PD: Shqipëria e mbytur në kanabis, Europa në alarm
Partia Demokratike, me anë të Enkelejd Alibeajt, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në këtë parti, ka akuzuar edhe një herë qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në një vend të kanabisit.
Duke cituar gazetën greke “Kathimerini”, Alibeaj thotë se mediat italiane çdo ditë raportojnë ngarkesa droge që mbërrijnë nga Shqipëria me skaf apo në rrugë të tjera.
“Vetëm sasia e kapur në muajt gusht-shtator në Itali, e raportuar nga mediat, është 12 ton drogë. Drogë e rritur, e kultivuar, e magazinuar, e transportuar nga Shqipëria drejt Italisë. The Economist, revista lider në botë shkruan se situata e drogës në Shqipëri është përkeqësuar. Pista e avionëve të drogës 1.8 kilometra është ndërtuar në mes të vendit, Lumi Zezë ka habitur dje banorët e Fushë Krujës se është mbushur me kanabis që vjen nga kodrat”, deklaroi Alibeaj.
Pavarësisht të gjitha këtyre fakteve, shton ai, sërish Edi Rama dhe Tahiri i tij thonë se në Shqipëri nuk ka drogë.
“Pra pasi mbuloi Shqipërinë me kanabis, Edi Rama ka zgjedhur ta mohojë atë. Po shqiptarët e dinë, e shohin çdo ditë, dhe po e vuajnë këtë rrënim të vendit nga droga, nga droga që mbyt ekonominë e ndershme, shfrytëzon tokat dhe burimet, që sjell vrasje e hasmëri, që kap pushtetin, drejtësinë, që shkatërron votën e lirë”, përfundon deklarata e Alibeajt.
KOHA JONË SONDAZH

