Paralajmërimi, Xhafaj: Pasdite, dy operacione me Gjermaninë dhe Spanjën
Nga Lezha në ”Forumin për Sigurinë Publike”, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, paralajmëroi finalizimin në pasditen e të premtes së dy operacioneve të suksesshme me Spanjën dhe Gjermaninë për ngjarje të rënda kriminale.
”Jo më larg se sot, pasdite, policia e shtetit ka dy operacione të suksesshme me Spanjën dhe Gjermaninë që kanë të bëjnë me ngjarje të rënda kriminale dhe ne kemi nisur njëkohësisht me partnerët tanë çështjet penale”, tha Xhafaj.
Një fenomen shqetësues për ministrin e Brendshëm është edhe operacioni “antiSkifter”.
”Ne kemi nisur operacionin “anti-skifter” kemi krijuar grupe policie. Policia gjermane kërkon konfirmim tim si ministër për të miratuar disa punonjës policie që të punojnë pranë policëve gjermanë. Është çështje standardi kjo, dhe besimi tek aftësia dhe cilësitë e policisë së shtetit. Dua tu them gjithë këtyre djemve që kanë gjetur rrugën e gabuar. Do jetë ndëshkim i dyanshëm dhe për ata atje, po dhe këtu. Dosje penale jo vetëm atje ku ndodh ngjarja penale, po dhe në territorin e Shqipërisë”, tha Xhafaj.
Xhafaj foli për ato që i quajti spekulime për procesin e Vettingut. ”Kam qenë dhe mbetem i bindur çdo ditë që vetingu në policinë e shtetit ishte dhe është i domosdoshëm për të forcuar integritetin e policisë për të rritur besueshmërinë brenda radhëve të policisë por dhe mbi të gjitha besueshmërinë e qytetarëve te policia që duan të shohin te polici një njeri me figurë të pastër, në shërbim të tyre”, tha Xhafaj.
KOHA JONË SONDAZH

