Pas Ramës, kryeparlamentari Meta takim me Idrizin e PDIU-së
Pasi ka zhvilluar një takim me kryeministrin Edi Rama, paraditen e sotme në ambientet e “Vila 31”, kreu i Kuvendit Ilir Meta mësohet se është takuar edhe me kreun e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, konkretisht, në ambientet e hotel “Rogner”.
Në përfundim të këtij takimi, kryeparlamentari Meta iu përgjigj interesimit të gazetarëve për takimin e zhvilluar sot më herët me kryeministrin Edi Rama, ku në fokus ishte cështja e projekt-buxhetit 2016, që pritet të shkojë për miratim në parlament.
“Buxheti ende nuk është paraqitur si projekt dhe vetëm pasi të paraqitet do të fillojnë diskutimet dhe debatet me grupet e interesit. Në takimin e sotëm ne dëgjuam një ekspoze të përfaqësuesve të qeverisë dhe shkëmbyem mendime. Jemi në vijimësi të procesit dhe me dëshirën që të paraqitet sa më shpejt, në menyre që të kenë kohë komisionet dhe grupet e interesit të shprehin mendimet e tyre. Ka shqetësime që do t’i dëgjojmë dhe në mënyrën më të kulturuar do të përpiqemi t’i reflektojmë maksimalisht, brenda mundësive dhe objektivave makroekonomike. Kjo, pasi është domosdoshmëri të përmirësohet çdo ditë klima ndaj biznesit, ashtu siç është domosdoshmëri të vazhdojë formalizimi i ekonomisë”, u shpreh Meta për gazetarët, pas takimit me kreun e PDIU-së, Idrizi.
KOHA JONË SONDAZH

