoni’ për projektin e ‘Përmirësimit të sistemit të kanalizimeve të Tiranës së Madhe’ në vitin 2018, mund t’i kushtojë Buxhetit të Shtetit rreth 90 milionë euro.
Tashmë bashkimi i kompanive i është drejtuar Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë, Londër, ku i kërkon shtetit shqiptar dëmshpërblimin për fondin 90 milionë euro, pasi projekti mbeti i papërfunduar.
Në vitin 2018 edhe nga një audit i KLSH-së u gjetën shkelje në shkëputjen e kësaj kontrate e cila ishte e financuar nga Banka Japoneze për Zhvillim, pas një marrëveshje mes Qeverisë shqiptare dhe qeverisë japoneze në vitin 2014, e cila u ratifikua me ligj të posaçëm nga Kuvendi.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës për zgjidhjen e kontratës nuk ka marrë miratim paraprak nga financuesi Banka Japoneze për Zhvillim, ‘JICA’ dhe nuk ka marrë parasysh sugjerimet dhe vërejtët që i ka bërë Këshilli i Mosmarrëveshjeve, që kanë të bëjnë, kryesisht për: mungesën të hapësirave për të kryer punimet; mungesën apo vonesa të tej zgjatuara të pagesave në vlera bllokuesve ndaj kontraktorit si, vonesa në likuidim të TVSH dhe pagesat e situacioneve; mungesa apo vonesa të theksuar bashkëpunimi në lidhje me marrjet e lejeve, miratimet e punimeve, etj; probleme të hasura gjatë zbatimit me projektin dhe mungesa e gatishmërisë për korrigjimin apo përmirësimin e tij, etj. Duke marrë në konsideratë paligjshmërinë e zgjidhjes në mënyrë të njëanshme të kontratës ka shumë gjasa që kontraktori këtë çështje ta fitojë dhe buxheti i shtetit do të paguaj një shumë të konsiderueshme që llogaritet mbi 90 milion Euro.
Më tej KLSH i ka sugjeruar qeverisë që për të shmangur dëmin ekonomik që mund të vijë si pasojë e humbjes sëprocesit gjyqësor në Arbitrazh të nisin negociatat me kompaninë për ti kërkuar tërheqjen e tij nga çështje që ka hapur në këtë gjykatë, dhe njëkohësisht në këmbim, ti kërkojë të rilidhë kontratën për vazhdimin e zbatimit të punimeve.
Por qeveria Rama ka injoruar të gjitha sugjerimet dhe ka vijuar me rrugën e saj për shkëputjen e kësja kontrate, duke e shtuar edhe më shumë dëmin që mund ti shkaktohet buxhetit të shetit. Dhe në rast të humbjes në Arbitrazh, veç faturës prej 90 milionë euro, buxhetit I shtohet edhe dëmi prej 56 milionë euro që janë investuar tashmë, por nuk janë përfunduar, e për pasojë dalin jashtë funksionit dhe për shkak të amortizimit.