Opozita si zëdhënëse e lajmeve ditore, aksionin e rinis në shtator
Redjon Shtylla
Pas zgjedhjeve të 25 prillit, PS-ja doli fituese me 74 mandate dhe në shtator formohet qeveria “Rama 3”, ku pritet të ketë lëvizje edhe të ministrave. Që pas asaj dite, opozita (PD dhe LSI), bashkë me aleatët e selisë blu, dilnin në deklarata për shtyp, duke u shprehur nuk njohin zgjedhjet, por në shtator do të ulen në Kuvend si opozitë. 8 vite në opozitë, PD-ja ka denoncuar mjaft skandale të qeverisë, por që nuk arriti që të siguronte votat për të krijuar ajo qeverinë e re. Prej dy muajsh opozita duket sikur po “shijon” pushimet verore, si të ishin nxënës dhe në shtator do të rikthen në shkollë, kurse opozita në Kuvend, pas një mungese prej 2 vitesh.
Agresve është treguar opozita në Bjellorusi, tani në Brazil po bëhet nami me protesta, por në Shqipëri sipas edhe vetë deklaratave të deputetëve opozitarë, aksioni do të rinis në shtator, sikur hallet e popullit nisin në shtator. A është kjo mungesë revolte dhe të përshkallëzimit të aksionit opozitar që nuk bindën votuesit që votat ti kalonin për PD-LSI, apo zgjedhjet u blenë nga krimi siç thotë PD-LSI? A duhet që opozita të jetë e para që denoncon dhe mban qëndrime kritike ndaj qeverisë dhe punës së saj, dhe jo të jetë si zëdhënëse e lajmeve ditore?
Situata në plazhe është e rëndë, ku vetëm pak ditë më parë u bë një masakër me 4 të vrarë për disa metra tokë. Duke parë që ky është një problem madhor, pse opozita nuk e denoncoi dhe të kërkontë zgjidhje nga qeveria? Pse opozita nuk ngrihet për situatën e plehrave që kanë pushtuar qytetin e Durrësit? Pse opozita nuk u ngrit në protesta për të mbrotjur maturantët që u dogjën nga mësimdhënia online dhe tashmë në provimet e maturës kanë marrë rezultate tejet të ulëta dhe rrezikojnë të mbesin pa shkollë të lartë? Çfarë skandali ka zbuluar opozita?
Nëse opozita kërkon vërtet të marrë fatet e Shqipërisë në dorë, nuk duhet që të jetë zëdhënëse e lajmit të ditës, se atë pjesë e mbulojnë me mijëra protale në vend, por opozita duhet që të jetë në ballë të probleme që kanë qytetarët dhe të kërkojë zgjidhje, nëse do që të jetë zgjedhje e qytetarëve.
Opozita nuk ka zgjidhje tjetër veçse përbashkim dhe luftë pa kompromis ndaj qeverisë. Pas 25 prillit, PD dhe LSI janë parë disi të ndara dhe ende sot nuk dihet sesi do të vazhdojë beteja e tyre tashmë brenda Kuvendit, por që duhet të jenë bashkë, pasi në të kundërt kryeministri Edi Rama do ti përçajë mrekullisht, pasi ka në dorë të gjitha pushtetet dhe mbetet mjeshtër i diversionit.