Osman Metalla: Ç’ndodh nëse Greqia zgjeron detin territorial në 12 milje? Nuk ka më marrëveshje, por okupim

Prof As. Dr. Osman Metalla –

Tema e zgjerimit te detit territorial te Greqisë nga 6-12 milje është bërë temë e ditës dhe që me të drejtë ka marrë një vëmëndje të konsiderueshme qoftë në media qoftë në opinionin e gjerë publik. Shume njerëz, madje dhe jo ekspertë, me dashamirësinë e tyre dhe me ndjenjën e fortë të mbrojtjes së territorit, janë munduar të kontribojnë duke sjellë secili argumenta sipas mënyrës së tij. Është sinqerisht për tu vlerësuar dhe për tu përshëndetur një ndjenjë e tillë dhe një sensibilizim i i menjëhershëm i këtij opinioni. Edhe ekspertë të ndryshëm janë prononcuar dhe unë vlerësoj çdo kontribut të gjithëkujt, pasi sa më shumë argumenta aq më shumë fuqizojmë pozicionin tonë në të drejtën që na takon në hapësirat detare.

Në këtë shkrim do të mundohem të trajtoj në fakt atë se çfar ndodh në të vërtetë me zgjerimin e detit territorial të Greqisë dhe a duhet të ndodhë një gjë e tillë. Sa herë që çelet nje temë e tillë pjesa më e madhe e ekspertëve e fillojnë argumentin me fjalët: “është e drejtë e Greqisë….“. Natyrisht çdo vënd ka të drejtat e tij, dhe ne jemi për të nxjerrë në pah atë që është e drejtë për ne dhe jo atë për çka të drejtë pala tjetër, sigurisht në asnjë rast pa cënuar të drejtën e saj. Greqia ka aq ekspertë sa qe nuk do te ishte e nevojëshme që ne ti vijmë në “ndihmë” për ti treguar të drejtat e saj, madje janë shumë më të përgatitur dhe me ekspertizë shumë herë më ta madhe se shumë prej nesh. Ndaj dhe argumenti im është të theksoj mbështetur dhe në parimet e ndarjes së drejtë dhe të ndershme (equity), përse zgjerimi i detit territorial të Greqisë është një veprim ekstrem i cili prish proporcionalitetet dhe ndarjen e drejtë dhe të nderëshme të hapësirave detare. Për të mos e bërë të vështirë problemin po i referohem skemave. Skemat e mëposhtme nuk janë harta por I kemi paraqitur vetëm për qëllime ilustrative dhe vizatimet në to nuk përfaqësojnë matje të sakta. Në skemën më poshtë, sipërfaqia e kufizuar me vija të kuqe të ndërprera përbën sipërfaqen e ujërave territoriale të shtetit Grek në kufirin e 6 miljeve detare. Në një matje të thjeshtë vërejmë se: Distanca nga kepi Drasli i cili ndodhet në anën VP të Korfuzit deri në kepin Potamopulo të ishullit Erikuza është 7,4 md. Ndërkohë nga kepi verior Skolini i cili është afro 0,5 milje i spostuar më në veri matet dhe gjerësia e detit territorial të Ishullit Erikuza. Kështu, distanca nga vija bazë e Korfuzit deri në kufirin e jashtëm të detit territorial të ujërave Greke shkon në 13,9 milje detare (matje e bërë afërsisht në drejtimin afërsisht PVP-330o).

