Oerd Bylykbashi: Kanabisi, ky projekt politik i Edi Ramës
Edi Rama është njeriu që ka ndenjur më gjatë se kushdo në pushtet. Ka bërë çdo gjë për të qëndruar në pushtet. Ka qenë gati të bëjë edhe “aleancë me qelbësirat”, që të rimerrte pushtetin e humbur, dhe e bëri.
Edi Rama, me justifikimin se ndryshe nuk e mundte Sali Berishën, bëri në qershor 2013 paktin me krimin. Me “çelësin” e firmës për listat e kandidatëve, ai hapi nga brenda portën e kalasë (së korruptuar, por jo të kriminalizuar) së politikës dhe i futi kriminelët në parlament, e më pas në bashki. Kjo tashmë nuk do prova.
Që para zgjedhjeve të 2013-ës, Edi Rama, Sajmir Tahiri e Co. i paskan pasur idetë të qarta: në fillim pakt me krimin për të marrë pushtetin dhe më pas t’i hapnin rrugët bandave.
Përgjimet e Habilajve tregojnë se vetëm një muaj pasi Edi Rama u bë Kryeministër dhe Sajmir Tahiri Ministër i Brendshëm, Habilajt tentuan të trafikonin mbi 1,6 ton kanabis në Itali, por droga u kap nga karabinierët dhe ata shpëtuan paq pa u arrestuar (madje Habilajt e thonë se duhej të merrnin borxh për ngarkesën e re, pra ishin ende në fillimet e tyre). Kjo tregon se këta kriminelë kishin marrë garancitë që në korrik 2013, kur Rama shpalli qeverinë e re dhe Sajmir Tahirin si ministër të Brendshëm që të operonin nga Shqipëria për sasi rekord, si kurrë më parë. Dhe kjo vetëm një muaj pasi Rama e Tahiri kishin bërë betimin.
Ku e gjetën sasinë e drogës? Lazarati, i rrethuar me kordon policor prej shumë vitesh, me depot plot prodhim të mbetur stok, tashmë ishte i lirë të zbrazte magazinat. Habilajt me sa dukej ishin kallauz perfekt. Të gjithë e dinë eksplozionin e kanabisit drejt brigjeve italiane dhe kufirit grek në periudhë nga shtatori 2013 deri sa filloi operacioni ndaj Lazaratit. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë. Mos harroni, që në Mars e Prill 2014, PD denoncoi avionët e drogës, përdorimin e aerodromit të Gjadrit dhe fikjen e radarëve, ngriti komision hetimor për drogën derisa prova ra nga qielli bashkë me avionin e Riformatos me 10 maj 2014 dhe ua mbylli gojën Ramës e Co. Ndërhyrja në Lazarat u duhej atyre tashmë si fashitje e skandalit.
Në tetor 2013, Habilajt blejnë edhe makinën e Tahirit, e mbajnë në emër të tij dhe me këtë “imunitet” faktik kalojnë kufirin sa herë u duhet.
Me 16 dhjetor 2013, Habilajt interceptohen nga Guardia di Finanza italiane duke thënë që Sajmiri (hetuesit italiane supozojnë se ishte kushëriri i Habilajve, Sajmir Tahiri) ka bërë 5 milion euro në një muaj. Së pari, kuptohet habia e Habilajve që në vetëm 3 muaj ministër, ai kishte kapur këto shifra. Së dyti, kuptohet logjikisht që ky fakt është diçka që i referohet tetorit apo nëntorit 2013. Vërtet shumë shpejt!
Po ka më keq. Po në përgjimin e asaj date, 16 dhjetor 2013, Habilajt e thonë: Sajmiri shpenzon 5-20 milion euro në fushatë zgjedhore, madje nuk i mjaftonin (?!). A ka më ekuivok se cili qenka ky Sajmir, politikan i lartë shqiptar, sipas hetuesve përgjues, e që është kushëri i Habilajve, që bëka fushatë zgjedhore, harxhoka miliona euro në fushatë dhe në dhjetor ishte njeri me emër të rëndësishëm?
Po në cilat zgjedhje qenkan harxhuar nga Sajmiri këto para, këto 5 milionë euro? Nuk ka asnjë ekuivok: zgjedhjet e 23 qershorit 2013 (biseda është përgjuar në dhjetor 2013). Pra, edhe pse në opozitë, pakti me krimin u paska siguruar paratë dhe rrjetin e blerjes së votave dhe pushtetin në atë vit. Të gjithë e mbajnë mend që opozita e re e PD-së e denoncoi shit-blerjen e votave që me protestën e tetorit 2013, edhe pse me kokë të ulur se kishte qenë ajo në qeveri dhe nuk kishte arritur dot ta ndalte këtë fenomen, e në fund humbi zgjedhjet edhe për këtë arsye.
