Opozita vijon konsultimet për kandidatin e Tiranës, Noka: Çështje ditësh do të kemi emrin
Partia Demokratike vijoi edhe sot konsultimet dhe negociatat me partitë e tjera opozitare për të zgjedhur emrin e kandidatit për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Tiranës.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka i caktuar nga kreu i PD-së Sali Berisha si një nga përfaqësuesit për të negociuar me partitë e tjera opozitare, zhvilloi sot një takim me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë Tedi Blushin si dhe deputetin Edmond Haxhinasto.
Në përfundim të takimit, Noka u shpreh se synimi i opozitës është gjetja e një figure dinjitoze, përfaqësuese për qytetarët, ndryshe nga socialistët.
“Opozita vazhdon konsultimet dhe bisedimet për t’i dhënë Tiranës, edhe bashkive të tjera, një figurë dinjitoze, përfaqësuese, që të ketë në fokus qytetarin, hallet dhe problemet e tij. Ndryshe nga regjimi i narkos. Opozita po përpiqet të gjejë një figurë përfaqësuese për qytetarët.
“Të jeni të sigurtë se kandidatë ka shumë, por po përpiqemi të unifikojmë qëndrimet tona dhe parametrat që duhet të ketë një kandidat, i cili të ketë në qendër të tij qytetarin dhe shërbimin ndaj qytetit”, tha Noka.
Noka tha më tej se për “çështje ditësh” do të kemi emrin e kandidatit nga opozita për bashkinë e kryeqytetit.
I pyetur nëse do të zhvillojë takime me drejtuesit e partive të reja në parlament si Adriatik Lapaj dhe Agron Shehaj, Noka u shpreh se “po vijojmë takimet intensive me të gjitha forcat politike parlamentare dhe pastaj në konsultë me të gjitha. Në partitë parlamentare përjashtohet e majta radikale e Qorrit”.
Nga ana tjetër deputeti i PL-së, Tedi Blushi u shpreh se opozita do të zgjedhë si kandidaturë një vaksinë “kundër” socialistes.
“Sigurisht të jetë një kandidaturë gjithëpërfshirëse. Pra përballë kandidates së Covid-it, ne po zgjedhim vaksinën e duhur, që do shëroje një herë e përgjithmonë kryeqytetin. Sigurisht do të jetë një kandidaturë e cila do e kthejë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve, e do të japë një herë e përgjithmonë fund paligjshmërisë, abuzimit, korrupsionit në këtë institucion”, tha Blushi.
Grupi i Punës së PD-së nisi dje konsultimet e para me aleatët tradicionalë të saj, Fatmir Mediun e Partisë Republikane dhe Agron Dukën e PAA-së për zgjedhjen e kandidatit nga radhët e opozitës. Nga ana tjetër PS ka caktuar si kandidate Ogerta Manastirliun.
KOHA JONË SONDAZH