Nëse të njëjtën gjë do të bënim me ishullin Othonoi, vërejmë se distanca nga vija bazë e bregut VP të Korfuzit për tek kepi Kastri i ishullit Othonoi është afërsisht 12 milje detare. Duk e i shtuardhe 6 milje detare det territorial të ishullit Othonoi, hapësira detare e detit territorial në drejtimin afërsisht PVP -300o) shkon në 18 milje detare. Nga këtu vërejmë se çfar efekti sjell pozicionimi i ishujve Erikuza dhe Othonoi në krijimin e hapësirave të shtuara të detit territorial Grek. Po ta shohesh me sy të lirë sipërfaqia e detit territorial Shqiptar në raport me sipërfaqen e detit territorial grek në këtë zonë është shumë më e vogël, dhe kjo e përsëris vjen si pasojë e disproporcionalitetit që krijon prezenca e këtyre ishujve në këtë zonë. Pjesa që është jashtë këtyre kufizimeve është ajo që quhet Zona Ekonomike Ekskluzive e cila ndahet më pas ndërmjet vëndeve.

Sikurse dhe vërehet lehtësisht nga kjon skicë ilustrative, gjerësia e detit territorial grek e matur nga brigjet e Korfuzit varion nga 12 deri në 18 milje detare, ndërkohë që pala Greke ka të deklaruar vetëm 6 milje det territorial.

Çdo të ndodhë me zgjerimin e detit territorial të palës Greke?

Zonat e përmëndura më lart do të zgjeroheshin edhe me 6 milje të tjera dmth distanca nga kepi Drasli i cili ndodhet në anën VP të Korfuzit deri në kepin Potamopulo të ishullit Erikuza do të shkonte deri në 18 milje detare dhe distanca nga vija bazë në bregun VP të Korfuzit në drejtim të ishullit Othonoi deri në kufirin e jashtëm të detit territiorioal do të shkontë 24 milje detare pretenduar dhe një sipërfaqe të konsiderueshme detare e cila sot është me statusin e Zonës Ekonomike Ekskluzive dhe për të cilën mendoj së mbështetur dhe në precedentët ndërkombëtarë Republika e Shqipërisë ka të drejtat e saj, pasi territory Shqiptar është dhe continental ndërsa greqia përfaqësohet nga ishuj.

Kështu, nëse do të verëjmë në skicën illustrative të mëposhtme efektin e zgjerimit të detit territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, atëherë vërejme se pothuaj të gjitha këto të drejta që Republika e Shqipërisë pretendon mbi këtë hapësirë, mohohen.

Sikurse vërehet në këtë skicë ilustrative, hapësira detare e detit territorial të Greqisë rritet ndjeshëm dhe efekti i ishujve është mjaft i fortë në zvogëlimin dhe pothuaj eliminimin e zonës ekonomike ekskluzive. Dy ishuj të vegjël, të cilët gjeografikisht kanë një pozicion të atillë që prishin të gjitha balancat territoriale të vëndeve. Njëkohësisht, hapësira detare ne veri te Korfuzit dhe në jugperëndim të bregut Shqiptar nga një hapësirë detare me juridiksion det territorial në një pjesë të saj dhe Zonë Ekonomike Ekskluzive në pjesën e mbetur, shndërrohet e tëra në det territorial, duke u shndërruar brënda natës në territor sovran grek çka i përngjet më shumë një okupimi se sa një ndarje të drejtë dhe të ndershme.

Ndaj dhe shpreh oipinionin tim me forcë se jam kategorikisht kundër zgjerimit të detit territorial në këtë zonë nga 6 në 12 milje pasi:

Së pari, situata ekzistuese flet per një hapësirë detare të detit territorial krejtësisht në favor të palës Greke (edhe përse duke ruajtur regjimin e detit territorial prej 6 milje detare), dhe kjo për shkak të efektit të dhënë ishujve Othonoi dhe Erikuza sa i përket hapësirës së detit territorial.

Së dyti, një zgjerim i hapësirës së detit territorial nga 6 në 12 milje, rrit në mënyrë thellësisht të dukshme disproporcionin e hapësirave detare në disfavor të Republikës së Shqipërisë.