Këto lidhje, ndoshta, shpjegojnë rritjen e shpejtë në hierarki dhe pushtet të Sajmirit, këtij të riu ambicioz, që nga një shpjegues me shkumës në dërrasë të zezë të deklaratave në hollin e selisë së PS-së (besoj shumë e kujtojnë me duart me pluhur shkumësi), u bë brenda pak vitesh njeriu i dytë më i fuqishëm i qeverisë. Një rritje vertikale që të lë pa fjalë! Këto lidhje e kjo mbështetje në lidhjet me krimin ndoshta shpjegojnë pse Sajmir Tahiri ishte i vetmi deputet nga këta të rinjtë në dukje “normalë” të PS-së që qëndronte sypatrembur në krye të 300 “spartanëve” të krimit që goditën me hunj e me sende të forta policinë me 21 janar 2011 përpara Kryeministrisë, kur ndërkohë protestuesit socialiste ishin ende tek Hotel “Dajti”.
Më pas erdhën zgjedhjet e Korçës në tetor 2013, lokalet e 2015, ato të Dibrës në shtaor 2016 dhe në fund masakra e shit-blerjes së votave në shkallë vendi në 2017-ën, saqë ODIHR-i e vuri në vendin e dytë rekomandimin për luftë të fortë ndaj këtij fenomeni.
Ja ku jemi pra. Italianët thonë që në 2017-ën, vetëm në 10 muajt e parë janë kapur rreth 40 ton. Dihet nga burimet zyrtare se ajo që kapin forcat e policisë janë 1/10 e asaj që arrin në brigjet e tyre, pra i bie që të jene nisur 400 ton drejt Italisë. Kreu i prokurorisë antimafia italiane, Roberti, thotë se sasitë e kanabisit që po mbërrijnë në Itali jane rekord i paprecedent dhe po përmbytin fqinjin apenin. Kjo, pa llogaritur atë që shkon në Greqi, si dhe tonelatat që iu kapën këtu trafikantëve që nuk janë të lidhur me policinë. Këto kapje rekord, kur tashmë flitet për tonelata dhe jo më për dhjetëra kilogramë, apo kuintalë, që trafikoheshin me mushka nga Lazarati në të kaluarën, sigurisht flet për një rritje eksponenciale dhe sofistikim të trafikimit dhe jo për “rilindje” të policive italiane dhe greke pas shtatorit 2013. Ato polici mbeten po ato që kanë qenë, thjesht kapin më shumë se kalon shumë më shumë.
Sasia është rekord, madje e tillë që ka ulur edhe çmimin me shumicë në Shqipëri. Nga 1800 euro/kg që përflitej në Jug në verën e 2015-ës për shkak të monopolizimit nga Habilajt, në më pak se 100 euro për kg ne 2017. Tani këta mavritë e qeverisë krenohen se në 2017-ën janë mbjellë vetëm 60 mijë bimë. Po, a ka injorant që shpenzon para për të mbjellë sasi të reja kur tunelet, magazinat e hambarët janë plot?! As logjika më e thjeshtë e tregut nuk ta lejon. Kush është ai që investon me humbje?
Media raporton se Guardia di Finanza deklaroi në Tiranë gjatë vizitës së Ministrit të Brendshëm italian Minniti që në 2016, viti i mbjelljes dhe trafikimit rekord para zgjedhjeve të 2017, ishin mbjellë 219 mijë hektarë. Pra, nëse kjo është e saktë, janë plot 2 miliardë e 190 milionë metra katrorë (?!?!?) “Ustallarët” të thonë që një bimë kërkon 1 m2, pra aritmetika na thotë që janë mbjellë 2 miliardë e 190 milionë bimë. Një bimë jep një kg, pra qenkan prodhuar 2 miliardë e 190 milionë kg?! 2 milion e 190 mijë ton?! Po edhe sikur 1/100 të jetë e vërtetë, janë mbi 20 mijë ton. Edhe kaq të lë pa frymë!
Por, kur me 5 milionë eurot fitim mujor të Saimirit që i harxhonte në një fushatë stërfitohen zgjedhjet në një qark dhe kur me 20 milion euro mund të blesh të gjithë zgjedhjet, çfarë gjëme ka ndodhur me zgjedhjet në 2017-ën?
Video selfiet e kryeministrit në breg të detit, ku hakërrehet se do bëka një plan sekret për të luftuar lidhjet e krimit me politikën bëjnë të qeshin edhe çakejtë ndër male, po paktin sekret me krimin nuk e fshehin. Nuk e fshehin me shoshë këtë pakt kriminal të Edi Ramës. Edhe agjentët e FBI-së që po vijnë në Tiranë nuk janë gjë tjetër, veçse “pranga” të partnerëve në duart e këtij Puparoje të krimit që nuk po di të ndalet në marrëveshjen e tij me krimin.
Giovanni Falcone thoshte: ndiq paranë dhe do te gjesh Mafian. Po të ndjekësh rrugët e nëndheshme të këtij lumi parash kriminale, të gjitha linjat e kësaj metroje që shtrihet si metastaza kanceri nën lëkurën e shoqërisë, politikës dhe shtetit, të çojnë tek Rama dhe pakti i tij me krimin në 2013-ën.
Sajmir Tahiri ishte vetëm stacioni i parafundit i kësaj linje metroje, për momentin i mbyllur për riparime kapitale. Po kjo nuk është linja e vetme e kësaj metroje, ku stacioni qendror e ka emrin me gërma kapitale EDI RAMA.