Së treti mbështetur dhe në rastin e precedentëve ndërkombëtare apo dhe në rrethanat specifike të ndarjes së Kufirit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Greqisë efekti i dhënë ishujve mund të injorohet për shkak të efekteve disproporcionale qe prodhojnë në ndarjen e hapësirave detare. Praktika ndërkombëtare ka treguar se faktorë të tillë si distancat, madhësia e ishujve, efektet që prodhojnë në delimitim etj, janë marrë në konsideratë dhe kështu për shëmbull në rastin e ndarjes së detit ndërmjet Australisë dhe Papa Guinea-s së Re, disa ishujve të vegjël Australianë për vetë pozicionin që kishin në raport me shtetin tjetër ju dha vetëm një hapësirë e detit territorial me gjerësi 3 miljesh detare në drejtim të detit (në një kohë kur deklarimi i shteteve ishte për një gjerësi të detit territorial prej 12 miljesh detare). Në raste të tjera nuk u është dhënë efekt fare ishujve (zero efekt). Kështu në rastin e ishullit Rockall në delimitimin ndërmjet UK dhe Irlandës ju dha zero efekt për shkak të disproporcionit të madh që krijonte në ndarjen e hapësirave detare. Situata e ishujve të vegjël është nënvleftësuar nga shkrimet doktrinore në të cilat ndër të tjera thuhet: “përgjithësisht, efekti i dhënë ishujvë eshtë reduktuar; sa më i vogël ishulli, aq më i kufizuar roli (nëse kanë një të tillë) që ata luajnë në delimitim”.

Në disa raste ishujt janë injoruar dhe varësisht nga metoda e delimitimit të përdorur, si për shëmbull në rastin e marëveshjeve të Kenias me Tanzaninë (1976) apo Kilit me Argjentinën (1978), sërish duke argumentuar efektin disproporcional që sjell dhënia e efektit të ishujve në delimitimin e hapësirave detare. Rastet e trajtimit dhe gjykimit nga ana e Gjykatave dhe Arbitrazheve ndërkombëtare janë të shumta ndaj dhe, në përfundim mund të thuhet se në tërësi, Gjykatat dhe Arbitrazhet i kanë dhënë efekte të kufizuara ishujve në rastet e delimitimit të cilat ata kanë trajtuar. 

Sa më sipër negociatiorët Shqiptarë mbështetur në argumenta duhet të kërkojnë mos dhënien e efekteve të ishujve Othonoi dhe Erikuza dhe të konsiderohen vetëm efektet që Konventa i njeh Ishullit të Korfuzit sa i përket detit territorial, ndërsa duke konsideruar efektin Cut Off, të mos i njihet zona ekonomike ekskluzive.

Ndaj dhe do të kërkoja që zgjerimi i detit territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare duhet të gjejë, refuzimin energjik dhe të menjëhershëm të qeverisë Shqiptare, për të mos lejuar komplikimin e metejshëm të zgjidhjes së një marëveshje të drejtë dhe të ndershme. E drejta që në këtë rast pretendohet që buron nga Konventa UNCLOS është një e drejtë e cila duhet lexuar në frymën e Konventës dhe jo të jetë një e drejtë e deformuar, pasi Konventa UNCLOS në rastin tonë është lexuar dhe interpretuar në mënyrë mekanike, bardh e zi, pa marrë në konsideratë shumë prej faktorëve të përmëndur në këtë shkrim. Konventa vendos parimet e delimitimit, por në të gjitha rastet janë marëveshjet ato që përcaktojnë ndarjen e hapësirave detare ndërmjet vëndeve, dhe në asnjë rast nuk detyron zbatimin bardh e zi të parashikimeve të saj, madje fryma e konventës është arritja e zgjidhjes së drejtë dhe të ndershme. Deklarimi se Greqia ka të drejtë të zgjerojë detin territorial nga 6 në 12 milje është një lloj dorëzimi pa kushte i territorit. Nga një deklarim i tillë i Greqisë cënohet në mënyrë të drejtpërdrejt vetëm Republika e Shqipërisë, ndaj dhe jemi ne ata që duhet të reagojme dhe të mos e presim nga askush tjetër!

Lexoni edhe…

SHKARKO APP